Në një situatë më se të pazakontë për futbollin, presideti i FSHF-së Armando Duka dhe presidenti i Ligës profesioniste të futbollit Edvin Libohova, kanë mbajtur sot një konferencë për mediat lidhur me 4 kërkesat që kërkohet të plotësohen nga qeveria, të cilat kanë çuar deri në bojkot. Sipas Dukës, pavarësisht propagandës, Ligji i Sponsorizimeve nuk ka sjellë deri më sot asnjë të ardhur dhe për këtë arsye ai është kërkesa kryesore.
“Nuk kanë asnjë argument që mund të japin për ligjin e sponsorizimit. Kam dëgjuar argumenta të ndryshme. Ne nuk kërkojmë gjëra të mëdha. Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. 3 klube janë me borxhe. Nuk janë detyrime fiskale për arsye të aktivitetit, janë të trashëguara, kur janë privatizuar. Qeveria mund t’i falë gjobat dhe kamatvonesat. E di sa është ndikimi në buxhetin e shtetit, më pak se 1 milionë euro. Le të bëjnë ligjin e sponsorizimit, le mos i falin ato, ligji i sponsorizimit është më i rëndësishmi.”
Presidenti i FSHF më tej i kërkoi qeverisë që mos të shkojë larg, por të marrë shembullin e Kosovës.
“Buxheti që jep qeveria shqiptare është 700 mijë euro. Kosova jep 12 milionë euro. Pse 12 herë më të këqij se Kosova jemi ne? Nuk bëhet mbrojtja duke thënë që kjo qeveri ka financuar, këtë e këta, po mo i ka financuar, e kemi duartrokitur kur është dashur. Ose merre dhe kopjo Kosovën, Maqedoninë, Hungarinë dhe bëj një gjë për sportin që të jetë e sigurtë. ”
Ndërkohë presidenti i Ligës Profesioniste Edvin Libohova la të kuptohet se bojkoti nuk do të ndërpritet pavarësisht se tani po negociohet me qeverinë dhe është dërguar relacioni me 4 kërkesat.
“Ndodhi pandemia dhe futbolli u mbyll. Kemi humbur 4 vjet me kërkesat e kuadrit ligjor. Edhe nëse zgjat 4-5 javë nuk është fundi i botës, po luftojmë për një kauzë dhe një qëllim të madh. Nuk mund të parashikoj hapat e mëtejshme. Presidentët e Ligës do të marrin vendimin e duhur, i cili mendoj se do të respektohet.”