Dëshmia/ 'Kur Gjinishi ndërpreu Enverin, duke i thënë po ty kush ta ka dhënë të drejtën ta shesësh Shqipërinë, Mehmet Shehu nxori pistoletën...'

Dëshmia/ 'Kur Gjinishi ndërpreu Enverin, duke i thënë po ty kush ta ka dhënë të drejtën ta shesësh Shqipërinë, Mehmet Shehu nxori pistoletën...'

Aqif Selimi, nga Elbasani, ish – adjutant dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mustafa Gjinishit, para disa vitesh, kur ishte në moshën 83 vjeçare, i ftuar në një emision televiziv tregonte se, në Operacionin e Dimrit, pas shpartallimit të forcave partizane nga gjermanët, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dha urdhër që të gjithë partizanët e çetave, të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, (me leje), për t’u rikthyer në një kohë të pacaktuar, vetëm kur do ta shikonte të përshtatshme Shtabi i Përgjithshëm, në ilegalitet.

“Unë, – thoshte Aqif Selimi, – isha gjithë kohën prapa Mustafa Gjinishit, i cili komunikonte me të gjitha forcat ushtarake partizane, kundra pushtuesve. Me ballistët, zogistët, me këshilltarët anglezë dhe kryesisht me Shtabin e Përgjithshëm të Nacional-çlirimtares. Ai (Mustafai), nuk ishte komunist me bindje, por ishte atdhetar nacionalist dhe luftonte për çlirimin e vendit nga okupatorët.

Në Kongresin e Përmetit, (më 24 maj 1944), ai bëri atë që, deri më sot, nuk ka guxuar njeri nga pjesëmarrësit që ta tregojë. Për shkak të ndërhyrjes së Mustafait, gjatë kohës që zhvillohej Kongresi, mbledhja u ndërpre gati një çerek ore. Ndërprerja ndodhi, ndërkohë që Omer Nishani, po lexonte rezolutën me tre pika, e cila thoshte se:

Pikërisht kur po lexohej pika e tretë, Mustafa Gjinishi thërret nga mesi i sallës: “Stop!… Stop”! Gjithçka në sallë u mpi…! Gjinishi i drejtohet Enver Hoxhës, me gisht, duke i thënë:

– “Po ty, kush ta ka dhënë të drejtën, që ta shesësh Shqipërinë, mor’ tradhtar…?! Kush ta jep të drejtën, të pranosh kufijtë e saj të përgjysmuar, ëë”?!

Ndërkohë, ndërhyn Mehmet Shehu kundra Mustafait, duke e akuzuar për “shovinist”!… Ky (Gjinishi), nxjerr koburen dhe i përgjigjet menjëherë…! Edhe Mehmeti nxjerr koburen e tij me shpejtësi. Njiheshin dhe ishin trima të dy…!

– “Ti, kriminel, mbylle gojën!- i thotë Mustafai…! Sepse je i dënuar me vdekje, për vrasjen e 80 myzeqarëve të pafajshëm…! Por çfarë t’u bëj këtyre unë…”?! Dhe ndërkaq drejtohet nga Mugosha, Miladin Popoviçi dhe Myslim Peza…! Ndërhyjnë të gjithë, për të zbutur gjakrat…!

Ndërkohë, Mustafai priti që ta përkrahnin delegatët e tjerë, sidomos Koço Tashko dhe Sejfulla Malëshova. I kishte shumë miq. Por ata nuk u ndjenë…! Mustafa Gjinishi u largua nga seanca e Kongresit i zemëruar, gati me të gjithë…!

Konferenca miratoi vendimet e shpallura, sipas interesit të serbëve që e kishin organizuar atë…! Mustafai priti sa mbaroi konferenca dhe iu derdh Myslim Pezës, tek i cili kishte mbështetje dhe besim të madh:

– “A u binde tani… se ata të gjithë janë kundra Shqipërisë….se po realizojnë ëndrrën serbe për të zhvatur Kosovën”?! Por Baba nuk u ndie fare!

“Nga shënimet në bllokun e Mustafait, kam lexuar me sytë e mi, – tregonte Aqif Selimi në atë emision – se Myslim Peza ishte në një mendje me Mustafa Gjinishin, por ai asnjëherë nuk e mbështeti patriotin e flaktë, për çështjen e shqiptarizmës.

Edhe kur, pas ca ditësh, Mustafanë e lajmëruan se transferohej për në Veri, gjoja me shërbim të posaçëm, ai e paralajmëroi Myslim Pezën, duke e bërë me dije se, transferimi i tij për në Veri, po bëhej për qëllime të errëta…!

– “Po të gjeti gjë ty, – i tha Myslimi, – unë do ta çoj gjakun deri në gju të kalit…! Këtë duhet ta dinë mirë të gjithë, edhe Enveri me serbët që ka në Shtab…”!

“Megjithatë, Mustafai e respektoi vendimin e Shtabit të Luftës, u nis në Veri. Si gjithmonë, unë nuk i ndahesha atij asnjë sekondë, – tregonte në atë emision, 83 vjeçari Selimi. – E kisha porosinë edhe nga Myslim Peza, që ta ruaja Mustafanë. Sepse, thoshte ai: ‘E kemi si ujin e pakët, ndër shqiptarët që luftojnë për trojet tona’…!

Ndodheshim në Dibër, për organizimin e forcave partizane; ‘që do të marshonin për çlirimin e Kosovës…’! Papritur Mustafanë e thërrasin për të marrë pjesë në mbledhjen e komitetit, me kuadrot e lartë të çetave dhe brigadave. Ishte 20 shtatori i vitit 1944. Sapo mbërritëm në Maqellarë.

Mes kuadrove të grumbulluar, ndodhej edhe Hysni Kapo, i cili e ftoi, dashamirësisht, Mustafanë të jepte mendimin e tij, lidhur me diskutimin që po bëhej rreth personalitetit të Titos dhe fitores së popujve slave, kundra nazifashistëve…!

Mustafai, i cili i kishte dëgjuar një copë herë diskutantët, flakë i kuq në fytyrë tha: – “Po si nuk ju vjen keq për popullin shqiptar, që ka pesë vjet në luftë kundra okupatorëve, për çlirimin dhe bashkimin e vendit, ndërsa juve u hapet barku më shumë, për fitoren e pansllavizmit në botë…’?!

Të gjithë ulën kokën, pa guxuar t’i përgjigjej njeri…! Pas pak aty, mu afër nesh, kaluan si në parade, Enver Hoxha me Mehmet Shehun, me gjasë po shkonin për të marrë pjesë në organizimin e Brigadës së Katërt Sulmuese. Pas tyre u nisën edhe të tjerë…!

Me kujtohet si tani që, menjëherë, pas Mustafait, u nisën Ndreko Rino me Liri Gegën. Ai para, ata pas. Pa u futur ende mirë në pyll, u dëgjua një breshëri automatiku dhe, fill pas asaj breshërie, një partizan 17-vjeçar, duke dalë nga pylli, zbrazi automatikun në ajër, për të dhënë alarmin.

Së pari ai iu drejtua Ndreko Rinos dhe Liri Gegës, që gjoja po dilnin dhe ata nga pylli, duke u thënë se; Mustafan e vranë…! Vrapova edhe unë sapo dëgjova krismat, por ishte vonë. Mustafai dergjej i pajetë në tokë. Ne trupin e tij ishte zbrazur një karikator e tërë me fishekë.

E dëgjova kur Liri Gega, gjithë indiferentizëm e ironike, pyeti djaloshin partizan: – ‘More djalosh, a e pe mirë, Mustafai vdiq, apo…vdiq krejt, ë’? Dhe vazhdoi rrugën qetë – qetë për ku qe nisur, bashkë me Ndreko Rinon”. Memorie.al

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • SHQIPTARI: 10/04/2024 19:59

    Ku dje,ku sot,a mundeni të më thoni kush kishte SHTET TË SHQIPËRISË

    Përgjigju
    • Mustafai: 27/08/2024 02:15

      Kot me fol. i paska pas ne mbledhje e sja u ka fut plumb ballit Enverit dhe Mehmetit e Serbeve. Po s’gjuajte, te gjuajne ;) Vend i tradhetirave

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Korrupsioni në vend, Rama për VOA-n: Nuk është aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme! Thuhen shumë të pavërteta që duken atraktive

Korrupsioni në vend, Rama për VOA-n: Nuk është aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme! Thuhen shumë të pavërteta që duken atraktive