Deutsche Welle: 9 nëntori, dita e fatit të gjermanëve

Deutsche Welle: 9 nëntori, dita e fatit të gjermanëve

Rrëzimi i Murit të Berlinit

Më 9 nëntor Gjermania feston 28 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje që ndryshoi botën. As një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, pra fundin e RDGJ-së, u zhduk nga harta politike kampi real-socialst në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 ishte një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe Evropës.

Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi nga një ballkon i Reichstag-ut (parlamenti) në Berlin se Gjermania ishte tashmë Republikë. Monarkia e perandorit Wilhelm II. kishte marrë fund: "Punëtorë dhe ushtarë, ndërgjegjësohuni mbi kuptimin historik që sjell kjo ditë. Ka ndodhur diçka e padëgjuar: Do të hasemi me punë të mëdha dhe të vështira. Gjithçka për popullin, gjithçka me popullin. Nuk do të lejohet të ndodhë asgjë që mund të cënojë nderin e lëvizjes punëtore. Jini të bashkuar, të sinqertë dhe të përgjegjshëm. E vjetra dhe e krisura - monarkia - u shemb. Rroftë e reja, rroftë Republika e Gjermanisë."

Demokracia e re në Gjermania pati një fillim të vështirë. Të majtët dhe të djathtët donin ta rrëzonin atë sa më parë. Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermani dhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore.

Gjatë kësaj lufte hebrenjtë (të ashtuquajturit çifutë) u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi zhdukja plotë e tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet çifute u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqendrimi. Pogromi u quajt në mënyrë cinike "Reichskristallnacht" dhe do të shërbente si "provë e parë gjenerale" për holokaustin. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në radhën e ditëve historike gjermane.

Një kontrast gjigant me 9 nëntorin 1989, ditën e rënies së Murit të Berlinit. "E pabesueshme" ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të RDGJ-së ju hapën krejt papritur kufinjtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e RFGJ-së dhe të disa vendeve evropiano-lindore duke kërkuar azil politik. Presioni për të lehtësuar mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të RDGJ-së kishte muaj që rritej nga dita në ditë. Por me atë që ndodhi më 9 nëntor 1989 nuk kish llogaritur kush: Kur gjatë një konference ndërkombëtare në Berlinin Lindor u deklarua, se do të hynin menjëherë në fuqi ligje të reja për lëvizjen e lirë, nuk kishte më asnjë mundësi për t´i ndaluar masat. Dhjetëra mijëra njerëz kaluan menjëherë kufirin e brendshëm të qytetit të ndarë Berlin. Gëzimi ishte në kuptimin e plotë të fjalës `pakufinj': "Pak më parë i linin njerëzit të kalonin me radhë, por pastaj i hapën portat. Dhe tani mund të kalojmë të gjithë pa treguar pasaportat apo gjë tjetër. Pa kontrolle. Unë s´kam letërnjoftim me vete."

Pas kësaj nate nuk kishte më kthim mbrapa. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shëmbjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkruajti për herë të katërt histori gjermane - por këtë rradhë histori të mrekullueshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as vështirësitë që solli në Gjermani rënia e Murit të Berlinit. Krijimi i njësisë së brendshme ka nevojë për më shumë kohë se sa ribashkimi shtetëror./ DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?