Shtatori shënoi zgjerim të numrit të vizitorëve në strukturat akomoduese në vend, krahasuar me shtatorin e një viti më parë ku vetëm rritja e të huajve ishte me 7.5 për qind. Të dhënat e Insitutit të Statistikave tregojnë se në Shtator 2026, numri i vizitorëve që qëndruan në strukturat akomoduese në Shqipëri u rrit me 9,2 %, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. “Vizitorët rezidentë u rritën me 12,7 %, ndërsa vizitorët jo-rezidentë me 8,1 %” thuhet në publikimin e INSTAT. Netqëndrimet u rritën me 7,5%, ndërsa norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 54%, nga 52,7% në shtator 2025.
Rritja e numrit të vizitorëve ishte më e shpejtë te rezidentët, me 12,7%, kundrejt 8,1% te jorezidentët. Jorezidentët përbënin rreth tre të katërtat e totalit, me 437 885 vizitorë. Netqëndrimet e tyre u shtuan me 6,9%, ndërsa ato të rezidentëve me 9,3%.
Kosova ishte tregu kryesor i origjinës, me 13% të vizitorëve jorezidentë që u akomoduan në vend. Pas saj renditeshin Italia me 11%, Polonia me 10%, Franca me 9% dhe Gjermania me 8%.
Veriu shënoi rritjen më të fortë të numrit të vizitorëve, me 23,1%, ndërsa Jugu priti numrin më të madh, rreth 224 mijë, me një rritje prej 14,9%. Në rajonin Qendër, që përfshin Tiranën dhe Elbasanin, numri i vizitorëve ra me 6,5%. Zonat bregdetare pritën rreth 393 mijë vizitorë, ose 68% të totalit.
Pas një vere disi të zbehtë rritja e shtatorit ishte e pritshme për turoperatorët të cilët vlerësonin se zgjatja e sezonit turistik edhe në muajt e vjeshtës ishte një sinjal optimist. Turet e organizuara për turizmin e detit kishin rezervime deri në fillim të tetorit teksa prej vitesh tashmë vjeshta dhe pranvera kanë regjistruar rritje të dukshme të interesit edhe për turet kulturore.
Ecuria në muajin tetor dhe nëntor tashmë mbetet për tu parë duke pasur parasysh që gjatë tetorit pati një rënie të rezervimeve konfirmuar nga operatorët edhe si efekt i tensioneve politike dhe protesave në vend./ Monitor










Komente
Komento