Dëshmia e ish-kryebashkiakut të Shkodrës: Në momentin që një djalë i ri po vinte dinamitin në qafën e bustit të diktatorit Hoxha, një ish-oficer i Policisë, nxori pistoletën e qëlloi

Dëshmia e ish-kryebashkiakut të Shkodrës: Në momentin që një djalë i ri po vinte dinamitin në qafën e bustit të diktatorit Hoxha, një ish-oficer i Policisë, nxori pistoletën e qëlloi

Busti i Enver Hoxhës në Tiranë

Nji nder masat, e reja, “liberale” të regjimit komunist shqiptar, ishte dekretimi i ligjit (Maj 1990), se nuk e konsideronte ma, kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, si tradhti kombëtare, por vetëm shkelje ligjore, që kishte si pasojë pak muaj burg. Shumë shqiptarë n’atë periudhë, të inkurajuem prej ligjit të ri, iu vërsulën kufirit për me jetue të lirë, larg terrorit komunist.

Nji pjesë, mbërritën me e kalua kufirin, disa fatzi të tjerë jo, sepse në kufi u përballën me tradhtinë, karakteristike komuniste, të cilët, në kundërshtim me ligjin që ishte dekretua, përdorën armët kundër tyre, tue vra brenda nji kohe të shkurtë, 56 shqiptarë të pafajshëm!

Vrasja në kufi e të riut, 17 vjeçar, Pëllumb Pëllumbi, në qershor 1990, ngjalli nji zemërim, kaq të fortë të rinisë, sa që  transformoi ceremoninë e varrosjes së tij (16 qershor 1990), – me arkivolin e të ndjerit në krah, nëpër rrugët e Shkodrës, – në nji demonstratë proteste, të ashpër antikomuniste.

Për herë të parë, mbas gati gjysmë shekullit diktaturë, u hodhën parulla antikomuniste, publikisht, ku në qendër të tyre ishte vejusha e zezë, e diktatorit.

Ajo që na pat bë shumë përshtypje, ishte mosveprimi i Sigurimit të Shtetit kundër protestuesve, në ditën e 16 qershorit! Diçka po ndryshonte…! Ndryshim i habitshëm ishte edhe leja për me dalë jashtë shtetit; kush kishte mundësi me pas nji ‘garanci mikpritje në Itali’ (prej të afërmve, miqve etj.), mund të merrte vizën, prej ambasadës italiane.

Liberalizimi (prej zorit) i politikës komuniste shqiptare solli inskenimin dhe nxitjen e mija shqiptarëve, të super mërzitur prej diktaturës dhe varfërisë, për me mësye ambasadat e huaja, dhe me kërkue strehim politik. Kjo ndodhi me 2 korrik 1990.

Aventura përfundoi me sukses, sepse vendet europiane i dhanë azil politik, të gjithë atyre, që kishin hy në ambasada, si edhe i sistemuan me dokumente, shtëpi dhe punë, në vendet e tyre.

Filluan, pak ka pak, me u lirue edhe të burgosun politikë, nji prej të cilëve ishte edhe Dom Simon Jubani (mik i familjes time). Me atë rast, i patëm bë familjarisht nji vizitë kortezie, për me e urue për lirimin prej burgut.

Kur dolëm, ai na përcolli deri te dera e oborrit, dhe na tha: “Me ndihmë të Zotit, kam shpresë se, këtë vit do t’i lusim Kërshëndellat në Kishë”.

Ne u çuditëm, dhe bame urimin. Kur u ndamë prej tij, biseduam në mes nesh: “I shkreti Dom Simon, paska dalë jo mirë me mend prej burgut, pasojë e torturave, me goditje në krye”, por, profetësia e Dom Simonit, u realizua!

Me 4 Nëntor 1990, Dom Simon Jubani zhvilloi lutjen e parë publike, mbas ndalimit të fesë prej komunistëve, te Kapela e varreve të Rrmajit, gjë që u përsërit me 11 Nëntor, kurse me 16 Nëntor, u bë lutja e myslimanëve, te Xhamia e Plumbit.

Duhet kujtue dhe vlersue fakti se, në lutjet fetare të mësipërme, morën pjesë katolik dhe mysliman, së bashku, çka i jep vlerë kombit shqiptar!

Me 8 dhjetor 1990, shpërtheu Lëvizja e Studentëve kundër diktaturës komuniste, kjo datë shënon fillimin e periudhës së pluralizmit politik në Shqipni. Ndryshimi politik i programit të partisë komuniste, mori shpejtësi.

Mbas tre ditëve, u shpall themelimi i partisë së re demokratike (Partia Demokratike), kurse me 13 dhjetor 1990, rinia shkodrane e mbështetun edhe prej qytetarëve, organizuan nji demonstratë të dhunshme, në rrugët e qytetit, në të cilën u thyen xhamat e dyqaneve dhe u plaçkitën (dukuri të pashmangshme në nji vend të varfër, si Shqipnia ku, mbijetonte nji popull i uritur).

Nuk më kujtohet, se, pse atë ditë, isha në Shkodër dhe jo në punë në fshat, kështu që u bashkova me demonstruesit, në sheshin para ndërtesës së sotme të Bashkisë dhe u bana dëshmitar i hedhjes në erë, me dinamit, në qafë të monumentit të diktatorit komunist, Enver Hoxha.

Mbasi monumenti u coptue prej dinamitit, “gavroshat” e Shkodrës, e pshurrne para të tanve, veçse përpara veprimit, u tregun “të sjellshëm”, sepse deklaruan me zë të naltë: “Ftojmë nanat dhe motrat tona të na kthejnë shpinën”!

Në ato momente, super emocionuese nuk më hiqet prej mendjes, veprimi i nji oficeri të policisë (në pension), i cili prej “tronditjes së fortë psikike që provoi”, gjatë përjetimit të përdhunimit të idhullit të tij (diktatorit komunist), nxori revolverin e qëlloi mbi personin që, po vente kurorën e dinamitit në qafën e bustit të diktatorit!

Fatmirësisht, plumbi nuk dëmtoi askënd, unë isha në pozicion vetëm 6 m., larg, dhe pashë gjithçka!

Ai, enveristi kriminel, mbasi qëlloi për vrasje, u mundue me u largue me shpejtësi, por nuk mbërriti me shkue larg, pse nji grumbull i madh njerëzish, i ndërprenë rrugën. I tmerruar, sepse rrezikonte linçimin publik, u fut për me shpëtue, në mjedisin e Bankës Agrare.

Turma e egërsueme e ndoqi mbrapa, thirrjet për linçim vazhduan gjatë, por nëpunësit e bankës, e fshehën dhe nuk e dorëzuan kriminelin. Me kalimin e kohës, e me të butë, gradualisht u qetsua gjendja, dhe turma u shpërnda sepse, atë ditë, kishin tjetër objektiv…! Memorie.al

/G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • labi: 13/01/2023 10:42

    shiko filip se te mabaje mend me trupin e bukur kur luaje basketboll,mos eshte antar i pd te pseudothemeluar nga sekretari ippsh sali ram berisha te uroje shendet po keta pseudodemokratet e sotem nuk ndryshojne nga oficeter e meparshem si gazidede ,kulici saliu shkelzeni e shume e shume te tjere te sotem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat dhe cakton prioritetet! Kaçi: Zbatim me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut dhe besueshmëri në treg

AMF mbledh sektorin financiar për festat dhe cakton prioritetet! Kaçi: Zbatim me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut dhe besueshmëri në treg