Të gjithë punonjësit e Bashkisë së Lezhës janë lajmëruar se në datën 16 shkurt duhet të jenë me detyrim të pranishëm në protestën e opozitës në Tiranë.
Përfshirja e administratës së bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI, së bashku me militantët dhe forumet rinore, ka si synim që të rrisë artificialisht numrin e pjesëmarrësve në protestën e opozitës.
Burime brenda Bashkisë së Lezhës bënë me dije se zëvendëskryetarja Alfrida Marku është ngarkuar me organizimin dhe përpilimin e listave të pjesëmarrësve.
Gjatë këtyre diteve, Marku është treguar shumë aktive në takimet me militantët e zonës, duke përpjekur që të grumbullojë sa më shumë protestues, të cilëve u ofrohen edhe shpërblime.
I njëjti zell shfaqet edhe në rrjetet sociale, ku zëvendëskryetarja gjithashtu poston në mënyrë të përditshme statuse në të cilat fton sa më shumë njerëz t’i bashkohen protestës.
Nga Bashkia, rekrutimi është deleguar edhe tek administratorët, që operojnë në zonat rurale.
I tillë është administrator i Kallmetit, Ndue Zefi, që gjithashtu po organizon militantët e zonës së tij për të ardhur në kryeqytet me autobusa falas.
Edhe në Balldren, Soveljan Kosova, është duke bërë të njëjtën gjë dhe siç dëshmon edhe profili i tij në “Facebook”. Për të bindur sa më shumë banorë, Partia Demokratike është duke shpërndarë edhe shpërblime.
E njëjta situatë është duke u verifikuar edhe në komunat e tjera, përfshi Ongrej, Blinisht, Dajç, Kolsh, Shënkoll apo Zejmen.
Në terren kanë dalë edhe këshillatarët. Paulin Marku është duke përdorur edhe televizionet lokale, ku Partia Demokratike ka blerë kohë reklame, për t’i lëshuar thirrje njerëzve që të bashkohen.
E gjithë kjo bëhet me qëllim që protesta të jetë sa më masive, për të krijuar sërish një situatë tensioni në vend në prag të zgjedhjeve vendore.
Skenari i Partisë Demokratike është që të mbajë situatën e tensionuar, për disa muaj me radhë, duke nxitur një valë protestash të vazhdueshme anembanë vendit./ lexo.al
- Postimet e administratorit Ndue Zefi dhe zv.kryetares së Bashkisë Lezhë, Alfrida Marku