“Kur unë isha vetëm pesëmuajshe, na morën në shtëpi, na hipën në një makinë dhe na çuan fillimisht në kampin e Beratit. Nënës i thanë që motivi i internimit ishte pikërisht babai i arratisur, i cilësuar si tradhtar i atdheut. Në këtë kamp famëkeq dërgonin familjet më elitare të vendit, dhe që ishin rrezik serioz për regjimin e asaj kohe. Kaluam muaj të tërë së bashku me nënën e vëllain. Ndërsa motra e madhe ishte e martuar me një shtetas italian dhe ajo qëndroi në Tiranë. Në kamp, nëna më ushqente me qumështin e gjirit, sepse ky ishte ushqimi i vetëm”.
Kështu shprehet në një intervistë ekskluzive për ne, Rudina Dema, e bija e kolonel Hysni Demës, ish-ushtarak i lartë i periudhës së Monarkisë së Zogut me gradën e kolonelit, i cili pasi shërbeu në funksionin e komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Shqiptare në vitet 1943-’44, me mbarimin e Luftës, u detyrua që të largohej nga Shqipëria, duke u vendosur fillimisht në Greqi, e më pas në Belgjikë, etj., ndërsa e gjithë familja e tij, u burgos dhe u internua, deri në vitin 1991, kur dhe u shemb regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Për të gjitha këto, etj., na njeh me intervistën e saj, Rudina Dema, njëra nga vajzat e kolonelit të njohur, me origjinë nga fshatrat e Peshkopisë.
Znj, Rudina, cila është historia e juaj dhe e familje
Unë jam e bija e Hysni Demës. Im atë ishte kolonel dhe komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shkak se në vitet 1944-1945, u organizuan disa kryengritje të armatosura antikomuniste, sidomos në zonat veriore, dhe një prej tyre edhe në Dibër, vendi i origjinës së tim eti, babai u shënjestrua si organizator i tyre.
Në atë kohë, pra pas mbarimit të Luftës, ne jetonim në një shtëpi në Tiranë dhe një nate trokasin në derë një grup partizanësh, të cilët nxjerrin jashtë time më, shtatzënë me mua, të veshur me rrobat e gjumit, në mes të rrugës, së bashku me vëllain e vogël. Nga presioni emocional dhe goditjet që pësoi, disa ditë më pas, ajo më lind mua, në banjën e shtëpisë…!
Kur unë isha vetëm pesëmuajshe, na morën në shtëpi, na hipën në një makinë dhe na çuan fillimisht në kampin e Beratit. Nënës i thanë se; motivi i internimit, ishte pikërisht babai i arratisur, i cilësuar si tradhtar i atdheut. Në këtë kamp famëkeq, dërgonin familjet më të njohura të vendit, të cilat konsideroheshin se rrezik serioz për regjimin komunist të asaj kohe.
Kaluam muaj të tërë së bashku me nënën e vëllain. Ndërsa motra e madhe, ishte e martuar me një shtetas italian dhe ajo qëndroi në Tiranë. Në kamp, nëna më ushqente me qumështin e gjirit, sepse ky ishte ushqimi i vetëm.
Sa kohë qëndruat në kampin e Beratit?
Kemi qëndruar rreth një vit në atë kamp. Nëna bënte punë nga më të vështirat dhe më të rëndomtat. Në anën tjetër, ajo duhet të më ushqente mua me gji dhe, ndërsa në mëngjes shkonte në punë, për mua kujdeseshin gratë e tjera të persekutuara, në atë kamp. Pas Beratit, episodi i internimeve do të vazhdonte në kampe të tjera, sigurisht me një kalvar të gjatë mundimesh e persekutimesh çnjerëzore.
Në cilin kamp përfunduat më pas?
Fillimisht na çuan në Kuçovë. Aty ime më thotë, që kujton dhimbjen më të madhe të punës së krahut. I detyruan të gjitha gratë, që të punonin me orare të zgjatura, për hapjen e fushës së Aviacionit të Kuçovës. Isha vetëm një vjeçe e pak, dhe nëna punonte me mish e shpirt, që të plotësonte normat e ditës dhe të stimulohej me ndonjë ushqim më tepër…! Pasi përfundoi ky projekt, na çuan në kampin e Porto-Palermos.
Ishte si një kullë në majë të një kodre të lartë e, që kufizohej nga male në të katërt anët. Në kala, rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë. Dritaret ishin shumë të vogla. Ambienti ishte gjithmonë në terr, lagështirë. Për të fjetur, si dyshek kishim rrasat e gurit, pinim ujë të kripur dhe me krimba, nga pusi që ishte në hyrje të kalasë.
Familjet më të njohura të vendit, të ish-funksionarëve të lartë që nga koha e krijimit të shtetit shqiptar dhe më pas, ishin internuar në atë kamp, si: familja e Gjon Marka Gjonit, vjehrra e ish-deputetes e krye-parlamentares Jozefina Topalli, Maria dhe vajza e saj, Suzana Topalli, xhaxhai i Jozefinës, Nush Topalli, etj. Maria me të bijën, më kanë rritur dhe janë kujdesur ditë të tëra për mua.
Çfarë lloj përkujdesjeje ofronte familja Topalli, kundrejt jush?
Bëhet fjalë për vitet 1946-1950, isha afërisht pesë vjeçe. Duke qenë se isha ende një vajzë e vogël dhe nëna duhet të largohej për në punë që herët në mëngjes, kujdeseshin gratë e tjerë të persekutura për mua, siç ishte familja Topalli. Nëna shkonte në këmbë në mal dhe mblidhte dru, të cilat i mbante në kurriz. Ditë për ditë ishte thuajse kjo lloj pune, dhe të tjera punë krahu, që kryheshin nëpër fusha të hapura.
Mbaj mend që, kur vinte nëna nga puna, më sillte lëndë dushku, një lloj kokrre të ngjashme si gështenja, që ajo më pas i piqte dhe m’i jepte për të ngrënë mua, apo vëllait. Shpeshherë ato na sëmurnin, sepse ishin të destinuara për konsum nga kafshët (sidomos për derrat) dhe jo për ne.
Por në ato kushte mbijetese, duhet të gjendeshin forma nga më të ndryshmet, për të jetuar. Ndërsa Maria Topalli, me të bijën, kujdeseshin për mua, njësoj sikur të më kishin pjesëtaren e tyre të familjes. Më ushqenin, më vishnin e më ndërronin.
Si ndodhi më pas që të liruan?
Nëna më thoshte shpesh, duke më arsyetuar edhe situatën në të cilën gjendeshim, se për sa kohë që Hysniu, babai, nuk ishte bërë më i gjallë e nuk kishte organizuar kryengritje të tjera, nuk cilësohej më i rrezikshëm për regjimin komunist.
Me rritjen time në kamp, si fëmijë që isha, edhe mund të më lironin, sepse nuk përbëja rrezik. Ndërsa nënën, nuk e lejuan. Kur unë isha rreth gjashtë vjeçe e gjysmë, më liruan nga kampi i Porto-Palermos.
Mamaja më kishte ngjitur emrin tim, në një letër poshtë fustanit që kisha veshur. Dhe ashtu, më lëvizin prej andej dhe më sjellin në Tiranë, ku gjendej motra ime e madhe. Nënën dhe vëllain, rreth 14 vjeç asokohe, nuk i lejuan të lëviznin, ata vijuan të ishin të internuar në kamp.
Njerëzit që më shoqëronin, më lanë në Tiranë, dhe nuk kam për ta harruar asnjëherë, një dyqan të një zanatçiu krutan, që ishte ngjitur me shtëpinë tonë të vjetër, i cili më sheh duke qarë, dhe më afrohet për të më ndihmuar.
Unë i tregova letrën që nëna më kishte fshehur poshtë fustanit dhe nuk vonoi shumë, që punëtori të më çonte në derën e shtëpisë së vjetër, ku jetonte ime motër, me të shoqin. Pasi më përqafoi dhe të dyja u ngashëryem në të qara, menjëherë më mori përdore dhe më dërgoi tek një berber, i cili më qethi tullac. Më pas, më nxori në oborr të shtëpisë, më zhveshi lakuriq dhe më lau me ujë të ngrohtë.
Duke iu gëzuar realitetit dhe vijueshmërisë së ditëve, besova se ferrit i kishte ardhur fundi, por në fakt isha gabuar rëndë. Arratisja e vëllait tim, Sazanit, nga kampi i Porto-Palermos, do të më kushtonte shumë. Këtë herë do të rikthehesha bashkë me motrën, Majlindën.
Ju u rikthyet sërish në kamp internimi, pas thuajse dy vitesh. Këtë herë çfarë, kishte ndryshe?
Arratisja e Sazanit nga kampi i Porto-Palermos, kishte gjunjëzuar keqas edhe nënën, të cilën e kishin varur me kokë poshtë, në hyrje të kalasë. E kishin lënë për ditë të tëra jashtë, në të ftohtë, sepse i kërkonin të dëshmonte për arratisjen e të birit, ata dyshonin se mos ai, ishte arratisur për t’u bashkuar me babanë në male dhe për të vijuar lëvizjen e rezistencës antikomuniste.
Disa ditë më vonë, njerëz të Sigurimit të Shtetit vijnë në shtëpinë e motrës, atje ku më kishin lënë dhe më marrin sërish, për të më çuar në kamp, e për t’u bashkuar me nënën, të cilën në formë dënimi, e kishin zhvendosur nga kampi i Porto-Palermos, në Savër të Lushnjës. Unë isha e vogël, rreth shtatë vjeçe e gjysmë, por nuk kam për ta harruar kurrë, fytyrën e nënës, lotët dhe përqafimin e saj, pas ribashkimit tonë në ato kushte.
Duke qenë se e konsideroja veten disi më të rritur, fillova edhe unë punë në fushë. Mblidhja kallinj gruri, punoja për të plotësuar normën, nga mëngjesi në darkë. Ndërkohë që disa njerëz zemërgjerë më jepnin dorë, duke më ndihmuar.
Ditët kalonin, unë rritesha në kamp, dhe jeta jonë ishte po e njëjta mynxyrë. Gjatë kësaj kohe, kisha nisur edhe shkollën tetëvjeçare. Shkoja këmbëzbathur, për të ndjekur ato pak orë mësimi dhe kthehesha në fushë, për të mbledhur kallinjtë e grurit.
Lëvizjet dhe jeta juaj atje ishte e kontrolluar, por çfarë kujton ndonjë episod të veçantë që të ka mbetur në mendje?
Kaluan thuajse 20 vite në kampin e Lushnjës. Bashkë me nënën dhe motrën, jetonim atë përditshmërinë aty, me punë, dhe shpesh ndonjë përpjekje e cunguar, për shkollim. Rreth viteve 1970, njerëzit e Sigurimit aty brenda në kamp, ia kishin frikën ndonjë revolte të mundshme dhe acarimit të situatave.
Ndaj na spostuan nga Savra, në Belsh të Elbasanit. Na ri internuan, në një kamp tjetër, me kushte më të vështira dhe më të mbyllur, për nga ana e sigurisë. Për të pestën here, do të përjetoja një tjetër eksperiencë të hidhur, duke shkelur në kampin e radhës, që për fat do të rezultonte dhe i fundit.
A është e vërtetë që në Belsh, të internuan vetëm ty dhe motrën, ndërsa nëna juaj, Vasfia, mbeti në Savër?
Po, është e vërtetë dhe kjo është pjesa më e dhimbshme. Ne dy vajza të reja, që na marrin dhe na degdisin në një tjetër zonë të panjohur. Nëna nuk erdhi me ne dhe unë kurrë nuk e mësova arsyen, se pse ajo nuk u lejua që të bashkohej me ne. Vetëm një vit më vonë, mësuam se nëna ndërroi jetë në atë kamp, ndërsa ne bijat e saj, nuk patëm mundësi, as që t’i hidhnim një grusht dhe…!
Nisëm të punonim në një kooperativë bujqësore. Punoja me kazmë gjithë ditën dhe duart më kullonin gjak. Pas thuajse 30 vitesh të kaluara, duke lëvizur nga njëri kamp në tjetrin, në fillim të viteve ’80-të na lirojnë. Tashmë isha pa nënë, e cila më vdiq në kampin e Lushnjës, pa baba, të cilin nuk e kisha njohur kurrë, përveçse e kujtoj portretin e tij, të vagullt, pa vëlla, i cili ishte arratisur në moshën 14-vjeçare dhe, siç mësova më vonë, ai përmes Jugosllavisë, me pasaportë false, ishte arratisur për në Gjermani.
Aty ishte martuar me një shtetase gjermane, kishte studiuar në një akademi ushtarake, nga më të njohurat në Gjermani dhe, pasi ishte vlerësuar me grada ushtarake, ka marrë pjesë në luftën e Vietnamit. Motra, menjëherë pasi dolëm nga kampi, vazhdoi jetën e saj, duke u rimartuar sërish, ndërsa fëmijëria dhe rinia ime, u ngrysën në dyert e atyre kampeve famëkeqe.
Çfarë të ka mbetur sot për të kujtuar nga e kaluara jote?
Vetëm dhimbje dhe ditë të vështira. Fëmijëria ime, pa fëmijëri dhe rinia që më kaloi, në punë krahu të rëndomta. Mbeta pa prindër, pa vëlla, për të cilin ende sot, më djeg shpirti. Ai jeton prej shumë vitesh në Amerikë dhe, që prej shkëputjes sonë nga kampi, nuk kemi mundur të takohemi dot.
Pas daljes nga kampi i Elbasanit, erdha në Tiranë dhe përmes disa njohjeve familjare, fillova punë në Kombinatin e Tekstilve “Stalin”. Në moshën 38-vjeçare, u martova me shkuesi dhe nga kjo martesë, sot kam një vajzë. Memorie.al
Ky kolonel svkollë si Ahmeti për ushtarak ka bërë?Guri irënd në vënd të vetë,kur iku përse ju la?A mos vallë mendoj vetëm për kokën e vetë??
Përgjigju