"Dëshpërimi" ynë për Ermal Metën

"Dëshpërimi" ynë për Ermal Metën
Suksesi i Ermal Metës në Itali është si një pasqyrë që na vihet përballë ne shqiptarëve nga bregu tjetër i Adriatikut për të parë veten. Dhe sa herë na e venë këtë pasqyrë, tronditemi. Shohim më qartë se çfarë kemi ndërtuar dhe ç'po ndërtojmë përditë për t'u zhvilluar jo vetëm në rrugë, ndërtime, ngjyra, por edhe brenda vetes. Reagimet për suksesin e tij në Festivalin e Sanremos ishin nga më të ndryshmet, por bashkoheshin në një "dëshpërim" të përgjithshëm: Që talenteve shqiptare sa janë në Shqipëri ne dimë mirë vetëm t'ua presim krahët. Kemi vënë si gardianë e jo si përkrahës në krye institucionesh Arti shtypës dhe jo maestro të cilësisë. Ndaj më të mirët në Art marrin fluturimin, sa munden, në Perëndim.
 
Ermonela Jaho, Anbeta Toromani, Eris Nezha, Olen Cezari e shumë të tjerë, të kuptohemi, janë aq mirë dhe aq të lumtur në karrierën e tyre, dhe në Shqipëri morën nektarin që i përcolli drejt Artit, por le të kujtojmë se sa agresivë kemi qenë ndonjëherë me këto krijesa të rralla. Mos të harrojmë letrën kërcënuese që Ermonela mori që të mos shkelte më në skenat shqiptare, e që Anbeten, një mjedis po aq armiqësor e shtyu të niset drejt Italisë ku edhe sot e kësaj dite "fluturon" e lehtë nëpër skenat që Artin e bukur e përkedhelin.
 
Sepse ka një fushë që kompromisi klanor, politik, shoqëror, duhet të qëndrojë larg, larg: Dhe kjo fushë duhet të ishte ajo e Artit. Mediokër, ziliqarë, servilë e partiakë në Art i bëjnë dëmin më të madh vendit. Kjo kategori e shëmtuar njerëzore do të përdorë të gjitha mënyrat, deri në ato më të sofistikuarat për të trembur Artin e bukur e për ta mbajtur atë larg.
 
Ermal Meta që 13 vjeç në Itali nuk e ka pasur të lehtë sigurisht: Talenti kërkon mundësinë, rastin, skenën e duhur që të shpaloset më së miri e sidomos, në një vend me 60 milionë banorë dhe me parametra të larta pretendimi cilësie, të gjithë e kuptojmë se është e vështirë. Por kur në këtë mundësi shpërthen e bukura e padiskutueshme askush nuk  mund të bëjë më asgjë për ta ndaluar; talenti bëhet në këtë mënyrë ushqim për shpirtin, përmirësimin dhe harenë e publikut dhe jeton derisa të dëshirojë të qëndrojë në publik. Tamam si një burim uji i pastër dhe i freskët: Mund të gurgullojë për pak, ose të qëndrojë në përjetësi. Interpretimi  nga Ermal Meta i këngës në garë, por sidomos i "Amara Terra Mia" të Domenico Modugnos-s la me gojë hapur edhe më pretenduesit  më meraklinj të cilësisë muzikore në Itali, duke i lënë pa fjalë e të mahnitur. Askush nuk mund ta ndalë atë tani, veç vetvetja.
 
Ndërsa nuk ndodh gjithmonë kështu në Shqipëri: Me gijotinën që u jep në dorë pushteti, mediokër në drejtime institucionesh Arti janë, ashtu si në Mesjetë, gjuetarë e mbytës  talentesh e ngritje në piedestal individësh që korruptojnë me para, me servilizëm, me devotshmëri partiake.
 
Ja pra pse Ermali, Ermonela, Oleni, Erisi e të tjerë bashkëatdhetarë të suksesshëm në Botë, duke na vënë përpara pasqyrën e suksesit të tyre, na hedhin në "dëshpërim". Uroj që pas dëshpërimit të gjejë vend e të nisë udhën një përmirësim e reflektim.
Ndërkohë sygjeroj ta dëgjoni e ridëgjoni këtë perlë Arti: http://www.raiplay.it/video/2017/02/Ermal-Meta---aposAmara-terra-miaapos---Cover-Sanremo--505c29eb-6ed9-4739-bc6e-e593c6e89130.html

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare