Deputetja e PD, Albana Vokshi, deklaroi se mbledhja ishte parashikuar në orën 10:00, ndërsa opozita ka pritur më shumë se një orë mazhorancën. Sipas saj, kjo është një mungesë e theksuar serioziteti nga anëtarët e mazhorancës.
“Ishte parashikuar për në orën 10:00 që të niste mbledhja e komisionit. Po shkon ora 11 dhe deputetët e mazhorancës nuk kanë ardhur. Mendoj se është e papranueshme, është mungesë serioziteti nga ana e deputetëve përfaqësues të mazhorancës në komision. Është mungesë respekti për kohën e deputetëve të opozitës, që kanë një orë që presin në këtë sallë. Me keqardhje të madhe ne të gjithë si deputetë konstatojmë një mungesë të theksuar serioziteti”, tha Vokshi.
Nga ana tjetër, i vetmi socialist në mbledhje, deputeti socialist, Fidel Ylli, tha se vonesa e anëtarëve të PS lidhet me mbledhjen e rëndësishme të grupit dhe se nuk është hera e parë që mbledhjet vonohen. Ai theksoi se ky është thjesht një sebep që opozita t’i shmanget problemit.
“Para se të largohen deputetët e opozitës unë do iu kërkoja ndjesë ju medieve që keni disa minuta që prisni, jo për arsye politike, por për mbledhjen shumë të rëndësishme të grupit. Nuk është hera e parë që vonohen mbledhjet, nuk bëhen fiks. Opozita të gjithë anëtarët e komisionit i ka këtu, por ky është një sebep për t’iu shmangur problemit, pasi dhe ministrja është në korridor duke ardhur. Nuk kishte arsye politike fare”, deklaroi Ylli.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO








