Dëshmia e ish-diversantit: Në bazën e CIA-s na dërgoi Blloku Indipendent ku ishte dhe Ernest Koliqi, por piloti gaboi…

Dëshmia e ish-diversantit: Në bazën e CIA-s na dërgoi Blloku Indipendent ku ishte dhe Ernest Koliqi, por piloti gaboi…

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur të Ndue Mëlyshit me origjinë nga Mirdita, ku i ati i tij, Gjoni ishte bajraktar i Kthellës, ndërsa i vëllai, Nikolla gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarakë në Gardën Mbretërore, kurse djali xhaxhait të tyre, Frroku, në armën e Xhandarmërisë. Si u ndanë përkohësisht rrugët në mes dy kushërinjve gjatë periudhës së pushtimit të vendit, pasi Frroku luftoi kundër forcave partizane në Jug të Shqipërisë dhe në përfundim të Luftës, u bashkua me Gjon Marka Gjonin në qytetin e Shkodrës, duke marrë hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit), nga komunistët, kurse Nikolla doli partizan, duke u inkuadruar me Brigadën e VII-të Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, duke luftuar deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Dëshmia e rrallë e Ndue Mëlyshit se si u detyrua ai të dilte në arrati në vitin 1947 së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, (personazhi kryesor  i filmit “Operacioni Zjarri”) pasi komunistët i’u dogjën kullat e tyre dhe u internuan të gjithë familjen me gra dhe fëmijë në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj. Si qëndroi Nduja nëpër malet e Mirditës në përpjekje me Forcat e Ndjekjes deri në ’49-ën kur u detyrua të arratisej në Jugosllavi së bashku me 53 pjestarë të rezistencës antikomuniste, pas vrasjes së Bardhok Bibës, pasi i pushkatuan vëllanë Lleshin dhe djalin e xhaxhait, Frrokun, kufomën e të cilit e dogjën me vajguri për të terrorizuar popullin e asaj krahine.  Zbarkimi i Ndues me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë dhe endja nëpër malet e Mirditës e Pukës deri në 1952-in, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria për në Itali, Gjermani dhe SHBA-ës, ku ai jetoi deri në vitin 1992, kur u rikthye fillimisht në atdhe pranë familjes së tij (duke jetuar në qytetin e Shkodrës pranë së bijës së tij, Bardha Mëlyshi, pa u kthyer më në SHBA-ës pas vitit 2014) deri sa ndërroi jetë më 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe u përcoll dje për në banesën e fundit. 

“Bardhok Biba ka qenë i dënuar me vdekje nga organizata jonë dhe më vjen keq, që nuk kam pas mundësi me e vra me dorën time, pasi ai ka qenë këlysh i Stalinit dhe jo shqiptar”. Pas asaj përgjigjie që i dha Mark Jak Bajraktari, majori UDB-së Çarkiç, nuk e vazhdoi më procesin e pyetjeve ndaj grupit tonë të shqiptarëve dhe e mbylli fare atë. Kjo gjë bëri që pak ditë më vonë, aty nga muaji qershor, në kampin e Nishit ku ishim ne erdhi majori i UDB-së, Çedo Mihjoviç dhe thirri Ndue Pjetër Gjonmarkun, Ndue Bajraktarin, mua (Ndue Mëlyshin), Mark Dodë Lleshjan, Marka Jak Bajraktarin dhe Pjetër Kol Preçin. Ai pasi na thirri në zyrë, na tha se gjatë asaj periudhe që ne ndodheshin nëpër kampe dhe burgje, kishim kaluar vështirësi, pasi sipas tij, gjëndja në Jugosllavi ishte ende e turbullt, por ne nuk duhet të mërziteshim shumë, pasi kryesorja ishte fakti që ishim gjallë, sepse jo në pak raste na ishte rrezikur jeta. Pas kësaj hyrje që bëri, ai kaloi direkt në temë, duke na thënë se ai personalisht kishte ndërhyrë për çështjen tonë dhe kishte biseduar me Ministrinë e Brendëshme, që të na lironte nga burgu, me kusht, që ne të formonim gjashtë grupe të vogla me nga tre persona dhe të hynim me msione sekrete në Shqipëri”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është Ndue Mëlyshi me origjinë nga Kthella e Mirditës, ish-pjestar i forcave të rezistencës antikomuniste, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1949 dhe i hedhur me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë. I kthyer në fillimisht në Shqipëri në vitin 1992 pas katër dekadash emigrimi, Ndue Mëlyshi, nga viti 2014 jetoi në qytetin e Shkodrës me të bijën e tij, Bardha Mëlyshi, deri sa ndërroi jetë më datën 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe dje më 1 gusht u përcoll për në banesën e fundit. Edhe pse mbante mbi supe më shumë se një shekull e një dekadë të jetës së tij, madje me privacione dhe peripeci të pafundme, duke kaluar gati gjysëm shekulli larg familjes së tij, bashkëshortes dhe tre vajzave që i la fare të vogla dhe i gjeti me fëmijë, kujtesa dhe memoria nuk e tradhëtuan asnjëherë deri në minutat e fundit kur ai u shua para tre ditësh, (më 31 korrik, 2020) i ulur në kolltukun e tij duke shfletuar gazetat e ditës. Para pak kohësh, Memorie.al, arriti t’i marrë një intervistë të gjatë z. Ndue Mëlyshi, (duke e regjistruar me video) me qëllim për ta publikuar më 7 gusht, me rastin e ngjarjes së bujshme të vrasjes së Bardhok Bibës, ngjarje që terrorizoi Mirditën dhe solli edhe largimin e tij dhe 53 pjestarëve të rezistencës antikomuniste nga Shqipëria. Gjatë bisedës, kujtësës së tij të jashtëzakonëshme si një “dosje e gjallë”, hera herës i vinin “në ndihmë” dhe fletoret e shënimeve ku ai prej vitesh në mënyrë kronologjike ka hedhur copza e momente nga jeta e tij e trazuar, apo dhe libri “Jeta e malit”, që ka botuar disa dekada më parë kur ishte në azil politik në SHBA-ës. Duke i përcjellë famijes Mëlyshi ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur, në këtë shkrim po publikojmë të plotë intervistën e zbardhur që i morrëm para pak kohësh, (me ndihmën e pakursyer të së bijës. znj. Bardha Mëlyshi), duke e plotësuar edhe me disa prej shënimeve të tij.  

                                       Vijon nga numri i kaluar 

Zoti Ndue, si rregull, a duhet të raportonte Pjetër Qafa kur doli në Jugosllavi për situatën ku ndodheshit ju, apo atë gjë duhej ta bënit ju si kryetar grupi?

Pjetër Qafës i dhashë me vete një raport të hollësishëm për majorin Mijoviç, duke i shkruar se ne kishim mbetur në zonën e Kthellës nga ndjekjet e shumta të forcave komuniste dhe nuk kishim mundur dot që të dilnim në Jugosllavi së bashku me Pjetrin. Ndërkohë unë hyra në lidhje me Alush Lleshanakun e Gjon Gjinajn, duke vazhduar misionin tonë të vështirë në organizimin e atyre grupeve të vogla të rezistencës antikomuniste që kishin mbetur në Shqipëri.

Ç’ndodhi më pas me grupin tuaj dhe të tjerët grupe që ishin në Shqipëri, si ai i Alush Lleshanakut etj?

Me datën 14 nëntor 1950, Alush Lleshanaku me grupin e tij u nis për në zonën e Elbbasanit dhe pas një udhëtimi tepër të vështirë ai arriti atje pa pësuar humbje në njerëz. Ajo gjë u arrit pasi grupin e tij e përcollën dy njerëzit që i dhashë unë me vete, Bibë Biba dhe Zef Lekëgega, të cilët ishin luftëtar të vjetër dhe të sprovuar me jetën e malit.

Deri ku e çuan ata Alush Lleshanakun?

Ata të dy e përcollën Alushin dhe grupin e tij deri në zonën e Shën-Gjergjit të Elbasanit dhe pasi e lanë aty ku ai nuk kishte më nevojë, Biba e Zefi u kthyen përsëri tek unë në pyllin e Munellës. Në atë kohë që ne ndodheshim në atë zonë, kaluam një dimër tepër të vështirë dhe vështirësitë më të mëdha bëheshin nga ndjekjet e shumta të Forcave të Ndjekjes, por përsëri ne njerëzit e malit mundëm të rezistonim deri në vitin 1952.

Si mundët të rezistonit?

Po ja nga familjet bujare që na mbanin me bukë edhe pse ato ishin në kushtet e një represioni të egër të komunistëve. Por mbajtja jonë me bukë ishte një gjë tepër e vështirë edhe për shkak të varfërisë së madhe të atyre familjeve që na strehonin.

Po grupet e tjera ku vepronin?

Në atë kohë Zef Ndreca e Gjon Shkurti me grupin e tyre ishin vendosur në Bjeshkën e Zepës në Mirditë, ku ata patën mundësinë që të furnizoheshin disi me ushqime, ndërsa unë më Gjon Gjinajn, instaluem radion provizorisht në qëndrën e Zef Ndrecës. Bashkë me grupin e luftëtarëve që ishin atje, ne mendonim që të krijonim një grup të madh në Bjeshkën e Madhe të Munellës. Kështu më 29 nëntor 1950, grupi ynë me gjithë radion mbërriti në qëndrën e Zepës ku gjindeshin dhe Zef Ndreca, Marka Zefi, Ndue Zefi, Gjon Shkurti e Frrok Mëhilli ku u bëmë nëntë vetë gjithsej. Qëllimi ynë ishte që të mbanim lidhje më Qëndrën e Bllokun Indipendent në Romë dhe njëkohësisht të punonim për krijimin e grupit të dytë në zonën e Munellës.

A i’a arritët këtij qëllimi?

Fatkeqësisht, me datën 2 dhjetor 1950, qendra e Zepës u rrethua nga forcat e shumta të Reparteve të Ndjekjes që erdhën nga katër rrethe: Kthellë, Pukë, Kukës dhe Peshkopi. Ato forca komuniste përbëheshin prej më shumë se 700 ushtarësh të armatosur me të gjitha armatimet deri tek mitralozat e rëndë.

A pati përpjekje të armatosur në mes grupit tuaj dhe Forcave të Ndjekjes?

Jo vetëm që patëm përpjekje me ta, pore aty u zhvillua një luftim i rreptë që zgjati nga ora 12 e ditës e deri në ora 6 e mbrëmjes. Grupi ynë përveçse u gjend i rrethuar keq nga të katër anët, ishte dhe në pozicione të pafavorshme. Si rezultat i asaj situate, aty mbetën të vrarë Zef Ndreca, Ndue Zefi, Gjon Shkurti dhe Frrok Nikolla, kurse Gjon Gjini u plagos rëndë duke humbur edhe radion.

Çfarë bëtë pas këtyre humbjeve të shokëve tuaj, si mundët të shpëtonit ju?

Pas kësaj unë me Bib Bibën, Mark Zefin dhe Bardhok Shkurtin, morëm Gjonin e plagosur dhe duke kaluar ndër furrinë e zjarrit e të terrenit të thyer, mundëm që ta çanim rrethimin e të largoheshim.

Po nga Forcat e Ndjekjes a pati të vrarë dhe të palgosur?

Nga ana e forcave komuniste të Ndjekjes, sipas informative që morëm më vonë nga fshatarët, kishim mbetur të vrarë 28 ushtarak dhe po aq të plagosur.

Përveç çfarë u thanë fshatarët, ju vetë a i patë të vrarët nga Forcat e Ndjekjes?

Po po, pesë ushtarë të vrarë dhe një kapiten, ne i pamë vetë me sy gjatë tërheqjes, dhe një oficeri i morëm armën që ishte një “Mashinë” gjermane.

Mbasi e kaluat rrethimin, ku shkuat?

Mbasi kaluam rrethimin, Gjon Gjinajn e plagosur ne e dërguam në katundin Xhuxhë dhe vetë u larguam nga ajo zonë për të humbur gjurmët. Pas atyre humbjeve të mëdha ne u rigrupuam përsëri në zonën e Molungut në Lezhë dhe qëndruam nëpër male deri në vitin 1952, kur të detyruar nga humbjet e mëdha që u kishin shkaktuar forcat komuniste, u larguam përfundimisht nga Shqipëria.

Te kthehemi edhe njëherë tek misioni juaj i parë i zbarkimit me parashutë në Shqipëri, si e kujtoni dhe kur ka ndodhur kjo?

Misioni ynë i parë i zbarkimit me avion në Shqipëri ka ndodhur më 15 shkurt të vitit 1949 dhe ne u nisëm pasi ishim stërvitur në bazën sekrete amerikane të CIA-s në Golfo di Taranto, e cila ishte një fortesë ushtarake në Monte Mesala që ndodhej në periferi të Romës. Ajo bazë amerikane kishte lidhje me Bllokun Kombëtar Indipendent të kryesuar nga Gjon Marka Gjoni, Xhaferr Deva, Ismail Vërlaci, Kol Bib Mirakaj, Ernest Koliqi, Ndue Gjon Marku, Lin Shkreli etj. Ne ishim katër vete: Alush Lleshanaku, Ndue Pjetër Gjonmarkaj, Haki Blloshi dhe unë (Ndue Mëlyshi).

Çfarë përgatitjesh kishit bërë në atë bazë ushtarake, pra, si dhe për çfarë ishit stërvitur?

Aty ne kishim bërë stërvitje nga më të ndryshmet, si: mësime teorike, kurse specializimi për përvetësimin e radiove marrëse e dhënëse, luftime trup me trup, goditje me thikë, përdorimin e armëve të ndryshme dhe qitje me to, kalime pengesash ujore dhe toksore ditën e natën, zbritje e ngjitje me litar në lartësi e shkëmbinj të thepisur, e deri te përdorimi parashutës, etj.

Përse u caktuat pikërisht ju të katërt për të zbarkuar me grupin e parë parashutist në Shqipëri?

Na caktuan ne të katërt, pasi përveç përgatijeve fizike, ushtarake, etj., që kishte Alushi, Haki Blloshmi, e Ndue Pjetri, ne na vlersuan si më të përshtatshëm edhe për faktin se kishim qenë edhe herë të tjera me mision sekret në Shqipëri (duke hyrë nga kufiri toksor) dhe tashmë kishim një përvojë të madhe në jetën e malit dhe vështirësitë e shumta që duheshin kaluar. Ne i kishim përmbushur me sukses ato detyra që na ishin caktuar në ato misione të para dhe kështu që na caktuam përsëri që të kishim sukses edhe këtë mision, i cili do të kishte vlera edhe nga ana psikollogjike për t’iu ngritur moralin shokëve të tjerë që do të vinin me misione sekrete në Shqipëri.

Çfarë pajisjesh e armatimesh i’u dhanë me vete në misionin e parë që do hidheshit me parashuta në Shqipëri?

Si pajisje personale që do kishim çdo njëri prej nesh në parashutën tonë, ishte vetëm një “Mashinë” (armë) me nga dy karikator fishekësh si municion. Por përveç katër parashutave që do hidheshim ne, do kishim edhe katër parashuta të tjera, ku dy të kishin radiot dhe dy të tjera me ushqime të thata, veshëmbathje, armatime të lehta dhe municione të tjera, pjesë të radios, ilaçe medicine e gjëra të tjera që na duheshin e nevojiteshin për jetën e malit, të cilat ishin llogaritur për 30 ditë.

Ku ishte përcaktuar vendi zbarkimit tuaj me parashuta?

Ndërsa data e zbarkimit u caktua po atë ditë që jemi nis, pra më 15 shkurt 1949, vëndi i zbarkimit tonë ishte paracaktuar që më parë, por ne do të na bëhej i ditur vetëm pasi kemi zënë vënd në avion, në mënyrë që ajo të ishte sa më sekret dhe të mos kishte mundësi dekonspirimi. Ne na caktuan për t’u hedhur në Sheshnaltën e Bjeshkës së Mirditës tek Fusha e Vjerthit, vënd i cili ishte përzgjedhur si më i sigurtë për zbarkimin me parashutë.

Pse u zgjodh pikërisht data 15 shkurt?

Ne ishim në pritje për t’u nis dhe data 15 shkurt u zgjodh në varësi të motit, pasi atë natë ishte një kohë e kthjellët dhe bënte shumë ftohtë. Këto kushte atmosferike konsideroheshin të përshtatshme për misionin tonë, pasi do kishim mundësi të orientoheshim kur të zbrisnim në tokë, e gjithashtu mundësitë e lëvizjes së banorëve të atyre zonave apo Forcave të Ndjekjes, do ishin më të pakta dhe kufizuara.

Si e kujton zbarkimin e grupit tuaj me parashuta, në ç’drejtim ka qenë itinerari i lëvizjes së avionit dhe a patët probleme gjatë zbritjes në tokë?

Pasi kemi zënë vënd në avionin që u nis në një aeroport i vogël ushtarak në periferi të Romës, jemi nis dhe avioni pasi kaloi Detin Adriatik, ka marrë drejtimin për nga Miloti dhe nga aty ka vazhduar rrugën duke kaluar në Rubik, Rrëshen, Malaj, Kthellë e Epërme, e  deri sa kemi mbrritë në Fushën e Mullit të Selitës, vënde që unë i njifsha me pëllëmbë. Fusha e Vjerthit ku na kishin paracaktu që do zbarkonim dhe ne ishim gati në pritje, nuk u zbatu prej oficerit pilot dhe duke parë që ai gaboi drejtimin, unë i fola dhe ai na bëri shenjë të bëheshim gati me u hedh aty në Fushën e Mullit, sepse sipas kordinatave që ai shikonte në hartë, nuk ishte shumë larg asaj të Vjerthit.

Si reaguat ju pas asaj që ai nuk po respektonte vëndin ku u kishin thënë që do zbarkonit?

Unë i thashë oficerit pilot se atë vënd e njifja mirë, por ai ma ktheu: “Atë punë e dimë ne, ju zbatoni detyrën tuaj që u është ngarkuar”.

Ç’farë ndodhi më pas me ju, zbarkuat aty ku u tha ai?

Pas atij debati, avioni ka vazhduar më tej dhe ka dalë mbi Mërkurth, ku ne nuk njifshim asnjë vënd dhe as nuk dinim ku ishim. U hodha unë i pari e pas meje Ndue Pjetër Gjomarku dhe pasi na janë hapur parashutat normalisht, të dy kemi ra në një bjeshkë me pisha me vënd shumë të thepisun, ku nuk dukej fare Sheshnaltja (fushë në male të larta), që na kishin pas thënë më parë. Sidoqoftë kemi ra në tokë pa pësur asnjë dam.

Po Alush Lleshanaku me Haki Blloshmin?

Pasi na ka lëshu ne të dy në pak minuta nga njëri tjetri, avioni do të bënte një rrotullim dhe do të kthehej përsëri aty me hedh edhe Alushin e Hakiun. Por ai nuk u kthye më në atë drejtim dhe unë me Ndue Pjetrin e pam shumë të vështirë dhe mezi jemi taku me njëri tjetrin pasi na hodhi shumë larg.

Si u takuat ju të dy?

Unë me Ndue Pjetrin jemi taku pas më shumë se gjysëm ore me njëri tjetrin, duke qëllu në ajër me armët që kishim me vete, shenjë të cilën e kishim bërë me fjalë para se të hidheshim.

Kur ratë në tokë dhe më pas kur u bashkuat, a e dinit ju se ku ndodheshit?

Jo vetëm se nuk dinim se ku ndodheshim, por ne mezi u bashkuam të dy, pasi në atë vënd përveçse të thepisun, kishte dhe mbi një metër e gjysëm borë dhe me shumë mundime ne të dy kemi dalë në një vënd të lartë që të kishim mundësi me e pa më mirë dhe të orientoheshim në atë sektor ku kishim ra. Vetëm në mëngjes kur ka zbardh drita, ne e kuptuam se kishim rënë dhe gjendeshim në malet e Kunorës së Selitës e Kthellës, prej nga ishim unë.

Po pse e bëri piloti atë gabim që u hodhi aty dhe jo në vëndin e caktuar e sa larg ishit prej aty ku ishte paracaktuar të zbarkonit?

Nuk e di dhe ne nuk e mësuam kurrë, nëse piloti e bëri me apo pa dashje atë gabim dhe nga aty ku ndodheshim pra në Kunorën e Selitës së Kthellës, ishte jo ma shumë se 25 km. në vijë ajrore me Fushën e Vjerthit ku na kishin caktu me zbarku. Por gabimi ma i madh u ba me Alush Lleshanakun e Haki Blloshmin, të cilat avioni i kishte hedhur në Malin e Macukullit (fshat i Burrelit, krahina rethit të Matit) duke qenë edhe 25 km. të tjera më larg nesh.

Ç’kishte ndodhur, pse u hodhën ata aq larg?

Nuk e di, gabimi që u ba me mua dhe Nduen, u përsërit dhe me ta. Por ndryshe nga ne që ishim në zonën tonë ku kishim kalu jetën deri para se me u arratis prej Shqipnisë, Alushi me Blloshmin ishin në një zonë krejt të panjoftun për ta dhe atyne i’u desh me kalu vështirësi të shumta që u rrezikuan jetën disa herë. Ata nuk dinin se çfarë drejtimi me marr, pasi nuk e njifshin fare atë zonë dhe asnjë njeri në atë krahinë ku kishin rënë. Edhe pse e gjithë zona e Macukullit njihej për mikpritjen e saj, Alushi me Blloshmin nuk e dinin se ku ndodheshin dhe vetëm vëndosëmria e tyre, bëri që ata të largoheshin prej aty, duke ecur nëpër pyje të vogla dhe rrugë pa rrugë për disa ditë, pa pushue në asnjë vënd, deri sa kanë pa dhe kan njoftë lumin e Matit. Duke ndjek rrjedhën e tij, pas disa ditëve rrugë pa strehim e pa ushqim fare, ata kanë parë Urën e Zogut mbi lumin Mat në Milot dhe aty e kanë parë se ku ndodheshin./Memorie.al


Lajmi kryesor:

Dëshmia e 109-vjeçarit që u shua dje në Shkodër: Si u hodha dy herë me parashutë nga CIA...(Intervista e fundit)


B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve