Kopjoi të dhënat e TIMS, Drejtori i IT në Polici dyshohet se u ndihmua nga persona të tjerë, po verifikohen! Muça u fiksua nga kamerat ditën e ndërhyrjes në sistem

Pas masës “arrest në shtëpi” me vendim të gjykatës së Tiranës dhe pezullimit nga detyra të drejtorit të Teknologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit, Ervin Muço, Prokuroria e kryeqytetit është duke verifikuar persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë hyrë të paautorizuar në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën “Mine Peza” (pranë komisariatit numër 3), ku ndodhet edhe serveri qendror i bazës së të dhënave të sistemit TIMS, i cili regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit.

Këta persona – thonë burime nga Prokuroria e Tiranës – janë civilë, pra jo punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët sipas të njëjtave burime, kanë hyrë në godinë përmes ndihmës së drejtorit të IT-së dhe kanë ndërhyrë në të dhënat e sistemit TIMS, duke i kopjuar.

Zyrtarisht sipas organit të akuzës, kjo ndërhyrje në TIMS ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të 2 gushtit 2023. Personat e paautorizuar – sipas Prokurorisë- për të mos lënë gjurmë, janë futur në godinë me PIN-in (kodin) personal të një punonjëseje tjetër e cila mësohet se ndodhej me leje të zakonshme, “duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”. Jo zyrtarisht burimet thonë se të dhënat e kopjuara janë shkarkuar në kompjuterin e Ervin Muçës. Prokuroria e Tiranës mësohet se ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të SPAK për të analizuar kompjuterin e Ervin Muçës dhe mësohet nga burime se në kompjuterin e drejtorit të IT janë shkarkuar të dhënat e TIMS, për një qëllim që edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur.

Drejtori i IT në Policinë e Shtetit ka pretenduar se ka ndërhyrë në TIMS vetëm për të bërë backup, një procedurë teknike, që i kalon të dhënat në një server të jashtëm, (të palidhur me internetin), për të ruajtur arkivën në rast të sulmeve nga hakerët, siç disa sisteme të shërbimeve publike ranë pre e sulmeve kibernetike nga Irani.

Ervin Muço, i marrë në pyetje nga hetuesit, pretendon se mbrëmjen e 2 gushtit nuk ka qenë në godinën e sistemit TIMS, por burime nga Prokuroria thonë se pamjet e kamerave të sigurisë të objekteve afër drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, e kanë fiskuar Muçon afër godinës rreth orës së ndërhyrjes në sistem.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e cila konstatoi ndërhyrjen e paautorizuar në TIMS, më 8 gusht 2023, 6 ditë nga ndërhyrja, i referoi vetë prokurorisë së Tiranës të nisë hetimet për 2 vepra penale “Shpërdorim të detyrës” dhe “Hyrje e Paautorizuar Kompjuterike”, duke pasur dyshime që kopjimi i të dhënave ka ndodhur nga punonjës të brendshëm. Prokuroria e Tiranës nga ana tjetër, për hetimet e nisura më 1 shtator 2023, ka ngritur akuzë ndaj Ervin Muçës vetëm për “Hyrje të paautorizuar kompjuterike”.

Arrestimi i drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit përkon me nisjen e punës së Komisionit hetimor parlamentar të ngritur me kërkesë të opozitës, pikërisht për ngjarjen për të cilën u arrestua drejtori Muço: ndërhyrjen në sistemin TIMS.

Burimet thonë se deri në urdhrin e arrestit (të martën 9 prill), Muço ka vijuar të qëndrojë në detyrë për shkak se gjithmonë ka mbajtur qëndrim mohues, dhe ende nuk kishte mbërritur ekspertiza nga SPAK që faktoi (siç burimet theksojnë) kopjimin e të dhënave të TIMS në kompjuterin e tij.

Në kërkesën drejtuar gjykatës për masë sigurie, Prokuroria vlerëson se Muça paraqet rrezikshmëri shoqërore, dhe nëse qëndron në detyrë mund të kryejë sërish të njëjtën vepër penale.

Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë shtrirë në marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë në ditën e ngjarjes, ndërkohë që verifikimet të mëtejshme të vetë AMP mbi drejtorin Muço, kanë nxjerrë në dritë probleme dhe me të kaluarën e tij. Ervin Muço rezulton të ketë qenë nën akuzë në 2007-ën në Itali për falsifikim dokumentesh dhe i është refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit në Bari, si dhe ka mbajtur në kundërshtim me ligjin pozicionin e këshilltarit të drejtores së Kadastrës, fakt që nuk e ka deklaruar kur ka aplikuar për drejtor IT në polici.

Më 17 gusht të vitit të kaluar i Ngarkuari me punë në ambasadën amerikane Martin McDowell nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave personave, përfshirë dhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. Ervin Muça është rekrutuar në polici kur ministria e brendshme drejtohej nga Bledi Çuçi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:57
Kopjimi i të dhënave të TIMS, ekspertët e SPAK faktuan se u kaluan në kompjuterin e Ervin Muçës! Drejtori i IT në Polici përdori PIN-in e një punonjëse me leje kur u fut në godinë

Report Tv sjell detaje të reja kopjimi i të dhënave të sistemit TIMS, për të cilin drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça u arrestua një ditë më parë dhe është lënë në arrest shtëpie.

Report Tv mëson se kamerat e sigurisë kanë fiksuar Ervin Muçon mbrëmjen e 2 gushtit 2023, pranë godinës së Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën “Mine Peza” (pranë komisariatit numër 3). Vetë Muça e mohon se ka qenë mbrëmjen 2 gushtit në godinë.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se të dhënat e sistemit TIMS janë kopjuar në kompjuterin e Ervin Muços, kjo e faktuar nga ekspertët e SPAK.

Për këtë ngjarje po verifikohen edhe persona të tjerë, të cilët janë futur në godinë në mënyrë të paautorizuar. Ata dyshohet se kanë ndihmuar Muçon në kopjimin e të dhënave. Personat e paautorizuar – sipas Prokurorisë- për të mos lënë gjurmë, janë futur në godinë me PIN-in (kodin) personal të një punonjëseje tjetër e cila mësohet se ndodhej me leje të zakonshme.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Agron: 10/04/2024 21:52

    Ore po ky drejtori pergjithshem muhamet rrumbullaku a ka ndonje gram pergjegjesi per kete ngjarje ????po ky i mbyti ne verejtje cdo muaj oficerat me verejtje te standartet vetem e vetem per faktin se jane te ndershem e nuk vjedhin per ti ndare leket me keta.

    Përgjigju
  • Lindi: 10/04/2024 13:47

    Drejtorët janë problem i administratës së sotme. Qenër të lekut. Ankohesh tek ta dhe s'duan ta dinë.

    Përgjigju
    • xXx: 10/04/2024 16:41

      Merruni me 5D dhe Lali Plehrin jqe kane vjedhur 20 milion euro...

    • ???: 10/04/2024 15:14

      Po drejtoret kush i emeron dhe si i emeron mor Pllaton? Nuk ia pane surratin si hajdut xhepash kur e moren ne pune?

  • Kasem Gahinji: 10/04/2024 11:47

    Mos Ka nderhyre ndonje amerikan i ambasades dhe akuzohne kete Mucon.Ky drejtori nuk Ka te drejte te futet,ky i ambasades Ka te drejte te futet,te kontrolloje ,te herojve dhe te percaktohet "dyshimin e arsyeshme".Me te lumte more cjap,jà bere drejtorit zap.

    Përgjigju
  • Shirok: 10/04/2024 11:45

    Per ikyt njeri e kam pas fut doren ne zjarr te fikun se merret me ishtu punsh na koriti!!

    Përgjigju
    • Jjdjdjsj: 11/04/2024 01:39

      Fol shqip dekriptohu o talent abetareje dialektin mbahe kur flet me ze ne shkrim ska dialekt o dawn

  • Sapa: 10/04/2024 11:17

    Po te mos thonin amerikanet ai do ishte i lire.Por e nxjerrin prape jashte se harrohet e dalin te tjeret me krime te reja.

    Përgjigju
  • Latif: 10/04/2024 10:52

    Eh rrofte ambasada qe qeka bere si sekretari prokurorie

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi