Dëshmitë e miqve francezë që ndodheshin me Luis Miguel Varela Mendes, portugezin që mbeti i vrarë në Ksamil më 18 gusht, e rrëfejnë ngjarjen e asaj dite në një tjetër version nga ajo që është deklaruar deri më tani.
Sipas dëshmive të zbardhura nga Report Tv, dy djemtë thonë se ishin një grup prej rreth 7 vetash që po qëndronin në plazh kur u është afruar dikush që fliste frëngjisht dhe ka sharë nga nëna një prej turistëve. Përshkrimi i Adib Ghanmi korrespondon me David Heurtevent, alias Gjana, shqiptaro-britanikun që punonte në ‘Principotes’, por tani është shpallur në kërkim.
Në këtë moment ka nisur sherri dhe më pas ka ardhur një tjetër që sipas detajeve të dhëna nga dëshmitarët pasi përshkruajnë një djalë me flokë të gjatë, me veshje bezhë në të bardhë, duket të bëhet fjalë për Sokrat Vatën, i cili mbante thikë në dorë. Vata ka goditur njërin prej djemve në këmbë, ndërsa me mjetin prerës i ka marrë jetën Mendesit duke ia ngulur në zemër.
David Heurtevent, i cili raportohet të ketë goditur 20-vjeçarin me kokë, e ka shtyrë Ghanmi kur ky i fundit është përpjekur ta kapë, por ka rënë në ujë.
“Ne ishim shtatë shokë. Po festonim në klub ‘Principote’. Pasi mbaroi festa po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra. Ishte shqiptar, por fliste frëngjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: Pse shan? Nëna është e shenjtë. Ai më pas e goditi me kokë shokun tonë dhe, ne u futëm të gjithë në konflikt. Më pas erdhi një person, i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë në këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër. Në këtë moment, njerëzit nisnin të bërtisnin, dhe drejt nesh kanë ardhur rreth 10-15 veta security, të cilët nuk jam i sigurt nëse u futën në konflikt. Personin që qëlloi me kokë, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë", thotë Ghanmi.
Dëshmia tjetër, ajo e Ibraim Leimoeiv përforcon pretendimin se djemtë ishin jashtë klubit, në plazh kur Heurtevent është afruar duke fyer njërin prej tyre. Sërish, Sokrat Vata përshkruhet si personi që ka ardhur me thikë në dorë dhe ka goditur dy shokët e tij që për Miguelin rezultoi fatale.
Në momentin që i është treguar edhe fotoja, Leimoeiv ka identifikuar qartazi 29-vjeçarin si autor.
“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt. Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit. Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, thotë Leimoeiv.
Versioni i Ghanmi dhe Leimoeiv bie në kundërshtim me atë të dhënë një ditë më parë nga Sokrat Vata në gjykatë, i cili pretendoi se është sulmuar nga turistët. Sipas Vatës, sherri me ta nisi për shkak të zhurmës që po bënin brenda lokalit dhe turistët i sulmuan kur iu kërkuan të mbanin qetësi.
"Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal dhe po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, por ata nuk u bindën dhe filluan të na shanin. U afruam më pranë dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin”, tha Vata.
Më tej, autori tha se kishin dalë jashtë gjatë përleshjes, moment kur ka parë se njëri nga turistët kishte thikë. Ai pretendoi se nuk e mban mend si e ka goditur pasi ishte në shok për shkak të agresionit të tyre, por gjithçka ka ndodhur instinktivisht dhe në përpjekje për t’u vetëmbrojtur.
"Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri prej tyre kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment, dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar dhe ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj se si e kam goditur, pasi isha nën shok. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka pretenduar ai.
Në përleshjen me turistët u përfshinë edhe kamerierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi, Murat Zhabina dhe Ervis Bunci, si dhe truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj dhe Romeo Shehu (të dypunësuar pa leje pasi punonin në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve dhe Policinë Bashkiake) dhe Kristi Kosho.
Pronari i ‘Principotes’, Bekim Bulica, ndodhej në lokal kur ndodhi ngjarja, por u zhduk dhe tani është në kërkim.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Sokrat Vata
Ibraim Leimoeiv, një nga francezët që shoqërohej me portugezin Luis Miguel Varela Mendes që u vra në Ksamil, ka deklaruar në dëshminë e tij se me shokët kanë qenë në disko klub ‘Principote’ dhe po festonin, më pas kanë dalë dhe kanë shkuar tek shezlonget të gjithë së bashku.
Dëshmia e tij ngjason me atë të Adib Ghanmi, një tjetër francezi në grupin e tyre pasi thotë se një person ka ofenduar në frëngjisht nga nëna, shokun e tyre. Aty ka nisur konflikti ku u përfshinë dhe të tjerë, kur ai ka parë Sokrat Vatën të qëllojë me thikë dy prej tyre, siç pretendoi edhe Ghanmi. Njëra prej goditjeve ishte fatale për portugezin 20-vjeçar. Leimoeiv i ka vënë bluzën e tij në plagë shokut, ndërsa para hetuesve ka identifikuar Vatën si njeriu që vrau të riun.
“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt.
Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit.
Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, është shprehur Leimoeiv.
I pyetur nëse e njeh personin, i cili goditi me thikë, ai u përgjigj që nëse e shikon mund ta dallojë dhe pasi i është vënë përpara fotoja e Sokrat Vatës, ai e ka njohur dhe ka deklaruar se ky ishte personi që kishte thikën dhe kishte goditur shokun e tij.






Komente
Komento