Agjencia amerikane prestigjoze e lajmeve “HuffPost”, ka listuar Tiranën si një ndër destinacionet më të bukura për të kaluar pushimet në vitin 2024.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama i cili e publikoi artikullin në rrjetin e tij social “facebook”.
“Evropa do të vazhdojë të jetë një pikë e nxehtë në vitin 2024, veçanërisht Italia dhe Irlanda”, tha Annette Richmond, krijuesja e Fat Girls Traveling. “Megjithatë, më shumë udhëtarë shpresojnë të shpëtojnë nga turmat e mëdha të njerëzve duke vizituar vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”- thuhet në artikull.
Ndërsa më tej, shkruhet se krahasuar me vendet e tjera, ajo çfarë e bën Tiranën dhe Shqipërinë një destinacion të shkëlqyeshëm janë plazhet e bukura të Rivierës shqipare ku kostoja për shërbimet është e lirë.
“Në të vërtetë, Shqipëria nuk është në radarin e të gjithëve, të paktën jo ende. Kjo është arsyeja pse një vend si Tirana mund të jetë një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe.Shumica e njerëzve ende nuk e kanë zbuluar atë, por fluturimet dhe infrastruktura turistike janë në vend, dhe ka më pak turma në krahasim me destinacionet në trend evropian si Italia, Greqia apo Portugalia,” tha Laura Lindsay, eksperte e tendencave të udhëtimit global në Skyscanner. “Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë atë një destinacion të shkëlqyeshëm për verën. Shqipëria ka qytete historike për t'u eksploruar dhe një skenë festivalesh në zhvillim, me ngjarje që zënë vendin e tyre në të gjithë kalendarin muzikor botëror."- përfundon artikulli për vendin tonë.