Goli i parë (i barazimit) i Anglisë në përmbysjen 1-2 kundër Norvegjisë është bërë temë e nxehtë në këtë Botëror. Norvegjia protestoi duke thënë se topi i vënë në lojë nga portieri Nyland u devijua nga një prej kabllove që mban varur kamerën e qiellit mbi fushë (spider cam), çka solli edhe golin e barazimit 1-1 për Anglinë në minutën e 45+2 nga Bellingham.
FIFA ka reaguar duke vënë në dispozicion edhe pamjet, me një grafik që sipas tyre tregon sinjalet e prekjes së topit. Organi botëror i futbollit shprehet se sensori i vendosur brenda topit nuk dërgoi sinjal në VAR që kishte pasur një devijim.
"Përpara golit të Anglisë në minutën e 45+2 kundër Norvegjisë, sensori i lidhur me topin nuk tregoi asnjë sinjal në 'rrahjet e zemrës së topit' kur ishte në ajër dhe për këtë arsye nuk kishte prova që topi preku telin sipër fushës dhe ndryshoi lëvizjen e topit", bën me dije FIFA.
Edhe pse sipas FIFA-s nuk ka pasur sinjal, në pamje duket qartë që topi merr një trajektore të çuditshme mbi fushë dhe më pas përfundon në këmbët e futbollistëve të Anglisë, nga ku 'u gatua' edhe goli i barazimit që i hapi rrugë përmbysjes dhe kualifikimit të Anglisë për në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026.
Lajmi kryesor:
Botërori 2026/ Anglia ia bën 'me hile' Norvegjisë, e përmbys 1-2 me ndihmën e devijimit 'nga qielli' dhe shkon në gjysmëfinale pas 120 minutave lojë







