Presidenti Donald Trump nuk e ka ende një përgjigje nëse do të vendosë të rinisë sulmet apo jo në Iran, megjithatë iu rikthye kërcënimeve ndaj Teheranit. “Qetësia para stuhisë", shkroi Presidenti i SHBA-së në rrjetin e tij social Truth shoqëruar me një fotografi të realizuar me Inteligjencë Artificiale ku shihet me kapelen “MAGA” në një det të trazuar, re të zeza e shkreptima dhe anije me flamuj iranianë.
Në një intervistë, Trump u shpreh se nuk e di nëse një marrëveshje me Iranin do të arrihej së shpejti, në ditën e 77-të të luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli. Sipas shtypit amerikan kreu i Shtëpisë së Bardhë pritet të vendosë në orët e ardhshme lidhur me sulmet e mundshme kundër regjimit, në një kohë që bisedimet për t'i dhënë fund luftës dhe programit bërthamor të Iranit deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.
Nga ana tjetër kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh se është i vetëdijshëm për situatën në Iran dhe se do flasë sot me presidentin Trump. Netanyahu mblodhi ndihmësit kryesorë dhe ministrat në zyrën e tij në Jerusalem, për një diskutim mbi sigurinë.
Më herët Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha se kishte marrë mesazhe nga Uashingtoni në favor të rifillimit të negociatave, duke shtuar se ishte i hapur për ndihmën e Pekinit. Presidenti Iranian, Pezeshkian tha se mbetet i përkushtuar ndaj diplomacisë dhe zgjidhjeve paqësore.
Irani ka vendosur rregulla të reja për kalimin në Ngushticën e Hormuzit. Kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit Iranian deklaroi se do të vendosen taksa për shërbimet speciale dhe se marrëveshja do të jetë në dobi të anijeve tregtare dhe aktorëve ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar me Republikën Islamike. Operatorët që morën pjesë në "Projektin Liria", të nisur nga Presidenti Trump, do të përjashtohen.
Ndërkohë Abu Dhabi iu përgjigj një zjarri që shpërtheu në një gjenerator jashtë perimetrit të termocentralit bërthamor Barakah në rajonin Al Dhafra, i shkaktuar nga goditja e një droni. Nuk u raportuan të lënduar dhe nuk pati pasoja për sigurinë radiologjike.

Komente





