Gjithçka në Ksamil ka ndodhur pasi festa në klubin e natës në strukturën luksoze ‘Principotes’, kishte përfunduar. Grupi i të rinjve të huaj, mes të cilëve dhe portugezi 20-vjeçar Luis Miguel, kishin dalë në zonën e plazhit.

Sipas dinamikës të ndërtuar nga Report Tv, këtu ata kanë nisur të debatonin me zë të lartë me një tjetër grup francezësh.

Në mesin e kësaj situate me tone të ngritura, në skenë hynë punonjësit e “Principote”, pritësit e turistëve (hostess) David Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanike dhe më pas Sokrat Vata.

Dëshmitë e shokëve francezë të portugezit, të siguruara nga Report Tv i përshkruajnë kështu këto momente që u bënë shkak i sherrit që do të përfundonte tragjikisht.

“Ne ishim shtatë shokë. Po festonim në klub ‘Principote’. Pasi mbaroi festa po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra. Ishte shqiptar, por fliste frëngjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: Pse shan? Nëna është e shenjtë. Ai më pas e goditi me kokë shokun tonë dhe, ne u futëm të gjithë në konflikt”, thotëë Adib Ghanmi.

Përshkrimi i tij, sipas hetimit, korrespondon me atë të David Heurtevent, i shpallur në kërkim.

Edhe turisti tjetër Ibraim Leimoeiv, po francez, jep të njejtën dinamikë, por rrëfimi i tij duket se implikon Heurtevent-in në plagosjen me thikë të një shoku tjetër, Tourpal Khitaev, përpara se të goditej Luis Miguel.

“Ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt”, thotë Ibrahim Leimoeiv.

Por vetë Tourpal, përshkruan Vatën si personin që e ka plagosur atë.

“Dalin dy veta, të cilët ishin punonjës të lokalit dhe na thonë që mos bërtisni se punojmë këtu! Njëri prej tyre, i veshur me rroba të bardha të shkurtra me pak mjekër, flokë geshtenjë më tërheq nga krahu. Ai kishte thikën në dorë dhe më goditi mua në këmbë. Më pas ju bërtiti të gjithëve dhe iu thotë që mos bërtisni. Ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë ju pergjigja duke e goditur. Unë pas kam rënë në shezllong dhe ai po vazhdonte të më godiste”, thotë Tourpal Khitaev.

Dëshmitë e tre shokëve të portugezit, përputhen për rrethanat e momentit të vrasjes dhe përshkrimin e Sokrat Vatës si personin të cilin e kanë parë me një thikë në dorë.

“Më pas erdhi një person, i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër”, dëshmon Ghanmi.

Dëshmitë e dy francezëve të tjerë janë të ngjashme, por ata thonë se nuk e kanë parë çastin e vrasjes.

“Kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas ju drejtua Louis Miguel-it. Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Louis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, thotë Leimoeiv.

“Luisi Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin dhe më pas unë kam parë që shoku im i cili u vra, po konfliktohej me dy-tre persona me bluza të zeza ndërsa personi me bluzë të bardhë, i cili mbante thikën në dorë po na kërcënonte. Njëri prej tyre me ka kapur dhe më ka larguar nëpër shezlonge. Kur jam kthyer kam parë personin, i cili ishte me të bardha që hoqi këmishën ku në të dallohej që ishte me gjak dhe po largohej drejtim rrugës”, është versioni i Khitaev.

Si Leimoeiv ashtu dhe Tourpal, e kanë identifikuar këtë person si Sokrat Vatën, pasi hetuesit u kanë vënë përpara fotografinë e tij.

Në përleshjen me turistët u përfshinë edhe kamerierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi, Murat Zhabina dhe Ervis Bunci, si dhe truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj dhe Romeo Shehu (të dypunësuar pa leje pasi punonin në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve dhe Policinë Bashkiake) dhe Kristi Kosho.

Pronari i ‘Principotes’, Bekim Bulica, ndodhej në lokal kur ndodhi ngjarja, por u zhduk dhe tani është në kërkim.

Gjykata vendosi mbajtjen e Vatës në qeli nën dyshimet për vrasje me dashje. Arrest me burg u dha dhe për 5 persona të tjerë të përfshirë, dy turqit dhe 3 kamarierë, ndërsa për 5 truproje detyrim paraqitje.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Sherri që i parapriu vrasjes së portugezit në Ksamil, shoku i tij: Vata doli me thikë në dorë, më goditi në këmbë! Hoqi këmishën me gjak dhe iku drejt rrugës

1787143157_sokratvata.png

Sokrat Vata

Tourpal Khitaev, një tjetër nga turistët francezë që shoqërohej me portugezin Luis Miguel Varela Mendes, ka deklaruar përpara hetuesve se kanë qenë tek klub ‘Principote’ duke festuar dhe pasi kanë mbaruar kanë dalë nga klubi dhe kanë zbritur shkallet duke qëndruar tek shezlonget e plazhit.

Khitaev dhe Ibrahim Leimoeiv po qëndronin pak të veçuar nga të tjerët, kur 3 persona me ngjyrë i kanë thënë të ziheshin si burra. Një djalë pranë tyre ishte i dehur dhe bërtiste. Dy persona dolën më pas nga lokali, një prej tyre Sokrat Vata që mbante thikën në dorë. Vata ka goditur Khitaev me të në këmbë dhe ka thirrur që mos të bërtasin.

Pasi e ka sharë nga nëna dhe janë përplasur me fjalë, e ka kapur për fyti, e ka goditur me kokë në fytyrë dhe janë përleshur. Edhe kur Khitaev ka rënë në shezlong, goditjet kanë vijuar. Portugezi 20-vjeçar, shokët e tyre dhe persona të tjerë u përfshinë. Momenti i fundit që Khitaev ka parë Mendesin ishte kur ky i fundit po grindej me dy të tjerë, më pas vetë ai është larguar.

Kur është kthyer ka parë Vatën që e ka identifikuar me foto, që po hiqte këmishën me gjak dhe po largohej nga rruga. Ai pohon se nuk ka parë momentin kur Vata ka vrarë shokun e tij.

“Kam qenë me shokun tim Ibrahim dhe po bisedonim, ndërsa shokët e tjerë qenë më larg. Aty pranë kanë qenë dhe tre persona me ngjyrë të cilët na thanë që zihuni si burra, por unë u thashë se nuk po ziheshim dhe të shikonin punën e tyre se ne po bëjmë shaka. Aty pranë ka qenë dhe një djalë tjetër, i cili ishte i dehur dhe po bërtiste.

Në këtë moment dalin dy veta, të cilët ishin punonjës të lokalit dhe na thonë që mos bërtisni se punojmë këtu! Njëri prej tyre më tërheq nga krahu i veshur me rroba të bardha të shkurtra me pak mjekër, flokë gështenjë, i cili kishte thikën në dorë dhe që më goditi mua në këmbë. Më pas iu bërtiti të gjithëve dhe iu thotë që mos bërtisni. Unë i them që nuk jam unë personi që bërtisja dhe ishin të tjerë, por ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë iu përgjigja duke e goditur. Unë më pas kam rënë në shezlong dhe ai po vazhdonte të më godiste.

Aty erdhën dhe disa persona të tjerë dhe po na godisnin dhe shokët e mi u futën në konflikt. Luisi Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin dhe më pas unë kam parë atë që shoku im që u vra, po konfliktohej me dy-tre persona me bluza të zeza ndërsa personi me bluzë të bardhë, i cili mbante thikën në dorë po na kërcënonte. Njëri prej tyre më ka kapur dhe më ka larguar nëpër shezlongë.

Kur jam kthyer kam parë personin, i cili ishte me të bardha që hoqi këmishën ku në të dallohej që ishte me gjak dhe po largohej në drejtim të rrugës.

Unë nuk e kam parë momentin kur e ka goditur me thikë shokun tim Luis Miguel”.

I pyetur se a njihte personin, i cili mbante thikën në dorë dhe që e kishte goditur në këmbë ai është përgjigjur që “po” dhe pas paraqitjes së fotos së Sokrat Vatës, ai ka deklaruar që ai është personi i cili mbante thikën në dorë dhe që e ka goditur dhe atë.

Ora 11:49
Shoku i turistit të vrarë në ‘Principotes’ në Ksamil: Njëri me flokë të gjatë dhe thikë goditi Miguelin, unë i vura bluzën në plagë! Identifikon Sokrat Vatën

1787143064_sokratvata.png

Sokrat Vata

Ibraim Leimoeiv, një nga francezët që shoqërohej me portugezin Luis Miguel Varela Mendes që u vra në Ksamil, ka deklaruar në dëshminë e tij se me shokët kanë qenë në disko klub ‘Principote’ dhe po festonin, më pas kanë dalë dhe kanë shkuar tek shezlonget të gjithë së bashku.

Dëshmia e tij ngjason me atë të Adib Ghanmi, një tjetër francezi në grupin e tyre pasi thotë se një person ka ofenduar në frëngjisht nga nëna, shokun e tyre. Aty ka nisur konflikti ku u përfshinë dhe të tjerë, kur ai ka parë Sokrat Vatën të qëllojë me thikë dy prej tyre, siç pretendoi edhe Ghanmi. Njëra prej goditjeve ishte fatale për portugezin 20-vjeçar. Leimoeiv i ka vënë bluzën e tij në plagë shokut, ndërsa para hetuesve ka identifikuar Vatën si njeriu që vrau të riun.

“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt.

Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit.

Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, është shprehur Leimoeiv.

I pyetur nëse e njeh personin, i cili goditi me thikë, ai u përgjigj që nëse e shikon mund ta dallojë dhe pasi i është vënë përpara fotoja e Sokrat Vatës, ai e ka njohur dhe ka deklaruar se ky ishte personi që kishte thikën dhe kishte goditur shokun e tij.