Dëshmia: Ju tregoj anën e panjohur të ngjarjeve të 2 prillit 1991, në qytetin e Shkodrës, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën 97 të pafajshëm

Dëshmia: Ju tregoj anën e panjohur të ngjarjeve të 2 prillit 1991, në qytetin e Shkodrës, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën 97 të pafajshëm

Foto e shkëputur nga protesta e 2 prillit

2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë për të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”).  Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.

***

Më 31 mars 1991, ishin zgjedhjet e para pluraliste mbas vitit 1945, që u lejuan dhe u pranuan të bëhen nga Partia e Punës (ish Partia Komuniste). Nën presionin e ‘Lëvizjes Antikomuniste të 14 Janarit 1991’, të zhvilluar në Shkodër, heqja e bustit të Stalinit, ‘Protestat e Kavajës’, ‘Lëvizja Studentore’ dhe pranimi i pluralizmit partiak, më vonë kemi ‘13 Dhjetorin 1990’, heqja e bustit të Enver Hoxhës në Shkodër, etj. Me gjithë kohën e shkurtër për përgatitjen e zgjedhjeve, në Shkodër ishte forcuar mendimi se, humbja e komunizmit ishte e padiskutueshme.

Mëngjesi i 1 prillit ’91, më gjeti me Besnik Komin, bashkanëtar në Komisionin e Votimeve në rrethin e Shkodrës, ku u informuam se, rezultati ishte, humbja e plotë e Partisë së Punës, e cila kishte fituar vetëm me 3 deputetë, kurse Partia Demokratike, plot 16 deputetë. Ky rezultat, edhe për faktin, se rrethi i Shkodrës, për arsye dhe rrethana që tashmë janë të njohura, ishte absolutisht i djathtë. Rastësisht, dëgjuam se, korrespondenti i RAI-t nga Tirana, në 7 të mëngjesit, informoi se, Partia e Punës, ka fituar 62 % të votave. Për opinionin masiv të Shkodrës, kjo ishte e pabesueshme!

Rezultatin e zgjedhjeve, RAI, e përsëriti disa herë në lajmet e tij. Kjo bëri, që, një pjesë e popullit, u grumbulluan para selisë së degës së Partisë Demokratike të Shkodrës, te ish-Muzeu Ateist dhe aty kërkuan informacion të saktë. Në këtë kohë, në katin e dytë të asaj godine, doli një aktivist i PD-së, Eduart Përjaku, por njerëzit kërkuan me insistim, që të dilnin drejtuesit e PD-së. Mbas pak kohësh pritje, erdhi sekretari i degës së PD-së, Xhemal Uruçi, por edhe këtë njeri, nuk e pranuan. Pas një ore, në një nga dritaret të katit të dytë, doli Azem Hajdari, i cili kishte dalë deputet fitues në Shkodër dhe natën e zgjedhjeve, kishte fjetur në Shkodër. Azemi filloi të tregojë se, Partia Demokratike e Shqipërisë, kishte fituar në qytetet në mbarë vendin dhe rezultati është pranuar.

Publiku filloi të dyshojë, duke thënë: “Kur i numëruan kaq shpejt këta”, kur dihet infrastruktura e prapambetur e asaj kohe. Atëherë, filloi përplasja e njerëzve në bisedë e debatet, duke ju kundërvënë, Azem Hajdarit: “A e di çdo të thotë fitore e komunistëve?! Do të fillojnë me arrestu, siç kanë arrestu më 14 Janar ’90-të, në demonstratën për heqjen e bustit të Stalinit) dhe 13 Dhjetor ’90-të, për heqjen e bustit të Enver Hoxhës para Komitetit Ekzekutiv, ku nuk kishte asnjë punonjës në zyrë, rreth orës 14:00-15:00 ”.

Në këto debate me Azem Hajdarin, i cili fliste nga kati i dytë, pa mikrofon, njerëzit nuk u bindën dhe me dyshim u larguan të pakënaqur. Pesëdhjetë metra më larg këtij vendi, ku kishte qenë busti i Stalinit, ndodhej Dedë Kasneci, i cili kishte dalë pak ditë para nga burgu, një ndër protagonistët kryesor për heqjen e bustit të Stalinit, i dënuar me dymbëdhjetë vite burg.

Atëherë turma që ishte aty, filluan thirrjet kundër komunizmit duke rrethuar Dedën e duke e hedhur përpjetë e brohoritur “Rroftë Deda”! “Poshtë Komunizmi”, “Enver Hitler”! “Liri Demokraci”, etj. Turma u shtua dhe po shumëfishohej, duke u drejtuar drejt godinës së Komitetit të Partisë së rrethit. Nga ora 11.00 e paradites, deri në orën 23.00, të darkës vonë, populli që kishte dalë në shesh, nuk lëvizte prej aty, duke ndenjur ulur, në gjithë ditën e datës 1 Prill.

Në orën 23.00 të darkës vonë, bashkë me bashkëshorten time, Safetin, kam qenë tek dera e sallës së leksioneve të Komitetit të Partisë, ku Eduard Përjaku, i degës së PD-së si dhe Shefi i Policisë së Degës së Brendshme, na bënë thirrje, që ta mbyllim protestën dhe të vijmë nesër. Pas kësaj thirrje, njerëzit u shpërndanë. 2 Prilli më gjeti në punë. Sa filluam punë, rreth orës 8:00, u dëgjuan bataret e armëve. Atëherë ne lamë punën, e nxituam gjithsecili me vrap, me shku pranë fëmijëve nëpër shkolla.

E vërteta ishte se, nxënësit e gjimnazit “Jordan Misja”, u kishin bërë thirrje gjimnazistëve të “29 Nëntorit”, (sot “28 Nëntori”) të dilnin në protestë. Nga informacionet që kishim, thuhej se, Policia kishte marrë urdhër, të sulmonte që në fillim, të gjitha grumbullimet e mundshme. Kështu, sapo u grumbulluan protestuesit, Policia ndërhyri dhe iu përgjigj me shkopinj gome, e më vonë me armë.

Kjo gjë shënoi dhe fillimin e përplasjes mes popullit të revoltuar dhe forcave të policisë. U vranë katër vetë dhe u plagosën disa të tjerë. Policia mori përforcime dhe e zmbrapsi turmën, dy-tre herë. Kjo gjë u duk disi e papritur, pasi një ditë më përpara, Policia ishte sjellë në mënyrë paqësore me protestuesit dhe nuk ka patur asnjë incident me forcat e policisë!

Gjatë kësaj kohe, qarkulloi lajmi se; ra Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë në Tiranë, kanë arrestuar Ramiz Alinë, Xhelil Gjoni u vu në krye të Partisë së Punës. Policia solli një automjet të blinduar (Diagaç) me municione, i cili u prish në rrugë, para “Kafe Rinia” në lagjen Parrucë. Disa arka me fishekë u shpërndanë në asfalt. Meqenëse Xhelil Gjoni, ishte i klanit të Hysni Kapos, populli sulmoi dhe nuk e pranoi. Një pjesë e popullit, kuptohet që paska patur besim tek Ramiz Alia.

Tek libri “Kujtime, Saga e Traboinëve”, Kolec Traboini, faqe 294 ka shkruara: “Unë shkova të bisedoj me shefin e Policisë te Komiteti i Partisë dhe i thashë: Çfarë bën? Ka rënë Komiteti Qendror dhe ti do të vritesh kot”?! Atëherë populli hyri në Komitet të Partisë. Policia braktisi objektin me urdhër dhe u shpërnda, pasi municioni kishte mbaruar. (Biseda me Kryetarin e Degës së Brendshme, Çapajev Taçi me Gjek Çela, faqe 87).

U dogj godina e Komitetit të Partisë. Pas Komitetit të Partisë, populli iu drejtua Bibliotekës së qytetit, e cila kishte libra me vlera dhe intelektualët shkodranë, i bënë thirrje popullit, duke i thënë se, biblioteka nuk mund të digjej se ka vlera historike. Atëherë, Drejtori i Bibliotekës, Skënder Beci, i ndaloi njerëzit edhe tha: “I qes unë librat e Enver Hoxhës”. Nxori dy a tre karroca, me veprat e Enver Hoxhës dhe gjendja u qetësua. Atëherë, populli mbarë, shkoi drejt godinës së Radio-Shkodrës.

Rrugës, kam parë nja dy karroca romësh, që kishin vjedhur orenditë e Komitetit të Partisë, si; kolltuqe të vjetër, perde, etj. Populli i ndali në Parrucë, i ktheu mbrapa, dhe këto u hodhën në zjarrin që ishte ndezur tek Komiteti i Partisë dhe u dogjën aty.

Më datën 2 prill, gjatë kësaj kohe, duke shkuar drejt Radio Shkodrës, (aty ku sot është monumenti i 2 Prillit), takuam Kryetarin e Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, një djalë trim, kurajoz edhe inteligjent. Ai na kërkoi që, të shkojmë, të flasim përpara Radio Shkodrës, në emër të Sindikatës që, duhet të ruhet Radio-Shkodra.

Kështu, bashkë me Besnik Komin, shkuam tek godina e Radio Shkodrës, ku populli ishte grumbulluar para saj. Protesta vazhdonte me thirrje kundër komunizmit. Tek dera, ishte një polic i dobët, prag të pensionit, i cili po ruante kot derën nga brenda se, s’kishte çfarë të bënte. Aty pashë Paç Bilalin, me një flamur pa yll e me qeleshe në kokë, që e valëvitte në ajër sa mundte.

Fola para protestuesve, në emër të Bashkimit të Sindikatave të Shkodrës dhe nuk lejuam njeri të dëmtonte Radio-Shkodrën.

Aty ishin dhe nja 7-8 ushtarë që, i kishin veshur me rrobe doku blu, si ato të policisë. Ato të shkretët, 19 vjeçar, po dridheshin nga frika dhe ne i morëm në mbrojtje. Pas kësaj, morëm takim me drejtorin e Radio Shkodrës, Gëzim Podgoricën dhe biseduam tek tryeza e kryeredaktorit, duke insistuar që të nxirrnim një mikrofon dhe t’i flasim popullit. Për këtë, na ndihmoi një teknik, Gajtani e kishte mbiemrin.

Pasi lidhëm disa copa telash, nxorëm mikrofonin stativ tek ballkoni (konsola e hyrjes në radio) dhe filluam t’i flisnim popullit që ishte grumbulluar para godinës së Radio-Shkodrës. Gjatë kësaj kohe, njerëzit donin të shkonin tek Dega e Punëve të Brendshme, për të liruar të burgosurit politik, shumica e të cilëve, ishin të arrestuar për ngjarjet e kaluara, si protestat e 14 Janarit ’90-të dhe 13 dhjetori ’90-të. Nuk dëgjoheshin armë më.

Mbas orës 23.00, u dëgjua një krismë arme. Unë kërkova, të bisedoj me Kryetarin e Degës, në telefon. Një punonjës operativ, i veshur civil, më afroi një radio-marrëse dore dhe bisedova direkt me të. E këshillova, duke i thënë shprehimisht: “Jam Tanush Mulleti, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura. Duhet të kesh shume kujdes se, gjakrat janë nxehur dhe po të vij populli tek Dega e Brendshme, do të shkojnë punët shumë keq”!

Ai m’u përgjigj: “Është një pensionit, një veteran i vjetër që ka gjuajt me armë dhe u mbyll ajo punë”. Pas kësaj, kemi folur me personalisht me nën kryeministrin e asaj kohe, Shkëlqim Cani, të cilit i shpjegova situatën dhe i kërkova që të jenë shumë të kujdesshëm se, gjakrat ishin nxehur dhe mund të kishte pasoja tragjike edhe më vonë, e nuk duhet të bëhej asnjë arrestim. Ai më premtoi se, nuk do të përsëritet më “13 Dhjetori”, “14 Janari”, etj., kur ishin bërë arrestime në darkë.

Gjatë kësaj kohe, kur ne po flisnim me popullin, rreth orës 12.00, erdhi nga Tirana urgjent, Azem Hajdari së bashku me Blerim Çelën, të cilët kishin dalë deputet të Shkodrës. Biseduam me to dhe i thamë që; duhet t’i flisnin popullit, se si do ruhej Shkodra në darkë që, mos të ketë vjedhje e shkatërrime në qytet e rrethina.

Po kështu, Besnik Komi, u thotë: “A i dilni zot popullit të Shkodrës se, tani jeni deputetë”. Azemi iu përgjigj: “Ne e duam pushtetin me votë”. Blerimi tha: “Këtu, nuk ka as tre ditë bukë”! Atëherë ne u thamë: “I flisni popullit”. Azemi doli tek ballkoni i Radio-Shkodrës, nëpërmjet një dritareje, për t’i folur popullit, tek mikrofoni statik. Gjatë fjalimit, kishte moskuptim me popullin, mbi mundësinë e arrestimit të protestuesve, mbi lirimin e të burgosurve politik në Degën e Brendshme dhe shkatërrimet që mund të ndodhnin në mbrëmje në qytet.

Azemi, mbeti keq. Kur hyri brenda, tek zyra e kryeredaktorit, i ra të si të fikët. Besniku, mori një broke ujë, ia lagu fytyrën dhe Azemi erdhi në vete e tha: “U bë e dyta herë që, nuk po merrem vesh me shkodranët”! Ferit Lluja, i tha: “Mor Azem, komunistët janë të pabesë. Me 14 janar kanë arrestuar rreth 300-400 vetë, me 13 dhjetor kanë arrestuar mbi 100 vetë”.

Ndërkaq, në këtë situatë, Besnik Komi, shprehet: “Ne nuk kemi më çfarë të bëjmë këtu! Këta janë deputetë edhe t’i dalin për zot popullit”!  Bashkë me Besnikun edhe Ferit Llujën, u larguam nga Radio-Shkodra. Besniku mori me vete edhe shtatë a tetë ushtarë, që po dridheshin prej frike dhe i tha të hiqnin kapelet, xhaketat e rripat dhe i shoqëroi deri tek rrugica e “Kafes së Madhe”, tek Kulla e Kapidan Gjon Markagjonit. “Tani – u tha-  shkoni në Degë të Brendshme! Shkoni në repartin tuaj”! Edhe ne ikëm.

Në edicionin informativ të drekës, në Radio-Shkodra, u fol për lajmet me të rejat e asaj dite. Lajmet janë dëgjuar vetëm në qytetin e Shkodrës, për arsye se, Drejtori i Radios, Gëzim Podgorica, kishte ulur fuqinë e valëve të antenës nga 24 Kë, në 1 Kë. (Libri me kujtime i Shaqir Vukaj, faqe 83). Me këtë rast, drejtori, paska shkelur ligjin e informimit publik. Kishte filluar pluralizmi politik.

Pasdite, rreth orës 15:00, të datës 2 prill, në qytetin e Shkodrës, erdhën efektivët e Forcave Speciale nga Tirana, të cilët, menjëherë rrethuan vendin dhe morën në kontroll, godinën e Komitetit të Partisë, që tashmë ishte i djegur. Sipas një burimi të besueshëm, një instruktor në Komitetin e Partisë (K.), ka thënë se; ato kishin ardhur me qëllimin se, në bodrumet e Komitetit të Partisë, një vend shumë i sigurt si rifuxho, ka më shume se 200 armë, të vendosura aty për kohë lufte. Forcat Speciale, i kanë marrë armët dhe i kanë larguar nga aty dhe si rezultat, populli nuk i ka gjetur këto armë në atë kohë.

Ngjarjet e datës 3 Prill 

Më 3 prill, u organizua në mënyrë madhështore, ceremonia e varrimit të tre të vrarëve: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka. Arkivolet me trupat e tyre, u përcollën nga gjithë populli i Shkodrës, duke i shoqëruar në këmbë, nga qyteti i Shkodrës, deri në varreza, ku mbajtën fjalimet e rastit, Pjetër Arbnori dhe me lutjet fetare, Hafiz Sabri Koçi. Me iniciativën e Sindikatave të Pavarura, u shpall grevë dhe në orën 20.00, të datës 3 prill, u fikën gjithë dritat e qytetit, për 5 minuta, në shenjë respekti dhe nderimi, për të vrarët dhe të plagosurit e 2 Prillit.

Më 4 prill, kryesia e Sindikatës së rrethit të Shkodrës, vendosi krijimin e dy grupeve: a) Ferdinand Temali, kryetar i Sindikatës Shkodër, Tanush Mulleti, Besnik Komi edhe Myfit Tukiçi, do të merrnin takim me, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Tereza Marubi. b) Grupi i dytë, i përbërë nga Arben Borshi, sekretar i Sindikatës, së bashku me Frederik Radovanin, shkuan në Korpusin Ushtarak, për të falënderuar Komandantin e Korpusit, që nuk dha urdhër për të nxjerrë tanket kundër protestuesve. Në pritje me Tereza Marubin, ishin edhe nënkryetarët; Esma Ulqinaku edhe Lutfi Troshani, gjithashtu gjetëm edhe grupin e të Drejtave të Njeriut, me kryetar, Cin Jubani, N. Grezda edhe të tjerë.

Kryetari i degës së Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, paraqiti situatën aktuale edhe i kërkoi kryetares, Marubi, të prononcohen në Radio-Shkodra e në shtyp, për atë masakër që ishte bërë një ditë më parë, ku u vranë dhe u plagosën qytetarë shkodranë, të gjithë të rinj e të reja. Marubi u përgjigj: “Nuk mund të komandoj Degën e Brendshme dhe Policinë, nuk na dëgjojnë”. Unë iu drejtova: “Do të ishte mirë, që në këtë situatë, të dilni edhe të prononcoheni e të jepni dorëheqjen”.

Grupi i të Drejtave të Njeriut, me në krye Cin Jubanin, kundërshtoi dorëheqjen e Tereza Marubit. “Duam apo nuk duam ne, kjo ngjarje tejet e rëndë, ka ndodhur, kur kryetare, ka qenë Tereza Marubi”, u përgjigja unë. “Emri i Marubëve po keqpërdoret nga Partia e Punës”.  U ngrit nënkryetarja, Esma Ulqinaku dhe tha: “Edhe ne i kemi fikur dritat mbrëmë, 5 minuta, në orën 20.00”. Besniku i tha: “Shumë mirë keni bërë! Por përse nuk keni marrë pjesën në ceremoninë e varrimit?! Keni patur frikë nga populli i Shkodrës, apo nga Partia? Nuk do të kishte qytetar shkodran të ju prekte me dorë e, të ju fyente”.

Tukiçi u tregoi të pranishmëve se, ishte vrarë pabesisht edhe Nazmi Kryeziu, i cili kishte qenë bashkë me të. Mbas kësaj situate edhe këtyre bisedave, kryetari Temali, propozoi të mbyllnim bashkëbisedimin dhe u larguam, duke lënë grupin e të Drejtave të Njeriut, të vazhdonte bisedat me kryetaren. Nga mbledhja e këshillit të Sindikatës, u deklarua se; Sindikata do të ndjekë zbardhjen e krimit dhe dënimin e autorëve, pasi tre të vrarë, ishin anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.

Propaganda e Partisë së Punës, Radio-Televizioni, gazetat edhe në Parlament, tregonin variantin, ku thuhej: “Është djegur godina e Komitetit të Partisë dhe janë vrarë protestuesit”.

Ndërsa e vërteta, ishte krejt ndryshe. Ishin vrarë protestuesit fillimisht dhe më vonë, si kundërpërgjigje, nga turma e popullit të irrituar, është djegur godina e Komitetit të Partisë. Ky variant, u pranua më vonë, edhe nga Parlamenti Shqiptar me shumicën e majtë, të Partisë Socialiste. Me hapjen e punimeve të Parlamentit të ri pluralist, u kërkua një minutë heshtje, për vrasjet e 2 Prillit në Shkodër. Grupi i Partisë së Punës, nuk u çua në këmbë. Insistimi ynë, e detyroi Qeverinë e Partisë së Punës, të fillojë bisedat me Sindikatën e Pavarur në Shkodër.

Në selinë e saj, erdhi zëvendësministri I Punëve të Brendshme, Aredin Shyti, i shoqëruar nga nënkryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, Naim Reçi (sipas Aredin Shytit, Çapajev Taçi dhe Dilaver Papare, ishin izoluar). Në atë takim, Ferdinand Temali, në cilësinë e kryetarit të Sindikatës, u bëri një ekspoze ngjarjeve të 1 dhe 2 prillit, ku sindikalistët dhe anëtarët e kryesisë, morën pjesë në diskutim, duke u ndalur në fenomenin, se; më 1 prill, Policia ishte paqësore, kurse më 2 prill, u përdor që në fillim dhuna, shkopinjtë e gomës edhe armët.

Ndër të tjera, unë personalisht, thashë: “Ju sot keni vrarë veten me duart tuaja”! “Përse?!- tha, Aredin Shyti. “Bataret e armëve që, keni përdorur për të trembur protestuesit, na bënë, që ne, të lëmë punën dhe të shkojmë në shesh. Edhe varianti juaj, që, atë ngjarje e ka nxitur e inskenuar Partia Demokratike, me Azem Hajdarin në krye, nuk qëndron.

Azem Hajdari me Blerim Çelën, erdhën pas orës 12.00, nuk kanë fjetur në Shkodër atë nate. Edhe një natë më përpara, më datë 1 Prill, Azem Hajdari, ka ikur rreth orës 11.30 – 12.00. Po të ishte organizuar ajo gjë nga Partia Demokratike, Këshilli i Sindikatës do të ishte i gjithi në shesh”.

Edhe pas insistimit tonë, ata nuk na treguan se kush e ka dhënë informacionin e manipuluar, për ngjarjet e Shkodrës në Radio-Televizion (Muaj më vonë edhe gjatë hetuesisë, është vërtetuar se; deklaratën, informacionin, e ka dhënë kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi, së bashku me kupolën e Policisë, për më mbuluar gjurmët. A. Shyti faqe 150-151).

Afërsisht mbas dy javësh, një grup sindikalist, i përbërë nga: Arben Borshi, Sekretar, unë (Tanush Mulleti) dhe Skënder Strica, morëm një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Fatmir Kumbaro, të cilit, i kërkuam burimin e informacionit për ngjarjet e 2 Prillit. As aty nuk doli burimi i informacionit. Vazhdonte mashtrimi!

Në prill të vitit 1991, një grup i madh, përfaqësues të institucioneve shqiptare, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, profesor Aleks Luarasi (hetues, prokurorë, ministra, deputetë e të tjerë) u mblodhën në sallën e madhe të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, ku  u zhvillua një ballafaqim, ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, qytetarëve shkodranë, Partisë Demokratike dhe Sindikalistëve.

Grupin e PD-së, e drejtonte doktor Ali Spahia, grupin e Sindikatave, e drejtonte Ferdinand Temali, ku ishin edhe forca të tjera politike, bashkë me grupin e të Drejtave të Njeriut.

Profesor Aleks Luarasi, në krye të tavolinës, paraqiti ngjarjet e 2 Prillit, sipas variantit qeveritar. “Është djegur Komiteti i Partisë, më vonë janë vrarë e plagosur protestuesit”. Ai, u tregonte shkodranëve, se çfarë ka ndodhur në Shkodër. Në këtë situatë, me shumë takt e finesë, ndërhyn doktor Ali Spahia e, thotë: “Zoti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, kjo tregon se ju, nuk keni informacion të saktë”.

Ndërkaq, Prof. Luarasi, vazhdonte me avazin e variantit të Qeverisë. Doktor Ali Spahia, ndërhyri përsëri: “Zoti, Sekretar i Përgjithshëm, nuk je i saktë”! Luarasi përsëri, vazhdonte me të tijën. Ali Spahia, i tha: “Nuk është e vërtetë”! Luarasi përsëri vazhdonte në modelin e tij. Ali Spahia, u shpreh: “Kjo është një gënjeshtër e madhe, e krijuar në zyrat e errëta e institucioneve komuniste”. Luarasi vazhdonte prapë. Doktor Spahia i tha: “Zoti Sekretar i Përgjithshëm, është e turpshme për ju, si profesor, të paraqisni këtë manipulim monstruoz edhe kriminal, që ka ndodhur në Shkodër, ditën për diell, pasi, e gjithë Shkodra, e din të vërtetën. Nuk mbulohet dielli me shoshë”.

Ndërkaq, nga salla u dëgjua një zë: “Këta me rrena e kanë nisur tash 45 vjet, me rrena po e përfundojnë”. Ky ishte Fritz Radovani. “Nuk kemi çfarë të dëgjojmë! Pallavra”?!, -kështu tha dhe Ferdinand Temali. Dolëm përjashta, lamë mbledhjen e ikëm. Nuk kishim më se çfarë të bisedonim. E përfunduam detyrimin karshi Qeverisë. Kishte mbetur vetëm presidenti, Ramiz Alia. Një ditë prej ditësh, shkuam takuam presidentin Alia në Tiranë. Sindikata e Shkodrës, u kryesua nga Ferdinand Temali, (ishte edhe Eqerem Kavaja, nënkryetar i Sindikatave të Shqipërisë), anëtarë të Këshillit Presidencial si: Kiço Blushi, Rexhep Mejdani, Lufter Xhuveli, të cilët, i propozuan grupit të sindikatës: “Ndihmoni Presidentin, se e keni edhe shkodran”!

Ferdinand Temali, iu përgjigj: “Ju dhe presidentit, i ka dekë ora bashkë me Partinë Komuniste”. Ramiz Alia ndër të tjera tha: “Hetuesia edhe Prokuroria, pretendojnë që, nuk është bërë ekspertiza. E merrni ju përsipër zhvarrimin e tyre?! Ne do të mundohemi ta realizojmë këtë kërkesë”, I’u përgjigjëm ne. Ndërkaq, Ramiz Alia, i pranoi rrjedhën e ngjarjeve sipas variantit tonë, se kështu i kishte thënë edhe një kushëri i afërt i tij, që, e kishte parë (në majë të gishtave).

(Dy vite më vonë, në bisedë më Ramiz Alinë, ai më tregoi se, kushëriri i tij, ishte H.C.) Sipas Aredin Shyti, faqe 150-151, Ramiz Alia, e dinte të vërtetën e ngjarjeve se, pasi në informacionin e Degës së Punëve të Brendshme, ishte ndryshuar radha e episodit të ngjarjes. Ai informacion, ishte pasqyruar fjalë për fjalë, në komunikatën e Ministrisë Brendshme, i shpjegova se, renditja e gabuar, ka ardhur nga pakujdesia…”! “E po mbaje me shëndet”, tha Ramiz Alia. Gjatë diskutimeve në zyrën e Aleks Luarasit, gjeta kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame, Prokurorin e Përgjithshëm, Rrapi Mino, etj. Qemali lexoi deklaratën. Ndër të tjera, thoshte se; zvarritje e hetimeve, ishte faji i Policisë.

Presidenti Alia, u shpreh: “Ju (të Sindikatës), duhet të denonconi në Prokurori, që të hapet proçesi”. Mbas disa ditësh, grupi i ekspertëve, i përbërë nga profesor Meksi, doktor Çiço, doktor Troshani, Beci, e të tjerë, si dhe ekspertët e Qendrës së Kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme, krye-hetues, kryeprokuror të rrethit dhe të shtetit, filluan procesin e zhvarrimit të trupave të vrarë.

Për t’u bërë të besueshëm, kishin futur edhe dy përfaqësues të Partisë Demokratike, Fatmir Bërdica, ndërsa, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura, isha unë. Mbas zhvarrimit, Bujar Bishanakut, iu gjet plumbi në aortë. Plumbi ishte, sa një thua gishti. Atë plumb unë e kam mbajtur në dorë. Kameramanit të Ministrisë së Brendshme, një burrë ezmer dhe i shëndoshë, i ra të fikët. Nuk u filmua më. Mbaroi xhirimi me kamera. Disa fotografi, i kam bërë unë më pas, kur ka ardhur dikush tjetër, për të fotografuar, nga Kriminalistika. Memorie.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Shef i NATO-s, Mark Rutte viziton sot Turqinë ku do takohet me Erdogan dhe Fidan! Nesër do të jetë në Athinë

Shef i NATO-s, Mark Rutte viziton sot Turqinë ku do takohet me Erdogan dhe Fidan! Nesër do të jetë në Athinë