Dëshmia e rrallë e djalit të ish-kreut të Ballit Kombëtar: E mbajtëm 7 vjet në shtëpi, Nexhmije Hoxha na la 47 vjet në burgje e internime

Dëshmia e rrallë e djalit të ish-kreut të Ballit Kombëtar: E mbajtëm 7 vjet në shtëpi, Nexhmije Hoxha na la 47 vjet në burgje e internime

Publikohet historia e panjohur e “Vajzave me kordele të kuqe” e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla, të 90 vjeçarit Tomorr Dosti. Memorie,al shkruan se i biri i Hasan Dostit, ish-Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës nën pushtimin Italian dhe kreu i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar i dalë nga Konferenca e Mukjes, i cili në ’44-ën u largua nga Shqipëria bashkë me Mithat Frashërin dhe u vendosën në SHBA, ku pas vdekjes së Mithatit në 1949-ën, ai drejtoi për shumë vite Komitetin “Shqipëria e Lirë” që mbështetej nga qeveria e SHBA-ve, duke përfaqësuar Shqipërinë në të gjitha Kongreset e “Popujve të robëruar” që mbaheshin në Europë dhe SHBA.

E gjithë historia tragjike e familjes së Hasan Dostit, njeriun që morri me vete Enver Hoxhën në vitn 1936 në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit, duke i dhënë të lexonte edhe fjalimin e tij nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës, dhe për afro shtatë vjet nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit të vendit, mbajti në shtëpinë e tij në Tiranë, Nexhmije Hoxhën, Nefo Puto Myftiun e Naxhije Dumen, shoqe klase të bijës së tij, Shanisha Dostit, për të cilat vite më vonë u realizua filmi “Vajzat me kordele të kuqe”!

Si vuajtën në burgje dhe internime të gjithë fëmijët e Hasan Dostit (pesë vëllezër e tre motra), që nga viti 1944 e deri në 1991-in, duke filluar nga Shanishaja, e cila pasi kishte studiuar dy vite universitet në Itali në degën Farmaci, u internua në vitin 1945, duke punuar me kazëm në kanalet e ndërrmarjes Komunale të Durrësit, për të përfunduar më pas në burgun e Kosovës së Lushnjes për pesë vjet për “agjitacion e propagandë”! Përse ajo dhe vëllezërit e motrat e saj nuk pranuan kurrë që të kërkonin ndihmën e Nexhmije Hoxhës, e cila në vitin 1945, kur një shoqja e klasës, pa dijeninë e tyre i shkoi në zyrë dhe i kërkoi që të bënte diçka për Shanon, duke i thënë se po vdisnin për bukë, ajo i përgjigj: “Akoma nuk ka ngordhur”?! dhe i la ata në burgje e internime deri në vitin 1991?!
Nga mesi i viteve ’70-të, ish-krerët kryesorë të udhëhqjes së lartë të PPSH-së, filluan të mendonin që “luftrat, bëmat dhe heroizmat” e tyre gjatë “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, të cilat deri në atë kohë i kishin bërë publike vetëm në libra me temë historike apo në ndonjë vepër letrare, tashmë t’i evokonin dhe përjetësonin në ato kinematografike, pasi e dinin dhe e njihnin mirë magjinë e kinemasë dhe impaktin që ajo kishte në popull. Nxitje për këtë u bë një nga “shokët e vjetër” të Luftës, me origjinë nga Kurveleshi, që në një bisedë në shtëpinë e Partisë pasi kishin parë një film me tematikë nga Lufta, për një nga “Heronjtë e popullit”, i ngrysur në fytyrë dhe si me të qeshur, i kishte thënë Enverit: “Edhe na kemi lëftuar, jo vetëm këta…”?! Kaq u desh dhe pas “Njësiti gueril” e “I teti në Bronx”, që ishin realizuar tashmë dhe kishin ngjallur xhelozinë te disa “shokë të udhëheqjes”, fillimisht u realizua filmi “Shtigje lufte”, për historinë e Pezës, ku thuhet se Enver Hoxha kishte mbetur i pakënaqur, pasi “nuk dilte mirë roli i Partisë”, dhe për të mos ndaluar filmin, u mendua që të realizohej një tjetër dhe u bë filmi “Vendimi”.

Ndërkaq ishte realizuar dhe “Në fillim të verës” ku i bëhej jehonë aktivitetit dhe veprimtarisë së Hysni Kapos në Qarkorin e Vlorës, dhe po përgatitej një film për kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, i cili nuk u realizua kurrë për arsye të ngjarjes që ndodhi me të. Ndërkaq, tematika historike në Kinematografinë shqiptare vazhdoi me “Besa e kuqe” (1982) dhe “Militanti”, (1984), ku sadopak dilte në pah edhe veprimtaria e “shokut Ramiz”, gjatë Luftës Antifashiste. Në këtë “konkurencë”, të fortë, nuk kishte mbetur pas as Nexhmije Hoxha, e cila prej kohësh kishte menduar dhe nën kujdesin e “skenarin” e saj, në vitin 1975, u realizua “Vajzat me kordele të kuqe”, në të cilën evokohej aktiviteti dhe veprimtaria e disa “shoqeve”, (bashkëshorte të udhëhqësëve të lartë), të cilat nga periudha e Monarkisë së Mbretit Zog dhe në atë të pushtimit nazi-fashist të vëndit, kishin qenë studente konviktore në Institutin Femnor, “Nana Mbretneshë”, dhe nën “udhëheqjen” e shoqes Nexhmije Xhunglini, kishin organizuar demonstratat dhe aksionet e para në krye të Rinisë Komuniste. Por ndryshe nga disa prej filmave si “Njësiti gueril”, “I teti në bronx”, “Në fillim të verës”, “Vendimi”, “Militanti”, “Besa e kuqe”, etj., ku kishte disa të vërteta rreth rolit të “shokëve të udhëheqjes” gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, te “Vajzat me kordele të kuqe”, duket se historia është kthyer me “kokë poshtë”, duke u shtrembëruar dhe manipuluar gjithçka!

Së pari, Nexhmije Hoxha para se të ishte “vajza me kordele të kuqe”, kishte qenë me “kordele të zezë” si anëtare e Partisë Fashiste, gjë e cila ka dalë dhe është bërë publike vetëm pas viteve ’90-të (nga ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Rendit, historiani i njohur, Kastriot Dervishi”), dhe së dyti, “Zonjusha Gajtani” personazhi negativ te “Vajzat me kordele të kuqe”, nuk ka qenë një vajzë spiune ashtu siç ka dashur dhe ka baltosur, Nexhmije Hoxha, por një nga shoqet e veta më të ngushta, për gjatë gjithë kohës që ato kanë qenë bashkë në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” në Tiranë, dhe krejt e kundërta e asaj ç’ka paraqitet në atë film! Madje ajo, jo vetëm që nuk i ka spiunuar kurrë shoqet e saja, “vajzat me kordele të kuqe”, por i ka mbajtur ato me bukë në shtëpinë e saj, si gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ashtu dhe gjatë pushtimit të vëndit, ku edhe pse ato ishin “të reja komuniste”, i priste në shtëpinë e saj ku dhe bënin mbledhje, ndërsa babaj, ishte Ministër i Drejtësisë në qeverinë e asaj kohe. Po kush është “Zonjusha Gajtani”, cila është historia e saj, ku ka jetuar ajo dhe përse e kaluara e saj e trishtë është mbajtur e fshehtë dhe e mbuluar me mister për afro tetë dekada me rradhë?!

Lidhur me këtë dhe gjithë historinë e saj, na njeh në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, z. Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-kreut të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të dalë nga Konferenca e Mukjes në vitin 1943, dhe eksponent kryesor i organizatës nacionaliste, “Balli Kombëtar”, i cili në fundin e vitit 1944, u detyrua të largohej nga Shqipëria prej hakmarrjes së Enver Hoxhës, dhe të vendosej në SHBA, ku për shumë vite drejtoi “Komitetin Shqipëria e Lirë” që e financonin dhe e mbështeste qeveria e SHBA-vë.
Ndërsa z. Hasan Dosti ndodhej në emigrim si azilant politik së bashku me një nga djemtë, shtatë fëmijët e tjerë, mbetën në internime dhe në burgje nga viti 1944 deri në 1991-in, edhe pse ata duhet të ishin “Familje dëshmori”, pasi nënën e tyre dhe njëkohësisht bashkëshorten e Hasan Dostit, e pushkatuan gjermanët më 16 nëntor të vitit 1944, bashkë me vëllanë e tij, Kutbi Dostin. Lidhur me këtë histori të trishtë dhe tragjike të familjes së tyre, me z.Tomorr Dosti që është vëllai i Shanisha Dostit, “vajzës me kordele të kuqe”, ish-shoqes së ngushtë të Nexhmijes në Institutin Femnor, “Nana Mbretneshë”, kemi biseduar që nga fillimi i viteve ’90-të kur ai ish-kryetar i Partisë Demokratike dhe deputet i Parlamentit shqiptar, dhe më pas, por ai nuk ka dashur kurrë që ta bëja publike në shtyp.

Zoti Dosti tashmë në moshën 90-vjeçare, por me një shëndet dhe memorie për t’u pasur zili, ka preferuar që të qëndrojë në heshtje ashtu siç ka qëndruar prej këtyre tre dekadave e gjithë familja e tyre, e cila ka qenë dhe vazhdonë të jetë “meka” ku “falen” të gjithë ish-të përndjekurit dhe burgosurit politikë të Shqipërisë që nga shëmbja e regjimit komunist.
Kjo intervistë u bë e mundur vetëm pas insistimit tonë të gjatë, dhe pas disa takimeve me z. Dosti, këto ditë që atij i’u nda nga jeta edhe i vëllai, Ernesti, (i fundmit që jetonte ende), dhe kjo duke marrë shkas edhe nga libri i fundit i Nexhmije Hoxhës, që prej ditësh po përcillet pothuaj nga i gjithë shtypi i shkruar dhe media të ndryshme onlie.
Z. Dosti, para se t’ju pyesim për historinë dhe rrethanat që ju personalisht dhe familja juaj është njohur me Nexhmije Hoxhën, a mund të na thoni dy fjalë shkurtimisht, cila është origjina e familjes suaj?
Ne si origjinë jemi nga fshati Kardhiq i Gjirokastrës ku dhe ka lindur babai në 7 tetor të vitit 1895. I pari i familjes, Dosti, ka qenë prifti, Papa Kostandini, i cili ka jetuar diku në gjysmën e dytë të shekullit të XV-të. Më vonë pasardhësit e këtij fisi u konvertuan në myslymanë, duke u ndarë në dy degë: njëra ishte ajo e Delvinës – Dosti – Hajdaraga – Delvina; dhe tjetra ajo e Kardhiqit, nga e kemi ne prejardhjen prej babait, Hasan Dosti. Kjo është historia e origjinës së familjes sonë nga babaj.
Ku është shkolluar babaj juaj, Hasani?
Ai fillimisht është shkolluar në Greqi, në Filipiadhe dhe më pas është kthyer në fshatin e lindjes, Kardhiq, ku në vitin 1907 mbaroi shkollën fillore. Këto që po ju them, babai i ka lënë të shkruara me dorën e tij dhe fatëmirësisht janë ruajtur, pasi babait i është djegur tri herë biblioteka me qindra volume libra dhe dokumente gjithashtu.

Çfarë shkruan babai në ato kujtime lidhur me shkollimin e tij?
Ja po ua lexoj kujtimet e tij: “Kur ndiqja shkollën greke, gjatë muajve të verës, vija në Kardhiq. Atë vit dhe më pas, sipas zakonit, këndoja me shokët e fshatit këngët heroike të Gjolekës, të Luftës së Lëkursit, të Abdyl Frashërit, të Ismail Qemalit etj. Këngët heroike të Labërisë, janë histori. Në 1907-ën ndiqja mësimet, herë në gjimnazin turk të Gjirokastrës dhe herë në atë të Janinës, sipas gjëndjes financiare të tim eti. Aty në vitet 1907-1908, mësova prej Mihal Gramenos, (kur ky vinte në Kardhiq me Çerçiz Topullin), shkrimin shqip, sipas alfabetit të kohës. Në vitin 1912, fitova një bursë shteti me konkurs dhe ndoqa mësimet në gjuhën frënge në kolegjin “Alliance Universlle Izraelit” të Janinës. Më 1914, pikërisht kur po përgatitesha për provimet e vitit të fundit, detyrohem të largohem prej Janinës, pasi mësova prej disa gjirokastritëve se Kardhiqi ishte djegur. Këtë fat kishin pësuar fshatrat myslymane të Gjirokastrës dhe Korçës, prej bandave të qeverisë së Epirit, të shpallur më 2 mars. Në Vlorë arrita në maj 1914”.

Si vijoi më tej shkollimi i tij?
Është histori e gjatë, por po i bie shkurt: Në vitin 1915, babai vazhdoi një shkollë xhandarmërie që u hap në Vlorë, ku fitoi disa grada deri në kapiten i parë dhe falë disa gjuhëve të huaja që ai zotëronte, si: turqisht, greqisht, frengjisht, italisht dhe anglisht, punoi përkthyes deri në vitin 1917 dhe si arkëtar i Prefekturës së Vlorës deri në 1919-ën. Nga viti 1918, babai ishte në rolin e arkëtarit të shoqërisë “Lidhja Djelmoshe” që kryesohej nga Petro Korçari si kryetar dhe Avni Rustemi, si sekretar. Në 1919-ën kthehet në Gjirokastër si arkëtar i Prefekturës dhe në 1920-ën, Qeveria e Sulejman Delvinës, e emëron kryesekretar të Prefekturës, me prefekt, Kol Tromarën.

Sa kohë punoi aty?
Në atë detyrë babai punoi deri në vitin 1922 kur dha dorëheqjen, pasi ishte i martuar e me fëmijë (kishte lindur motra e madhe, Shanishaja), dhe në atë kohë iku në Francë për të plotësuar studimet që i kishte ndërprerë në vitin 1914.

Dhe ku u diplomua…?
Me një bursë të fituar, pasi mori provimet e maturës franceze, (Bachelier) babai, për pesë vite ndoqi studimet e larta në Drejtësi dhe për Shkenca Politike në degën, Ekonomi dhe Financë, ku dhe u diplomua në vitin 1928. Gjatë asaj kohe që ndiqte studimet në Francë, ai kishte kontakte me emigranët shqiptarë që ikën nga Shqipëria pas ngjarjeve të fundit të vitit 1924, pra pas rikthimit të Zogut në pushtet, dhe kur vinte në Shqipëri për pushime, i dyshuar për këto kontakte, nga ana e autoriteteve shtetërore ai mbahej disa kohë nën vëzhgim. Në përfundim të studimeve, babai përgatiti një tezë mbi Marksizmin, të cilën ai e kritikonte në përgjithësi, por nuk arriti ta mbronte tezën, pasi iu ndërpre bursa dhe nuk u lejua më që të vazhdonte. Por gjatë qëndrimit në Paris, ai pati rastin të njihej me shumë emigrantë rusë, ku prej tyre dëgjonte dëshmi për tmerret e Revolucionit Bolshevik dhe të luftës civile, gjë të cilën atëhere as nuk do e mendonte kurrën e kurrës, se e ardhmja do t’i rezervonte të nëjtin fat.

Kur u kthye babai në Shqipëri dhe ku punoi?
Pasi mbaroi studimet, babai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe fillimisht punoi si avokat në Gjirokastër dhe po atë vit, në atë qytet u krijua Shoqëria “Dele”, me kryetar Bajo Topullin dhe sekretar, babain, Hasan Dostin. Qëllimi krijimit të asaj shoqate ishte të ndihmonin për zhvillimin e blegtorisë, aktivitet i cili në atë kohë ishte me shumë rëndësi për ekonominë kombëtare. Një vit më vonë, më 1929-ën, babai u emërua gjykatës në Berat dhe më 1931-in, emërohet ndihmës-anëtar i Gjykatës së Diktimit (Gjykata e Lartë) në Tiranë. Aty shërbeu deri në vitin 1932, kur kjo gjykatë nën drejtimin e Thoma Orollogait, u përfshi në një konflikt me autoritetet e larta shtetërore, për shkak se kjo gjykatë, rrëzoi si të bazë një vendim të gjykatës së Shkodrës, në dëm të pretenduesëve të pasurive të Vezirit të Shkodrës (Bushatllijve). Kjo gjë morri karakter politik dhe me propozim të Këshillit të Ministrave, Mbreti Zog, dekretoi pushimin nga puna të gjithë trupit gjykues të Diktimit, nga ku siç thashë u largua dhe babai

Ku punoi babai pasi u largua nga Gjykata e Lartë?
Babai u kthye në Berat për të ushtruar profesionin e avokatit, por pas pak muajve punë, po në vitin 1932, u arrestua duke u akuzuar si i implikuar në një organizatë të fshehtë kundër regjimit. Bëhet fjalë për “Lëvizjen e Vlorës”, ku u arrestuan dhe u dënuan me gjyq një numër i madh personalitetesh, si: Qazim Kokoshi, Skënder Muço, Myqerem Hamzarai, Hysni Lepenica, Dr. Seit Bilali, Dr. Tare Libohova, Murat Terbaçi etj., e deri biri i Ismail Qemalit, Seit Qemali.

Ç’farë ishte ajo organizatë dhe a ishte i implikuar vërtetë babai juaj, Hasan Dosti?
“Lëvizja e Vlorës”, është një histori e gjatë që nuk është vëndi të ndalemi këtu, por unë po u tregoj atë çka ka shkruar Dr. Tare Libohova, miku i ngushtë i babait, në një letër që ai i bënte Mbretit Zog nga Stambolli ku shkoi në emigrim pas daljes nga burgu, (fillimisht ishte i dënuar me vdekje), ku ndërmjet të tjerash, në analizën që ai i bënte asaj ngjarje që nga fillimi dhe deri te proçesi gjyqësor, i thoshte se: “Ajo “Lëvizje”, ishte më shumë si një pjellë e një fryt e fantazisë së Ministrit të Brendshëm, Musa Juka, një zell i tepruar i tij, për të fituar simpatinë dhe për të forcuar pozitën e tij personale tek Mbreti Zog”.

Sa vite u dënua babai dhe kur u lirua nga burgu?
Hasani u dënua me 15 vite burg, por vuajti vetëm rreth pesë vite, pasi ai u lirua në fundin e vitit 1935, me rastin e amnistisë që dha Mbreti Zog për nder të festës së 28 nëntorit, shpalljesë së Pavarësisë, ku u liruan dhe ata që ishin dënuar me vdekje./Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kardhiqi: 30/01/2020 18:56

    Familje e shkelqyer, i kane dhene gjithcka kombit, opozitare me te keqen ne cdo sistem, masone qe ne gjeneze. Por komunizmi ja ne kete tregim shfaq fytyren e vertete, i kane mbajtur me buke e si femijet e vete dhe ja shperblyen me burgje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur