Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 2-1 kundër Polonisë të enjten në Varshavë duke i dhënë fund ëndrrës së madhe për të kaluar për herë të parë në grupet e një Kupe Bote. Tanët kaluan të parët në epërsi me Arbër Hoxhën në minutën e 42-të, por Lewandowski dhe Zielinski bënë që Polonia të merrte të drejtën për të luajtur në finalen play-off.
Për Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu, situatën e Kombëtares e komentoi edhe Altin Rraklli. Ish-sulmuesi i Shqipërisë i cili ka mbajtur veshur për 63 herë fanellën kuqezi duke shënuar edhe 10 gola, tha se Sylvinhos duhet t'i jepet edhe një shans tjetër 'për të reflektuar'. 55-vjeçari ka besim se Kosova do bëjë mirë dhe mund të jetë në grupet e Kupës së Botës, gjithmonë nëse fiton kundër Turqisë të martën në Prishtinë.
"Si e patë dhe si e përjetuat ndeshjen dhe rezultatin?
Ne si popull marrim vesh nga futbolli, dimë t'i dallojmë rastet dhe mundësitë në një ndeshje futbolli. Nuk e meritonim këtë rezultat, duhet të ishte një tjetër. Këto janë ato ndeshje që të dhembin më shumë, ne kishim mundësi. Polonia ishte favorite, luante në fushën e saj, por nuk ishte në ditën më të mirë. Kur i bën të gjitha këto bashkë, kjo dhemb dhe të vjen keq. Mos harrojmë rëndësinë e ndeshjes dhe mundësinë që të shkonim në Botëror. Ne luajtëm mirë dhe nuk morëm gjë, kjo të dhemb. Djemtë dhanë gjithçka, nuk kishim as fatin me ne. Polonia kishte dy 'çerek raste' dhe na ndëshkoi.
Rastet e humbura nga Bajrami dhe Pilo?
Unë si sulmues kam humbur raste pafund. Çdo futbollist ka tiparet e veta, i 'ngrohtë' apo i 'ftohtë' para portës. Asnjë futbollist nuk duhet të gjykohet, sepse askush nuk do ta humbasë, të gjithë duan ta shënojnë. Askush nuk donte në shumë se Bajrami dhe Pilo që të shënonin. Hysaj bëri një aksion fantastik.
Bajrami ka dy vite që nuk luan në ekipin e tij (Rangers), i mungon praktika dhe morali. Goli ka të bëjë me moralin. Golat bëhen edhe 'aksidentalisht', por këto i ndodhin lojtarëve që janë mësuar të shënojnë, jo atyre që kanë dy vite pa luajtur.
Në ato momente Bajrami ishte pa besim, i ka rënë besimi. Bajrami kishte kohë ta merrte edhe me këmbën e majtë, por u mbyll nga mbrojtja se humbi kohë. Ai ishte pa besim. Nëse aty do ishte Muçi, ta jap me 100 përqind që do ishte gol.
A ishte formacioni më i mirë i mundshëm?
Mitaj nuk ishte në formën më të mirë, nuk ka shumë minuta në Arabi. Pilo do rivalizojë Mitajn në mbrojtje. Pilo është vlerë e shtuar dhe stafi ka merita që e afroi.
Sylvinho e di që të futësh Bajramin në sulm, para Muçit, ja kjo është diferenca. Bajrami nuk luajti në pozicionin natyral, pse mos ishte Muçi aty? Ka gola në Turqi, ka moral të lartë. Një nga pikat ku gaboi trajneri, ishte kjo. Pa gjykuar Bajramin. Edhe Broja si sulmues, aq sa luajti pati rrezikshmëri. Ne nuk dilnim dot nga zona sepse nuk kishim pikë referimi në sulm.
Kundërshtarët goditën një herë në portë nga distanca dhe na ndëshkuan, Strakosha nuk reagoi. Edhe te goli i parë duhej një koordinim më i mirë me Hysajn. Polonia ishte e mbaruar, 'e vdekur', ndaj të vjen keq.
E ardhmja e Sylvinhos, ka kontratë deri në korrik. Duhet të vijojmë me këtë trajner?
Po e ndaj në dy pjesë, rezultatet dhe këmbëngulja e trajnerit për futbollistë të veçantë që i vendos në formacion edhe pse mund të mos e meritojnë në bazë të formës. Këtu prish balancat me ata që mund ta meritojnë të jenë në fushë.
Sa i takon rezultateve, ai e meriton të vijojë sepse para se të vinte Sylvinho dhe të na thoshin që do vijë dikush që do na dërgojë në Euro 2024 dhe në play-off-in e Botërorit, s'do e besonim. Kush do ishte ai shqiptar që nuk do e donte. Ai e meriton që të vijojë.
Por ka edhe një pjesë tjetër, trajneri na ka dhënë ndjesinë që do vijojë në të njëjtën mënyrë. Është kokëfortë dhe nuk merr parasysh futbollistët që janë në formën më të mirë të momentit për t'i hedhur në fushë.
Unë them se duhet të vijojë, jam nga ata njerëz mirënjohës, e vlerësoj dhe duhet t'i jepet shansi, mos bëhemi bukëshkalë. Ai duhet të ketë shansin edhe për një kompeticion tjetër, do Zoti mëson nga gabimet që bën dhe reflekton.
Kosova përballë Turqisë të martën, a shkojnë dot 'Dardanët' në Botëror?
Kam vite që them se Kosova është dashni, ne jemi një, të gjithë shqiptarë që na ndau bota në dy emra të ndryshëm. Kosova ka cilësi më shumë se Shqipëria. Trajneri Foda luan 4-4-2 dhe ka futur disiplinë, luan me Muriqin që po bën mirë në La Liga dhe Asllanin që po mrekullon në Bundesligë. Ata ose japin asiste apo shënojnë. Kanë një mesfushë dhe mbrojtje të mirë. Është një ekip i ri që na gëzon. Gjithë shqiptarët duhet ta mbështesin gjysmën tjetër tonë dhe të kemi një ekip në Botëror", tha Altin Rraklli.
Komente









