TIRANE- Ditën e djeshme, një ditë pasi Garda kishte shmangur atentatin ndaj tij, prefekti i Vlorës Besnik Dervishi deklaron se makina ku u gjet e instaluar dhe u çaktivizuan 200 gr eksploziv C4, ishte në përdorim të tij. Paraditen e djeshme, Prefekti i Vlorës (rreth orës 11:19) ishte pranë Kompleksit ”Jon” i cili u shemb, por nuk pranoi të japë deklaratën për shtyp duke pasur në sfond kompleksin "Jon”, por detin, duke thënë se “dua të shikoj të ardhmen, dhe tjetra i përket të shkuarës”. Prefekti i Vlorës Besnik Dervishi pranoi se makina përdorej nga ai dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen. Ndërkaq, shtoi se ka besim se institucionet dhe prokuroria do të zbardhë sa më shpejt ngjarja e djeshme.

“Në radhë të parë, do të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata miq që personalisht më shprehën solidaritetin. Falenderoj dhe institucionet kryeministrin zv./ ministrat, deputetët që kanë qëndruar pranë meje. Ju orientova në drejtimin e së ardhmes së qytetit të Vlorës. Së bashku me agjencinë kombëtare të Planifikimit të Territorit inspektuam shëtitoren. Sa i takon prezencës tuaj (flet për gazetarët) është një proces që po vazhdon dhe do të vazhdojë sipas planifikimit. Nuk kam koment për ngjarjen e djeshme, kam besim në institucionet e shtetit dhe prokuroria do e zbardhë sa më shpejt. Kjo nuk është replikë, por detyrë e institucioneve.“- tha Dervishi. Dervishi shtoi se deri në orën 19:00 të së premtes, ka qenë në zyrën e tij në Vlorë, më pas në orën 20:00 ishte nisur drejt Tiranës. 

“Në 20:00 të mbrëmjes së 12 dhjetorit jam nisur në Tiranë pasi më morën në telefon dhe më thanë që duhej të isha në Tiranë. Deri në orën 19:00 kam qenë në zyrën time. Kam qenë vetëm në makinë. Detajet t’ia lëmë prokurorisë. Makina është në pronësi time personale. me targa të rregullta. Ne shtetin e kemi marrë të rrënuar prandaj përdorim dhe makinën time”/tha ai. I pyetur nga gazetari i Tv A1 Report, Arsen Rusta sesi ndihej dje, pra një ditë pasi Garda shmangu atentatin, Dervishi u shpreh: “Ndihem mirë në Vlorë dhe në mes të vlonjatëve”. Sakaq, gazeta “Shqiptarja.com”, publikoi dje dëshminë e Dervishit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku akuzoi drejtpërdrejt mafien e ndërtimeve në Vlorë, si autore të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)