Këto dëshmi të cilat publikohen për herë të parë hedhin dritë se si për 72 orë duke nisur nga 21 qershori i 2015-ës nën drejtimin e vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko të rinjtë janë armatosur e kanë zënë pozicione lufte ne fshat.
Xhuliano Malo rrëfen se plani i 24 qershorit ishin diskutuar mes tij e vëllezërve Aliko diku në janar të 2015-ës. I riu nga Lazarati ishte i pari që u arrestua dhe hetuesit dyshojnë se u përdor nga vëllezërit Aliko si kurth ndaj policisë e cila e ndaloi në postbllok brenda një makine me armë, por që më tej RENEA do të binte në breshërinë e zjarrit.
“Arbionin dhe Albanin i kam shokë, me Albanin takohesha shpesh më tha rreth 6 muaj më parë se së bashku me persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk mi përmendi do të qëllonin me armë policinë, ideja e tij ishte që Lazarati të rikthehej siç kish qenë më parë, pa polic dhe që të mbillnim sërish drogë për të fituar. Unë pranova se do fitoja lekë, më pas këtë bisedë s’e kemi bërë më. Më datë 22 rreth orës 05:00 Albani më mori në telefon dhe më tha hajde në Lazarat për muhabetin që kemi folur. Shkova në Lazarat, prindërve u thashë do iki në plazh në Durrës, atje fjetëm në një shtëpi të braktisur mbi xhaminë dhe rreth orës 00:00 të natës duke gdhirë e sotmja shkuam te pika ku kishim lënë të bëhej lufta, vendi quhej “Shkolla e Re, përballë pularisë, atje ishin dhe 8-9 persona të tjerë me maska dhe rroba ushtarake nga të cilët njoha Arbionin vëllain e Albanit. Në tokë kishte armë, aty unë mora një kallash, ndenjëm rreth 6 orë dhe qëlluam disa herë në ajër. Arbion Aliko i cili qëlloi i pari, para se të qëllonte thërriti Allahu Ekber, pas tij thërritëm të gjithë dhe filluam të qëllonim në ajër, unë qëllova 15 plumba. Në mëngjes vëllezërit Aliko më thanë të shkoja afër qendrës ku ata të dy kishin lënë aty një makinë me çelësa brenda, vajta dhe e mora makinën për ta çuar tek Alikot. Në gjysmën e rrugës më ndaloi policia, në momentin e prangosjes kam dëgjuar të shtëna armësh.”
Ndërsa Klodian Selimi, nje nga te arrestuarit, para hetuesve rrëfen njohjen me Arbion Alikon si dhe takimin e tyre më 21 qershor, ku Aliko i ka thënë se do të bëhemi gati dhe do të takohemi më vonë.
“Dy ditë më vonë shkova në Gjirokastër, më merr në telefon Arbioni në numrin tim 0699409XX, më mori nga numri i tij që fillon me 06921xxxx dhe më tha të shkoja në fshat dhe ta merrja në telefon. Shkova, e mora në tel erdhi me Benzin e tij 250, të cilit i kish vendosur targa Tirane, më thirri tek dera e më tha të shihja nëse kish patrulla policie në qendër apo rrugës për në qendër dhe ta njoftoja në telefon. Ai u largua drejt përroit të Selimit, nga ku u kthye rreth orës 24:00 ndërsa unë po rrija jashtë me Mejdan Bashën tek bilardo e Drini Alikos. U afrova tek makina dhe Arbioni më tha: A do dalësh me grupin të luftojmë sonte? Unë i thashë po. Ai më tha ik tek grupi te depoja e ujit. Pas Arbjonit lëvizi edhe Endush Aliko me makinën e tij Smart. Kur shkova tek depo e ujit ishin katër veta, ata ishin në këmbë të pamaskuar dhe ishin në pritje t’iu sillnin armët e zjarrtit. Këta persona ishin Dervish Gaba, Elson Kazma, një djalë nga fshati me emrin Dhurim Kazma, Ani Hiri dhe Oltion Proko. Ata më thanë se po presim armët pasi me to do gjuanin policinë. Aty mësova se këta do qëllonin me armë në pjesën e poshtme të fshatit, do të qëllonin rreth orës 03:00 ose 04:00 të mëngjesit. Gjatë kësaj kohe Durimi foli në telefon me Arbionin dhe mësova se fillimisht do qëllohej poshtë, pastaj do qëllohej nga depo e ujit e më pas do bashkoheshim poshtë. Pasi pashë që babai më kish marrë 32 herë në telefon, i frikësuar gjeta një pretekst për të marrë ujë ke dyqani dhe u largova, rrugës takova e Sinan Rabin po s'i tregova për planin. Mbërrita në shtëpi fika telefonin, e rreth orës 05:00 në mëngjes dëgjova të shtëna armësh, fjeta sërish dhe në 10:00 u zgjova. Kur dola në ballkon tek zona e quajtur Pularia, pashë 4 persona të maskuar të armatosur me një maune, ata vendosën makinë kryq në rrugë për të penguar mjetet të futeshin në fshat dhe ikën sërish nga erdhën. Mamaja më tha se ishte goditur një makinë policie, afër oborrit të shkollës pashë 5 persona me maska të ngritura gjer te balli dhe unë i njoha, ishin 10 metra larg, ishin Arbion Aliko, Alban Aliko, Elson Kazma si dhe dy djem nga fshati me mbiemër Boci që po ngarkonin armët në makinën ngjyrë blu Benz 240. Makinën e kam parë në fshat, përdorej nga vëllezërit Boci, armët ishin të ndryshme njëra ishte më e madhe se automatik kallashnikov por se çfarë armë ishte s’e di”.
Selimi rrëfen dhe telefonatën me Arbion Alikon pas vrasjes së policit
”Më telefonoi Arbion Aliko, më pyeti se ku isha? I thashë jam në dasëm me familjen, ai më tregoi se u fut policia në fshat, por unë i thashë morëm fund, duke nënkuptuar se do kishim probleme pasi ishte qëlluar policia”
Për mënyrën se si drejtoheshin të rinjtë e armatosur, i pyetur nga hetuesit Selimi ka rrëfyer:
“Në fshat ishin tre grupe zjarri të cilat drejtoheshin nga Arbion Aliko, Endush Aliko dhe Asqeri Basha i cili ishte përgjegjës për grupin e zjarrit pranë xhamisë ku pjesëtarë ishin Dervish Gaba, Elson Kazma, Ani Hiri dhe Dhurim Basha”.
Në prangat e policisë të konsideruar si pjesë e “grupit të zjarrit” në operacionin Lazarati 2015 në pranga janë 12 persona mes tyre dhe vëllezërit Arbion e Alban Aliko të cilët edhe pse mohojnë përfshirjen e tyre, prokuroria ka mundur të zbardhë se ata ishin organizatorët e sulmit.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)