Memorie.al publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.
BURRELI
Jeta e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Matit, nis me një organizatë partie të vogël në numër dhe e pa shtrirë në të gjithë fshatrat. Historiku vë në dukje një punë agjenturiale operative të dobët, me vetëm një shef seksioni dhe vetëm tre zbuluesa që e “maskonin veprimtarinë e tyre në front”. Gjithë baza e punës së tyre në fillim, ishte vetëm një listë me emrat e mbiemrat e të arratisurve. Por në pak kohë, situata e tyre ndryshoi. Për secilin grup të cilësuar armik, ata kishin të dhënat bazë, nga numri i anëtarëve te bazat ku merrnin ndihmë e zonat ku fshiheshin. Në katër vite, nga viti 1944 deri në vitin 1948, arritën të asgjësojnë plotësisht dhe pjesërisht grupet kundërshtare që vepronin në rrethin e Matit.
Në katër vite u likuiduan: grupi i Xhemal Vatës nga Macukulli me 6 veta, grupi i Sali Llanit nga Derjani, me 11 veta, grupi i Sul Kurtit me 4 veta, grupi i Haziz Suçit me 3 veta, ai i Shahin Doçit me 4 veta, grupi i Bilal Kolës, që iu vranë 8 veta, grupi i Ndrec Lufit, që ju vranë 7 veta dhe grupi i Marka Dod Gjinit, me 3 të vrarë. “Nga 15 bandat e armatosura me 80 banditë që vepronin në rreth, shpëtuan: banda e Bilal Kolës, 11 veta, banda e Marka Dod Gjinit 2 veta dhe një individ, Gjon Mhilli”, vëren historiku i Burrelit.
4 muaj prita për një familje
Në muajin dhjetor 1946, Seksioni i Mbrojtjes së Popullit mori informacion se grupi i Tahir Menës, ishte parë në pyjet e katundit Vinjoll në Mat. Një togë prej 40 vetash u vu në gatishmëri, duke u ndarë në 4 prita. Më 3 dhjetor, prita që komandohej nga Sabri Protopapa nga Korça, diktoi tym në Pyllin e Semës dhe u zbulua se aty ishte grupi i Tahir Menës, me 11 veta, që e kishte diktuar Sigurimi dhe ishte në mbrojtje.
Kur u hap zjarr, nga forcat e Sigurimit pati dy të vrarë, ndërsa nga kundërshtarët e pushtetit, u vranë Selman Mena (babai i Tahir Menës), Hasan Mena, Man Mena dhe u kap i plagosur rëndë, Lam Mena, i cili vdiq pas disa ditësh në spital. “Kapja e gjallë e Lam Menës, krijoi mundësinë që të merreshin të dhëna të zgjeruara mbi bandën, ndërsa pjesëtarët e tjerë të bandës, përfituan pozicioni i vendit të thyer e pyllit dhe e kaluan rrethimin, duke kaluar në Blloc të Selitës“. Ndjekja e pjesës tjetër të familjes Mena dhe miqve të tyre, vazhdoi.
Më 21 prill 1947, Sigurimi merr të dhëna të tjera dhe vihet në ndjekje të Tahir Menës, duke i shkaktuar një plagë në këmbë, çka bëri që ta ndiqnin, për 12 ditë rresht. Një informacion tjetër, e vendoste Menën e plagosur, në Pllajën e Gurit. “Forcat ju futën pyllit në kërkim, në orën 5 të datës 1947 banda u rrethua, gjatë përpjekjes u vra kryebanditi Tahir Mena, Bajram Mena u plagos rëndë si dhe Qazim Mena, u plagos dhe vdiq në spital. Gjithashtu u plagosen dhe Isa Mena, Mexhit Mena, dhe dolën nga rreshtimi Ali Mena e Ramiz Mena dhe të plagosur lehtë, Isa e Mexhit Mena, ku këta u kapën pas 10 ditësh“, vërehet në historik.
Tre litarë te Qafa e Kishës
Ndërsa regjimi konsolidonte pushtetin duke shtrirë ndikimin e tij edhe në zonat më të thella, përmes të dhëna të bashkëpunëtorëve që përfshinin në grupe armiqësore, pritësit, strehuesit dhe ata që kishin dijeni, por nuk raportonin për kundërshtarët e regjimit, shpesh, frika i bënte banorët të tregonin devotshmëri të paarsyeshme, siç e paraqet Sigurimi. Shpesh, populli ndahej në mbështetës të regjimit, të cilët ndihmonin organet e Sigurimit dhe në antikomunistë, çka shkaktoi edhe viktima të herëpashershme.
Vrasja e komunistes Shkurte Cara, në korrik të 1949 nga kundërshtarët politikë, bëri që dhe hakmarrja të ishte e shpejtë. 3 ditë pas vrasjes së saj, “me 10 korrik 1949, organet e Sigurimit arrestuan 17 persona nga më të dyshimtët, e që disponoheshin të dhëna se janë strehues të bandave dhe kishin dijeni rreth vrasjes së Shkurtës e Zef Bruçit, duke përfshirë dhe dy agjentë të bandës, që ishin komunistë.
Nga hetuesia e shpejtë e zhvilluar brenda 3 ditëve, u zbuluan bashkëpunëtorët e banditëve dhe 13 veta iu kaluan gjyqit, 3 u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me varje në litar. Ekzekutimi i tyre u bë në vendin ku ishte kryer vrasja e Shkurte Carës në Qafën e Kishës, 9 të tjerë u dënuan me burgime të ndryshme deri në 25 vjet“.
Teksa Sigurimi pranon se hetuesia zgjati vetëm 3 ditë, 3 veta u çuan në litar, jo se e kishin vrarë atë, por se sipas Sigurimit, kishin strehuar kundërshtarë të pushtetit dhe mund të kishin dijeni.
7 të vrarët e familjes Lufi
Historiku i Sigurimit të Shtetit, nuk jep të dhëna se pse familja Lufi nga Mirdita, kishte dalë në arrati, kur në pushtet erdhën komunistët. Historiku mjaftohet me përcaktimin e zonës ku ajo qarkullonte dhe numërimin e të vrarëve në mesin e saj.
Grupi i Ndrec Lufit, del të ketë qëndruar në arrati në zonën e Selitës në Mirditë, që asokohe ishte në administrim të rrethit të Matit. Sulmi i parë i pushtetit kundër saj, është në nëntor të vitit 1947, kur edhe Sigurimi vret Llesh Lufin. Dy muaj më pas vritet Nikollë Lufi, ndërsa në përpjekjen e fundit, plagoset edhe Ndrec Lufi. Më 2 maj 1947, banda rrethohet në grykën e Skurajve Kurbnesh, ku mbeten të vrarë 2 nga anëtarët kryesorë të grupit: Tanush Lufi dhe Pep Lufi. Me 4 të vrarë dhe Ndrecën të plagosur, me një sërë forcash në ndjekje mbijetesa e tyre vështirësohet, ndërsa në Mirditë, të vrarët mes kundërshtarëve të komunistëve, ishin të shumtë. “Nga kjo bandë prej vitit 1948, u vranë 7 veta dhe nga 10 veta që kishte, i mbetën 3 veta të cilët bashkë me Ndrec Lufin, kaluan në Jugosllavi“.
“Nuk e dorëzoj dajën”
Në vitin 1949, Sigurimi likuidon grupin e Tafë Vatës, atë të Ram Dervishit, grupin e Toskut dhe vret Geg Zef Hysenin, Lamë Dacin. Mes shumë grupeve që binin në duart e regjimit e mandej në litar a plumb, sfidë për ta mbetej grupi i Bilal Kolës, i cili kishte me vete 11 veta, vëllezër, nipa e miq, që mundën t‘u shpëtojnë ndjekjeve. Arsyet pse ajo shpëtoi janë disa.
“Banda e Bilal Kolës mundi të shpëtojë, sepse në bandë kish pjesëtar me shkollë dhe dinin të manovronin në çdo situatë që u paraqitej, kishin unitet, sepse ishin të një familjeje, njihnin terrenin, ishin njerëz të sakrificave…! Taktikë tjetër ishte edhe ajo që i komprometonte njerëzit duke bërë krushqi, kumbari e byrazerllek“, rendit pothuaj me admirim Sigurimi, por duke pranuar edhe pikën ku çalonte. “Ata përdorën kundër nesh agjenturën tonë, e cila loste dopio rol, na njoftonte ne ku ishte banda dhe njoftonte Bilalin që të largohej…! Agjentura e ngritur kundër tij nuk na e dha Bilalin, se kishte lidhje gjaku dhe në fund u kuptua se kishte tradhtuar organet e Sigurimit“, vëren historiku.
Bashkëpunëtori “Rrënja e Spinaqit”, kishte sakrifikuar të tjerë për të mos dorëzuar Bilal Kolën. Në janar 1948, ai kishte dorëzuar shokët e Bilalit, grupin e Hazis Suçit, që u rrethua në pyll dhe u vra më 3 janar 1948. “Pas shumë përpjekjesh, agjenti deklaroi se Bilalin e kishte dajë dhe që nuk e jepte, dhe u quajt tradhtar dhe si i tillë u përjashtua nga agjentura”.
Vrasja e kapedanit
Fuqizimi i pushtetit bëhej me eliminimin e kundërshtarëve më të fortë. Historiku i Sigurimit e pranon në mënyrë të tërthortë, teksa numëron kundërshtarë në numër të madh që duheshin eliminuar. Me 10 qershor 1946, seksioni i Sigurimit ishte informuar nga populli, se Marka Gjon Marku, një prej kundërshtarëve më të fortë të regjimit, ishte diktuar në katundin Prosek të Mirditës dhe nga andej do të kalonte në Buzhiq.
Me këtë informacion, forcat e Mbrojtjes së Popullit, organizuan disa prita sekrete. Prita që ishte vendosur në rrugën Prosek-Malaj, asgjësoi Mark Gjon Markun dhe korrierin e tij, Ndue Pjetër Gjoni. E dhëna për të në historik përmblidhet shkurtazi, ndonëse vrasja u konsiderua sukses për organet e Sigurimit, sepse ai kishte ndikim te të gjitha grupet kundërshtare në rrethin e Mirditës dhe rrethet fqinje.
“Ai konsiderohej prej tyre, si kryetari i rezistencës në Shqipëri. Nga ana e armikut, vrasja e tij u quajt humbje e madhe dhe në letrat që i dërgonte Salit Llanit kapobanda e Librazhdit, Rustem Dani, thoshte që: ‘Siç na lajmërojnë puntorët e Partisë mretnore, zoti Mark Gjon Marku, është vrarë në qarkun e Tiranës veti i dyti, me datën 13.6.1946, vrasja e Markut të na lajmërohet me siguri në gazetë, se jemi shumë të mërzitur, pra lutemi me marrjen e kësaj shkrese, na ktheni përgjigje”.
KRUJA
Kurthe, vrasje pa gjyq, vrasje në shtëpi a pyll, kontrolle në “shpella e gropa”, shtëpi pritëse, ekspozime trupash të pajetë në kala, grupe armiqësore e diversantë, e nxijnë historikun e Sigurimit të Krujës, ku, nëse marrim të mirëqena vetëm shifrat, ka pasur edhe hakmarrje. Tradhtia e të afërmve, luan po ashtu rol, duke nxjerrë në prita kundërshtarë të regjimit.
Dora e fortë e Sigurimit në këtë rreth, do të kërkonte deri në 200 veta, për të asgjësuar grupin e Frano Mirit. Shefi i Seksionit të Sigurimit, dërgoi dy shkresa urgjente brenda ditës, më 1 mars 1948, duke theksuar se rrethimi i tyre, do të vazhdojë edhe natën në pyllin e katundit Shëmri. Përplasja e grupit të Frano Mirit me Sigurimin, do të vazhdonte gjatë, nëse vërejmë vrasjet që Sigurimi ia faturon Mirit, i cili përbënte një sfidë më vete për ta, duke qenë se ishte në kontakt edhe me grupet kundërshtare të regjimit, në Mirditë e Kurbin. Ai kishte qenë partizan që doli nga radhët, kur iu kërkua të luftonte kundër dajës së tij, Prek Cali. Përndjekja e familjes së Frano Mirit, kishte nisur hapur më 1946, kur mes 10 të vrarëve të masakrës së Gurëzit, 4 mbanin mbiemrin e tij.
Pabesi për Novruz
19 mars 1946. I tërhequr në bashkëpunim nga Sigurimi i Shtetit, Bajram Kau, fton në shtëpinë e tij 7 krutanë që ishin në kërkim. Është festa e Novruzit dhe sapo miqtë hyjnë në shtëpi, bashkëpunëtori njofton shokët e Sigurimit. Rrethimi u bë trefish duke marrë pjesë në operacion një numër i madh forcash, si nga ato të Mbrojtjes së Popullit, ashtu edhe të komandës së vendit. Akuzoheshin si bandë dhe operacioni do të kryhej brenda mbi qytet, në krye të Krujës. Sipas historikut të Sigurimit, “qëllimi ishte të kapeshin të gjallë në pamundësi, të asgjësoheshin”.
Ka mospërputhje megjithatë, për sa i takon kohëzgjatjes së operacionit. Në fillim thuhet se “Rrethimi u bë natën, pa bujë. Dy orë para se të binte mëngjesi, mbaroi rrethimi. Krisi pushka, pasi nga thirrjet që ju bë, nuk dëgjuan të dorëzohen”. Më tej shënohet, “lufta me ta zgjati gjithë ditën, deri pas dreke. Duke parë këtë rezistencë të tyre, forcat morën urdhrin për t’u djegur shtëpia dhe kështu u veprua. Në këtë përpjekje u vranë kriminelët Ibrahim Kupi, Cen Taga e një djalë i Ibrahim Kupit”. Ibrahimi dhe i biri Jakupi, kishin dalë në male menjëherë pas lufte.
Vrasje e papublikuar
Nëse ka ende kaq të zhdukur, fati i të cilëve nuk u mësua kurrë, ndonëse një ditë u arratisën a u nisën për tu arratisur, ndonjë e dhënë del herë pas here, pothuaj në mënyrë të rastësishme, në dokumentet e Sigurimit. Duke dashur të arrestojë një bashkëpunëtor që kishte tradhtuar, Sigurimi ndërton një skemë, siç e pranon me vëmendje të madhe. Operativi i zonës i kërkon takim për të diskutuar më të një problem mjaft të rëndësishëm. Biseda mes operativit dhe bashkëpunëtorit që do të arrestohej në mënyrë sekrete, nxjerr në pah një tjetër sekret, një sekret me një të vrarë. Atij iu kërkua ndihmë në kapjen e një ish-të arratisuri dhe ai pranoi, ndonëse ky ishte veçse provokim, për të mbuluar mungesën e tij në Krujë.
“Ka ardhur Pashk Zef Hoti nga Jugosllavia dhe unë nuk e njoh”, tha operativi, shkruhet në historikun e Krujës, duke shtuar në kllapa: (në fakt, Pashk Zef Hoti ishte vrarë si diversant qysh në vitin 1954, por vrasja e tij nuk ishte publikuar)”
Hakmarrja për prokurorin
Sigurimi i Shtetit pretendon që në muajin nëntor të 1946-s, në Krujë, “kriminelët”, emërtim që përdor për kundërshtarët e regjimit, kryenin krime çdo javë. Por as hakmarrja e Sigurimit nuk mungoi. 4 ditë pas vrasjes së prokurorit të Burrelit, mes Mamurrasit e Burizanës, “Forcat e Mbrojtjes, kapën dhe ekzekutuan në vendin e ngjarjes, bazat e këtyre kriminelëve, që ishin Lazër Gjoka nga Bushneshi, Ymer Leka nga Burizana, Vesel Zogu nga Luzi dhe Gjon Mark Kola, nga Burizana”.
Sigurimi e thekson se ekzekutimi i “kriminelëve”, kishte rëndësi të madhe, sidomos në radhët e bashkëpunëtorëve të tij, ku ishin shfaqur ndjenja pasigurie. Të vrarët në radhët e kundërshtarëve bëheshin edhe në pyll, në vende të papërcaktuara. “Më 19 mars 1947, është vra në pyllin e Zhejës krimineli Pjetër Mark Doçi, nga Bazi i Burrelit, dy herë u arratis në përpjekje me forcat tona”, shënon në dosje një nga bashkëpunëtorët.
Fshehja e vrasjes në gjumë
Agjenti “Prirja” e rrëfen në vitin 1978, mënyrën e vrasjes së Frano Mirit, një prej kundërshtarëve më të fortë të regjimit në zonë. Në grupin e tij, Sigurimi kishte arritur të fuste dy bashkëpunëtorë që kishin urdhër ta vrisnin zgjuar a në gjumë.
“…morëm rrugën drejt malit mbi Gjorm. Nga ora 8 e mëngjesit, Frano me Zefin na thanë, neve do të flemë pak, por ju rrini zgjuar të na ruani. Ky ishte një rast i mirë për ti vrarë. Pranuam se do të qëndronim roje. Detyrën e kishim që në gjumë ose zgjuar atë ditë duhet ti vrisnim. Veç kësaj, nga ana tjetër, shoku Nuri kishte organizuar një rrethim me Forcat e Mbrojtjes, por ato kishin urdhër të mos qëllonin, edhe po të dëgjonin pushkë.
Kështu, unë me L. M, kur pamë se i kishte zënë gjumi, shtimë mbi ta dhe i lamë të vrarë. Si i pamë se kishin vdekur, ikëm rrëzë malit. Kështu forcat e ndjekjes kontrolluan vendin dhe gjetën të vrarë Frano Mirin dhe Zef Përvukën”, kujton “Prirja”. Për të fshehur bashkëpunëtorët e Sigurimit që tradhtuan Mirin, Sigurimi shkruan, se kufomat e tyre (Mirit e Përvukës) u mbuluan me mushama, u izoluan dhe u përcollën në mënyrë sekrete në afërsi të Mamurrasit dhe në orët e vona të asaj nate u organizua një “përpjekje” e madhe në afërsi të shtëpisë së Zef Përvukës, me forca të shumta, me pushkë e bomba, ku u inskenua sikur aty “mbetën të vrarë” Miri me Përvukën. “Kjo ishte legjenda dhe ky ishte kombinacioni”, shton Sigurimi për ngjarjen e vitit 1948.
Detyrë e posaçme
Sigurimi i Shtetit kërkonte asgjësimin e disa armiqve të pushtetit, por pa djegur bashkëpunëtorët e tij, që mund ti vlenin për kurthe të tjera. Punëtori operativ i jep detyrë bashkëpunëtorit I.S., të vriste dy të kërkuar prej tij, Pjetër Nikollën së bashku me diversantin Ndue Lala, por donte që vrasja të kryhej “duke mos e marrë përsipër në publik, por sikur vrasja e tij është bërë nga forcat e ndjekjes”. Sula premtonte përmes një letre të koduar, se do t’i nxirrte në pritë tre diversantë dhe njërin do e vriste vetë, përmes këtij teksti: “Ato 300 lekët ti qes filan datë – d.m.th janë tre diversantë dhe do vij në takim me dt….- 2000 lekët.
Do i gjej dhe tre ditë, ti jap – d.m.th., ka takuar dy, ku njërin e vret vetë dhe pas dy a tre ditësh vjen në takim”. Duke qenë se Sigurimi nuk arriti t’i vriste armiqtë, bashkëpunëtori iu çon tjetër letër ku ka ndërtuar vetë një skenar se si do të sillet pas vrasjes së Nikollës: “Më duket se ishit ba merak se po tradhtoj. Jo, unë atë gjë nuk e baj kurrë, se nuk më shtrëngoj kush të bashkohem me ju, por gabimin e keni pas vetë, e dini fare mirë…! Unë e Ndoi, ne rast se Pjetri (Nikolla) do të takohet me neve pa Markun (nipin e tij), kemi vendos me e vra drejtpërdrejtë dhe unë e hedh përsipër vetes “se deshti të më tradhtojë”. Pra, ju hapni sytë, se nuk i dihet si vjen puna”. Memorie.al