TIRANE- Dy ditë pasi kishin marrë vendimin për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, tre anëtarët e Këshillit Mbikqyrës Petraq Milo, Dhori Kule dhe Ardian Civici kanë dhënë dëshminë e tyre përpara prokurorit të çështjes Ramadan Troci dhe oficerit Helidon Hysenaj. Të tre zyrtarët e BSH, teksa hynin në derën e akuzës së Tiranës, mbanin në duar dosje me dokumenta të cilat i kanë vënë në dispozicion të grupit hetimor. 

Sipas burimeve të prokurorisë, të tre anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, kanë pohuar se ata kanë pasur për detyrë të miratonin me votim rregulloret dhe akte të tjera juridike që servireshin nga guvernatori Fullani, zv/guvernatorja Elisabeta Gjoni dhe drejtuesit e departamenteve. Kule, Milo dhe Civici, kanë pohuar se çdo akt ligjor dhe rregullore që propozohej, diskutohej në Këshill dhe më pas miratohej ose rrëzohej. Tre zyrtarët kanë shmangur pozicionin e tyre nga përgjegjësia penale duke thënë se rregullorja e shkurtit 2006, nuk është shkelur në asnjë moment prej tyre pasi kanë pasur funksion këshillimi dhe analizimi të akteve juridike dhe jo të propozimit të nismave për organizimin dhe funksionimin e Bankës së Shqipërisë dhe strukturave të saj.