Por, kjo nuk do të thotë se kjo dhelpër do të gjuhet nga gjuetarët, pasi vendimi lidhet me vaksinimin.
"Përjashtimin e gjuetisë së dhelprës së kuqe për arsye të monitorimit pas vaksinimit kundër sëmundjes së tërbimit në Shqipëri.
Lejimi i gjuetisë së dhelprës së kuqe të kryhet për realizimin e fazës së gjashtë të procesit të monitorimit pas vaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri, nëpërmjet marrjes së kampionëve të dhelprës së kuqe në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura, në ditët e enjte, e premte dhe e shtunë gjatë periudhës 9 dhjetor 2016 deri më 9 janar 2017.
Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe nëpërmjet gjuajtjes së tyre të angazhohen në të gjithë vendin 198 gjuetarë që do të sigurojnë në total 324 kampionë të dhelprave" thuhet në vendimin e qeverisë.
Vendimi i qeverisë
PËRJASHTIMIN E GJUETISË SË DHELPRËS SË KUQE NGA ZBATIMI I LIGJIT NR.61/2016, “PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, PËR QËLLIME KËRKIMORE-SHKENCORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.61/2016, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përjashtimin e gjuetisë së dhelprës së kuqe nga fusha e veprimit të ligjit nr.61/2016, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, për arsye të monitorimit pas vaksinimit kundër sëmundjes së tërbimit në Shqipëri, që realizohet në kuadër të projektit të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
2. Lejimi i gjuetisë së dhelprës së kuqe të kryhet për realizimin e fazës së gjashtë të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri, nëpërmjet marrjes së kampionëve të dhelprës së kuqe në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura, në ditët e enjte, e premte dhe e shtunë gjatë periudhës 9 dhjetor 2016 deri më 9 janar 2017.
3. Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe nëpërmjet gjuajtjes së tyre të angazhohen në të gjithë vendin 198 gjuetarë që do të sigurojnë në total 324 kampionë të dhelprave. Numri i personave, që do të realizojnë gjuetinë dhe numri i individëve/kampionëve të dhelprave që do të sigurohen, për secilin qark, jepen në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ministri i Mjedisit pajis, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, gjuetarët në çdo qark me autorizimin përkatës për marrjen e kampionëve të dhelprës së kuqe.
5. Gjatë të gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku do të kryhet kampionimi i dhelprave do të jetë i pranishëm personeli i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Qarqe, ndërkohë që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve do të inspektojë procesin në vazhdimësi.
6. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të bashkërendojë punën për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, dërgimin e tyre në laboratorët përkatës, analizimin dhe nxjerrjen e rezultateve si dhe raportimin për përfundimin e fazës së gjashtë të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri.
7. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
dy.b/shqiptarja.com