TIRANE- Kur kishin kaluar 24 orë nga shmangja e një tragjedie të vërtetë, pas gjetjes së tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, pa hyrë në Kryeministri, ditën e djeshme mbetej i paqartë fakti nëse policia e shkatërroi apo jo provën kryesore, kartën SIM. Në njoftimin zyrtar Ministria e Brendshme tha se “nga veprimet e kryera nga Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit.” Edhe dje, Njësia Antieksploziv, që bëri shkëputjen e mekanizmit të ndezjes së eksplozivit me qitjen e ujit të çekiçit pneumatik, nuk e kishte përfunduar ende raportin nëse ka patur defekt në mekanizmin e aktivizimit të lëndës shpërthyese çka ka sjellë mosrealizimin e atentatit.

U mundësua shpërthimi i kontrolluar i eksplozivit, me anë të aparaturës që zotëron kjo njësi Antieksploziv në Policinë e Shtetit, e cila funksionon me anë të trysnisë së fuqishme të ajrit dhe ujit, që shkon deri në 12 bar. Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se eliminimi i të gjithë pakos me tritol, me anë të ujit dhe ajrit, ka shkatërruar edhe provën me të rëndësishme, kartën e celularit e cila i përkiste një kompanie të njohur, por që nuk ishte e regjistruar zyrtarisht në ndonjë emër personi. Të njëjtat burime nga policia shtuan dje për gazetën se “Është e pamundur të shkëputet mekanizmi, pa e dëmtuar”. Sakaq, “A1Report” ka siguruar fotot e lëndës eksplozive, e cila është C4, e llojit pluhur, që është e prodhur dhe gjendej në depot e Forcave Tona të Armatosura.

Saktësia e qitjes së pushkës së ujit, e cila bëri shkëputjen e telave përcjellës të energjisë nga telefoni celular tek lënda eksplozive C4, ka shpëtuar pjesë të rëndësishme të hetimit të atentatit të mbetur në tentativë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Janë shpëtuar mjete si telefoni, karta sim dhe mundësi për fiksimin e gjurmëve të autorëve. Procedura e njësisë antieksploziv të RENEA-s u sqarua edhe nga ish-komandanti i kësaj njësie, Thimi Prifti, gjatë emisionit "Urbanika" të gazetares Mirjeta Ngjela. Mirëpo, pranohet se si pasojë e shpërthimit të komanduar me çekiçin pneumatik për çaktivizimin e bombës me celular ishin dëmtuar pjesë të rëndësishme të tij për zbardhjen e hetimeve.

Ndërkaq, veprimi i njësisë Antieksploziv nxjerr në pah mungesën e theksuar të aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, apo të ekspertëve të mirëfilltë e të superspecializuar, për të mos u bërë në fillim veprimi që mund të mbetet për në fund. Pra, nëse do të ekzistonte në Policinë e Shtetit, kjo aparaturë, natyrisht që s’do të kishte nevojë as për tymnaja të kota nëpër të gjitha qarqet e interesuara për këtë ngjarje të rëndë. Nëse përulja dhe pranimi janë pjesë njerëzore, atëherë edhe Policia e Shtetit, llogariten si të tilla, sepse blutë ose e kanë ose nuk e kanë atë aparaturë që mundëson eleminimin e çdo hamendësimi. Gjithësesi, ngjarja është regjistruar si akt terrorist dhe hyrja në lojë e SHISH duket se do të frenojë edhe hulumtimet e mëtejshme mediatike.

Krimet e Rënda shoqërojnë 5 persona për tritolin C4
Gjatë gjithë këtyre orëve, grupi hetimor ka punuar për zbardhjen e atentatit të mbetur në tentativë me eksploziv ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi. Krimet e Rënda të Tiranës kanë shoqëruar 5 persona, një ditë pasi sasia prej 200 gr eksploziv C4 u gjet në makinën e prefektit të Vlorës. Lënda eksplozive u konstatua dhe u çaktivizua në hyrjen e oborrit të kryeministrisë paraditen e djeshme (13 dhjetor 2013). Burimet e Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë për A1Report dhe Shqiptarja.com  nuk bënë të ditur identitetet apo çfarë përfaqësonin të shoqëruarit, por thanë se këta janë vetëm të shoqëruarit e të parë të një grupi personash të cilët do të pyeten.

Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)