Sipas prokurorëve Dervishi është pyetur për llogari të procedimit penal të rregjistruar për veprën penale të “Aktet terroriste”, ku ka treguar se kohët e fundit, është përballur me presione të ndryshme, që lidhen me detyrën e tij të prefektit të Vlorës. Në dëshminë e gjatë, Dervishi ka treguar se kërcënimi ka ardhur nga segmente të mafias së ndërtimit në zonën e Vlorës, pasi kohët e fundit ai si prefekt kishte marrë masa konkrete, në këtë fushë. Besnik Dervishi, ka vetëm 2 muaj që ka marrë detyrën e prefektit të Vlorës, ceremoni në të cilën ka qënë dhe kryeministri Edi Rama.
Dëshmia në prokurori
Për katër orë me rradhë, Dervishi ka treguar të gjithë intenerarin e tij nga Vlora në Tiranë, e deri në momentin e fundit kur makina është parkuar në oborrin e kryeministrisë. Dervishi ka rrëfyer në prokurori se ditën e Enjte ka qënë në qytetin e Vlorës, dhe se gjatë mbrëmjes ka udhëtuar në drejtim të Tiranës. Ai tregon se automjetin tip “Peuget model 407 ngjyrë gri me targa TR 5066 N, e ka parkuar poshtë pallatit të tij dhe se në mëngjes e ka marrë sërisht, duke shkuar në afërsi të kryeministrisë. “Pasi kam takuar Ergys Hoxhën, shefin e korrupsionit kemi lënë makinën brenda teritorit të kryeministrisë dhe jemi larguar brenda në godinë.
Pas disa minutash më telefonojnë duke më njoftuar se çfarë kishte ndodhur”-ka treguar për prokurorët prefekti i Vlorës Besnik Dervishi. I pyetur nga prokurorët nëse kishte dyshime tek ndonjë person apo ndonjë konflikt që mund të ketë ndikuar në vendosjen e tritolit poshtë mautomjetit të tij, Dervishi ka pohuar se nuk ka një emër konkret se ku të drejtonte gishtin, por ka shtuar se për vendosjen e tritolit në makinë mund të jenë angazhuar segmente të mafias së ndërtimit në Vlorë.
Reparti “RESI” merr në mbrojtje Dervishin
Dy efektivë të repartit policor “RESI”, kanë marrë në mbrojtje Besnik Dervishin dhe familjen e tij që banon në Tiranë. Vendimi për marrjen në mbrojtje të prefektit të Vlorës, është marrë jo me kërkesë të tij, por duke pasur parasysh situatën e krijuar, është vlerësuar që Besnik Dervishi të meret në mbrojtje nga forcat e RESI-it. Një efektiv policie do qëndrojë pranë familjes, ndërkohë që një tjetër do shoqërojë kudo, Bensik Dervishin. Nuk dihet se sa do jetë periudha kohore që Besnik Dervishi, do qëndrojë në mbrojtje.
Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)