FT/ Poloni 2-1 Shqipëri (Lewandowski 63', Zielisnki 73'Arbër Hoxha 42')

VARSHAVË - Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 2-1 me përmbysje nga Polonia në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026, me kuqezinjtë që shpërdoruan dy raste të arta me Nedim Bajramin dhe Stavro Pilon.

Me 56 mijë tifozë në stadium, ku mbi 3 mijë prej tyre ishin shqiptarë, të besuarit e Sylvinhos e nisën ndeshjen shumë mirë. Në minutën e 15-të Arlind Ajeti u dëmtua në zhvillimet e një këndoreje dhe i bëri vend Ardian Ismajlit. Tanët kontrolluan lojën dhe në minutën e 42-të erdhi goli i Shqipërisë.

Një pasim pas shpine bëri që mbrojtja polake të gabonte, me Arbër Hoxhën që përfitoi, dribloi edhe portierin Grabara dhe e ndali sferën në rrjetë (0-1) për të 'ndezur' festën kuqezi.

Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërsa fraksioni i dytë nisi mirë për Shqipërinë. Në minutën e 54-t Nedim Bajrami kishte në këmbë rastin për të 'vulosur' shifrat në 0-2, por goditja e tij nga brenda zonës përfundoi jashtë portës. 'Kur nuk shënon do pësosh' dhe ky 'ligj' i pashkruar i futbollit u zbatua edhe në këtë rast.

Në minutën e 63-të të ndeshjes, një krosim nga këndi i Szymanskit bëri që Lewandowski të shënonte me kokë. Pas këtij momenti Sylvinho hodhi në fushë debutuesin Stavro Pilo dhe Armando Brojën. Në minutën e 72-të Broja pasoi për Pilon, me këtë të fundit që goditi me të majtën nga brenda zone, por u ndal nga portieri vendas.

Vetëm një minutë më vonë, Piotr Zielinski përmbysi ndeshjen për polakët me një goditje nga 22 metra, e cila nuk u ndal dot nga Strakosha (2-1). Edhe pse Sylvinho hodhi në fushë Muçin, pjesa e mbetur e ndeshjes nuk solli golin e barazimit, të dëshiruar për tanët.

Humbja 2-1 ka bërë që Shqipëria të jetë jashtë garës për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, që këtë vit do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Duket se kjo ishte ndeshja e fundit zyrtare për trajnerin Sylvinho në krye të Shqipërisë, pasi rinovimi ishte për fazën play-off të Botërorit dhe me objektivin e papërmbushur rrugët duket se do ndahen pas tre vitesh. Më 27 mars 2023 në Varshavë ai debutoi me humbjen 1-0 në stolin e Shqipërisë, ndërsa sot, tre vite më vonë merr një tjetër humbje.

Më 31 mars, ekipi i Shqipërisë do luajë në Valencia një miqësore kundër Ukrainës, me këtë të fundit që u eliminuan nga Suedia.

Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:

90+7' Mbyllet 2-1 ndeshja në Varshavë, Shqipëria jashtë garës për një vend në Botërorin 2026.

90' Pesë minuta shtesë.

82' Qazim Laçi i bën vend Ernest Muçit.

73' GOOL! Zielisnki ndëshkon Shqipërinë dhe i jep avantazhin me përmbysje 2-1 Polonisë. Goditja nga afro 22 metra nuk u ndal dot nga Strakosha.

72' Broja pason për Pilon, me këtë të fundit që goditi nga brenda zone, por u ndal nga gardiani vendas.

66' Stavro Pilo merr vendin e Arbër Hoxhës, Nedim Bajrami i bën vend Armando Brojës. Pilo debuton me kuqezinjtë.

63' GOOL! Lewandowski barazon rezultatin me kokë pas krosimit të Szymanski nga këndi.

57' Hysaj ndal Lewandowskin.

54' Nedim Bajrami shpërdoron golin që mund të vuloste fitoren, godet jashtë nga brenda zonës. Hysaj 70 metra sprint për pasimin final.

46' Nis pjesa e dytë, Sylvinho i beson zgjedhjeve të pjesës së parë.

45+3' Mbyllet 0-1 pjesa e parë.

45' Tre minuta shtesë në pjesën e parë.

42' GOOL! Një gabim në prapavijën mike bëri që Arbër Hoxha të përfitonte, të kontrollonte topin dhe pas driblimit të portierit të shënonte golin e avantazhit për Shqipërinë.

36' Laçi godet nga jashtë zone, topi përfundon jashtë.

27' Laçi rrëmben një top në afërsi të zonës, tenton me një gjuajtje të fortë, e cila devijohet dhe shkon në duart e portierit.

17' Ajeti nuk ia del, vendin e tij e merr Ardian Ismajli.

15' Arlind Ajeti dëmtohet në zhvillimin e një këndoreje, probleme me shpatullën e majtë gjatë rrëzimit në tokë. Ismajli në nxehmje.

8' Hysaj bën heroin, largon me kokë një top që po i drejtohej portës.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkrlmuar nga vendasit.

Formacionet zyrtare:

Polonia (3-4-3): Grabara; Kedziora, Bednarek, Kiwor; Cash, Szymanski, Zielinski, Skoras; Kaminski, Rozga, Lewandowski Trajner: Jan Urban

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Laçi, Asllani; Uzuni, Bajrami, Hoxha Trajner: Sylvinho

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:47
Sylvinho mediton lamtumirën nga Shqipëria mes lotësh: Ne s'jemi Brazili, tre vite më parë nuk na mendonte askush në këto nivele

1774565333_sylvinho.JPG

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, foli i përlotur pas humbjes 2-1 kundër Polonisë dhe eliminimit nga gara për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026.

“Jam i trishtuar thellësisht. Këtë aspekt kam pasur edhe si lojtar, nuk më pëlqen të humbas. Ishte një ndeshje e tillë që më jep kënaqësi çfarë dhamë brenda fushës. Ishte një kundërshtar i fortë, jam krenar për djemtë e ekipit tim. 

Muçi dhe Mehmeti? I tillë është futbolli, ne i bëmë ndryshime tona. Por nuk është e mundur të punosh për 3 ditë. Punojmë edhe me video me lojtarët. Kemi bërë një pjesë të parë të mirë, shënuam. Në pjesën e dytë jo aq mirë, por kishim raste për të shënuar. Para 4 vitesh Polonia me të njëjtët lojtarë, Lewandowski dhe Zielinski luajnë me ekipe të mëdha. Të luash në mënyrë të barabartë me ta, është diçka shumë e mirë.

Mund të futej Muçi më shpejt, por kur rezultati ishte 1-1 u fut një mbrojtës si Pilo?

Është një rrugëtim, duhet të kemi durim. Nëse kthehemi 3 vite më përpara, nuk do e mendonte kush që Shqipëria të shkonte në Europian dhe të bënte kështu për në kualifikuese Botërori. Polonia ka një skuadër që është mësuar me këto. Jam krenar për punën që kanë bërë lojtarët.

Do kishte dëshirë Sylvinho të ishte me Shqipërinë edhe pas korrikut?

Sigurisht që tani nuk mendoj dot për këtë gjë. Më duhet të fokusohem te ndeshja e radhës, do të luajmë kundër Ukrainës.

Sylvinho tha që do të luajnë më të mirët, mendon se luajtën më të mirët edhe sot?

Në fakt ne kemi shkuar në Europian me lojtarë që ishin jashtë skuadrës në klubet e tyre. Ky është realiteti jonë, mendoj se në fushë kanë luajtur më të mirët. Ky është një hap që ne e kemi bërë si Federatë, ne nuk jemi Brazili që të zgjedhim lojtarë që kanë më shumë minuta. Nuk qëndron në këtë aspekt, kanë luajtur lojtarët që ne mendojmë se janë më të mirët dhe bëjnë më mirë. Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët. Të luash në mënyrë të barabartë për mundësinë për Botëror, jam shumë i kënaqur.

Pilo është lojtar që luan me ritëm, prandaj zgjodha ta aktivizoj. Kur të mungon një sulmues qendre, atëherë zgjodhëm që të luajmë me sulm nga anësoret. Ne zgjodhëm këtë mënyrë, me qëllim që ta thyenim mbrojtjen polake, që duhet thënë se është e fortë. Nuk e di se çfarë do ndodhë në vijim. Por ky ishte rrugëtim shumë i mirë si skuadër dhe si vend, që arritëm deri pranë ëndrrës kombëtare”, tha Sylvinho i përlotur.

Duket se kjo ishte ndeshja e fundit zyrtare për trajnerin Sylvinho në krye të Shqipërisë, pasi rinovimi ishte për fazën play-off të Botërorit dhe me objektivin e papërmbushur rrugët duket se do ndahen pas tre vitesh. Më 27 mars 2023 në Varshavë ai debutoi me humbjen 1-0 në stolin e Shqipërisë, ndërsa sot, tre vite më vonë merr një tjetër humbje.

Ora 23:29
Juljan Shehu: Ishte një rast që vjen një herë në jetë dhe të na ikte kështu nga duart...

1774564277_juljanshehu.JPG

Mesfushori i Kombëtares, Shehu foli për TV Klan pas humbjes 2-1 me Poloninë në Varshavë.

"Jemi shumë të mërzitur. E patëm ndeshjen vetë në kontroll. Kaluam të parët në avantazh dhe patëm dy raste të tjera. Normale, ne jemi Shqipëria, kaq raste mund të krijojmë.

Jemi shumë të mërzitur. Jemi shumë të dëshpëruar për këtë rezultat. Vërtetë e kishim në dorë vetë për ta bërë ëndrrën realitet. Të gjithë djemtë janë shumë të mërzitur. Kjo është një mundësi që ndoshta të vjen një herë në jetë dhe të të ikë kështu nga duart… Duhet të gjejmë forcë që të vazhdojmë përpara, por kjo do pak kohë që të kalojë", tha ai.

Ora 23:24
'Ishim shumë pranë', Gjimshiti: Nuk e meritonim humbjen, shpresojmë të na bëjë krenarë Kosova

1774563940_beratgjimshiti.JPG

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare Berat Gjimshiti, në fjalën e tij pas ndeshjes me Poloninë tha se ekipi ynë përfaqësues ishte shumë afër ëndrrës së Botërorit.

"Jemi të gjithë të mërzitur, sepse ishte rasti i fundit besoj që ta çonim Shqipërinë në Botëror. Ishim shumë afër sot. Pjesën e parë luajtëm shumë mirë, ndërsa në pjesën e dytë gjërat nuk shkuan aq mirë. Nuk e meritonim këtë rezultat. Ata kishin më shumë fizik dhe na mungonin disa lojtarë, që janë më shtatlartë. Ndoshta Levandovski duhej të mbahej më mirë. Uroj që brezat e rinj ta arrijnë ta dërgojnë ekipin tone përfaqësues në Kupën e Botës. Shpresoj që të na bëjë krenar Kosova", tha ai për TV Klan.

Ora 23:20
Uzuni s'i mban dot lotët pas eliminimit: I kërkoj falje të gjithëve, tani duhet të presim 4 vite

1774563673_myrtouzuni.JPG

Pas humbjes dhe eliminimit nga Polonia, sulmuesi Myrto Uzuni u shfaq i përlotur në prononcimin për Tv Klan.

“Kemi luftuar shumë për këtë ditë. Duhet të presim 4-5 vite për këtë. Kishim gjithë kombin. I kërkojmë falje të gjithëve. Është një dhimbje. Do kemi netë pa gjumë pas kësaj. Duhet të kishim shfrytëzuar rastet, sepse futbolli të ndëshkon. Kur nuk shënon, futbolli të dënon. Me 2-0 mbyllej ndeshja. Ekipi ka bërë një punë të shkëlqyer. Nuk jemi Portugalia apo Franca. Rastet që na jepen duhet t’i shfrytëzojmë”, u shpreh Uzuni.

Ora 20:56
Probleme me audion gjatë himneve, polakët fërshëllejnë himnin shqiptar

1774555060_kombetarjashqiptare.JPG

Gjatë këndimit të himnit të Shqipërisë, të shumta ishin fërshëllimat që u dëgjuan në stadium nga tifozët e Polonisë. Vlen të theksohet se të dyja himnet nuk u dëgjuan në transmetim për shkak të një problemi të regjisë ndërkombëtare.

Ora 20:29
Elseid Hysaj rekord të ri me Kombëtaren, kapiteni Gjimshiti i bashkohet Lilës

1774553437_elseidhysaj.JPG

Elseid Hysaj është preferuar titullar nga trajneri Sylvinho ndaj Polonisë. Mbrojtësi i Kombëtares përmirëson kështu rekordin si lojtari me më tepër paraqitje te kuqezinjtë, duke e pasur ndeshjen numër 97 të tij.

Kapiteni Berat Gjimshiti do të luajë ndeshjen e tij të 70 duke u vendosur në të njëjtën kuotë si Andi Lila. Pas tij kanë mbetur emra si Igli Tare dhe Alban Bushi.

Ora 20:25
Shqiptarët shumë të zhurmshëm në Varshavë, shihni si e presin tifozët Kombëtaren kuqezi gjatë daljes në fushë (VIDEO)

Edhe pse janë diçka më shumë se 3 mijë tifozë, shqiptarët për momentin duken më të zhurmshmit në 'PGE Arena' të Varshavës. Gjatë daljes së ekipit kuqezi në fushë për nxehmjen, brohorima dhe duartrokitje janë dëgjuar në impiant. Pritet që 53 mijë tifozë të jenë polakë në këtë duel.

Ora 19:21
VIDEO/ 'Shqipëri etnike', tifozët e Kombëtares dhurojnë spektakël në Varshavë

Diçka më shumë se 3 mijë shqiptarë do jenë në stadiumin kombëtar të Varshavës, por kuqezinjtë janë duke dhuruar një atmosferë fantastike gjatë futjes për në 'PGE Arena'. Sot në 20:45 merr jetë Poloni - Shqipëri.

Ora 19:15
Formacionet zyrtare/ Shqipëria me Uzunin, Hoxhën dhe Bajramin në sulm! Sylvinho nuk zhgënjen, Broja e Muçi në stol

1774550557_22222.JPG

Kombëtarja jonë del në inspektimin e fushës së 'PGE Arena'

Trajnerët Jan Urban dhe Sylvinho kanë zbardhur titullarët e duelit Poloni - Shqipëri. Për tanët në sulm luan Hoxha, Uzuni dhe Nedim Bajrami, ndërsa nga stoli e nisin Mehmeti, Broja dhe Muçi.

Formacionet zyrtare:

Polonia (3-4-3): Grabara; Kedziora, Bednarek, Kiwor; Cash, Szymanski, Zielinski, Skoras; Kaminski, Rozga, Lewandowski Trajner: Jan Urban

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Laçi, Asllani; Uzuni, Bajrami, Hoxha Trajner: Sylvinho

Ora 18:54
Nis futja e tifozëve në 'PGE Arena', ultrasit e Shqipërisë shoqërohen nga forca të shumta policie (VIDEO)

Prej orës 18:00 ka nisur futja e tifozëve në 'PGE Arena' të Varshavës. Tifozët po kontrollohen imtësisht në hyrje, çka do të thotë se në impiant nuk pritet të depërtojnë sende të forta apo mjete të ndaluara. Diçka më shumë se 3 mijë shqiptarë do jenë në stadium, ndërsa tifozët e Kombëtares kuqezi janë shoqëruar për në stadium nga forcat e policisë, që ndodhen në një numër të madh në qytet dhe rreth stadiumit.

Ora 18:45
VIDEO/ Kombëtarja luan me fanellën 'e fatit' në Varshavë, brenda dhomës së zhveshjes së Kombëtares! Ekipi niset drejt stadiumit

Nga hoteli ku qëndrojnë prej ditës së djeshme, kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur për në 'PGE Arena' të Varshavës ku sot luan kundër Polonisë me fillim nga ora 20:45. Djemtë e Shqipërisë do luajnë me fanellën e zezë, teksa me këtë të fundit kanë arritur sukseset më të rëndësishme në histori. Gjithçka në stadium duket gati për ndeshjen.

 
Ora 18:24
Polonia 'ia bën me hile' Shqipërisë, merr vendimin e rëndësishëm pak para ndeshjes së sotme

1774545966_kombetarjashqiptarepgearena.JPG

Stadiumi 'PGE Arena” do të qëndrojë i mbuluar, ndërsa Shqipëria mat forcat me Poloninë sot në orën 20:45 në Varshavë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Polake të Futbollit, Lukasz Vashowski, ka konfirmuar se çatia e stadiumit do të qëndrojë e mbyllur gjatë gjysmëfinales së play-off-it të Kupës së Botës.

Në stadium sot priten 56 mijë tifozë dhe diçka më shumë se 3 mijë do jenë shqiptarë. Kjo do të thotë se afro 53 mijë do jenë polakë, duke bërë që mbyllja e çatisë të krijojë një akustikë më të favorshme për futbollistët vendas.

Ora 17:09
Peshorja anon nga ana e Polonisë, Shqipëria fitoi në përballjen e fundit! Statistikat e 15 ndeshjeve

\

Përballjet Shqipëri - Poloni

Sot në orën 20:45 luhet Poloni - Shqipëri në Varshavë, e vlefshme për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026.

Të dyja skuadrat janë përballur 15 herë në histori, me dhjetë fitore të Polonisë, dy fitore të Shqipërisë dhe tre barazime. Nga këto takime, vetëm pesë kanë qenë miqësore.

Fitoret e Shqipërisë datojnë më 29 nëntor 1953, 2-0 në 'Qemal Stafa' me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjas, si dhe në takimin e fundit mes tyre, po 2-0 më 10 shtator 2023 në 'Air Albania', me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.

Jasir Asani sot u la në tribunë nga trajneri Sylvinho, ndërsa Daku mungon për shkak të një dëmtimi.

Ora 17:00
Shqipëria 'macja e zezë' e Lewandowskit, mediat polake ngrenë alarmin për kapitenin e tyre para duelit me kuqezinjtë

1774540881_robertlewandowski.JPG

Mbrëmja e sotme pritet të sjellë emocione të forta në 'PGE Arena', aty ku Polonia do të përballet me Shqipërinë në gjysmëfinalet e play-off-eve të Kupës së Botës. Por, ndonëse statistikat historike janë në anën e vendasve, mediat polake, përfshirë “SuperSport”, kanë ngritur alarmin për formën e liderit të tyre, Robert Lewandowski.

Kombëtarja polake ka një rekord mbresëlënës në këtë stadium, me 28 fitore, 13 barazime dhe vetëm 7 humbje në 48 ndeshje. Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me efektivitetin e sulmuesit kryesor.

Robert Lewandowski ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshje ndaj Shqipërisë dhe nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në tre përballjet e fundit ndaj kuqezinjve. Kjo statistikë ka shtuar pasigurinë në prag të një ndeshjeje vendimtare, ku pritet që kapiteni të bëjë diferencën.

Në Poloni, pritshmëritë janë gjithmonë të larta për sulmuesin e tyre kryesor, por këtë herë presioni duket edhe më i madh.

Ora 16:40
VIDEO/ Policia polake ndalon festimet e shqiptarëve, kontrolle të imtësishme

1774539738_tifozetkuqezi.jpg

Në prag të ndeshjes me Poloninë, forcat e policisë polake janë të pranishme në çdo rrugicë të qytetit.

Gazetari i gazetës TemA, Fatjon Baze, raporton nga Varshava se policia ka ndaluar këngët dhe festimet e tifozëve shqiptarë.

Përveç kësaj, ata kanë ushtruar kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, duke u kërkuar mjete identifikimi dhe duke i mbajtur të ndaluar për më shumë se 30 minuta.

Ora 16:15
'Adem Jashari' në Varshavë, kryeqyteti polak 'vishet' kuqezi! Nis festa e shqiptarëve me tupana e këngë patriotike (VIDEO)

Në stadiumin 'PGE Arena' të Varshavës pritet që sot të jenë diçka më shumë se 3 mijë shqiptarë, në mbështetje të ekipit kombëtar të Shqipërisë, i cili luan kundër Polonisë për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026.

Prej paradites së sotme në rrugët e Varshavës tifozët shqiptarë kanë 'veshur' kuqezi pjesët e qytetit ku janë vendosur, duke mos munguar këngët patriotike (mes tyre edhe 'Mora Fjalë' të Adem Jasharit), vallet dhe tupanat. Gjithashtu të shumtë kanë qenë tifozët me veshje popullore shqiptare.