Dhimbja e kyçeve
ja si ndikon moti

Dhimbja e kyçeve <br />ja si ndikon moti
Do prishet koha, vdiqa nga kyçet!” Sa herë e keni dëgjuar këtë shprehje në shtëpitë tuaja? Ka njerëz me artrit që betohen se mund të parashikojnë motin mbështetur vetëm në dhimbjen e artikulacioneve. A ka ndonjë bazë shkencore për këtë?

Studimet
Ka disa studime që duket se tregojnë se njerëzit nuk e kanë aq gabim. Në vitin 2003, shkencëtarë japonezë kryen një nga studimet e para të dokumentuara mbi efektet e ndryshimeve të motit në artikulacionet e kafshëve. Rezultatet u botuan në Revistën Ndërkombëtare të Biometeorologjisë. Duke shkaktuar një inflamacion artificialisht në këmbën e kafshëve, e pas vendosjes së minjve në një ambient me temperaturë të ulët dhe presion të ulët atmosferik, shkencëtarët vunë re se u shtua dhimbja. Ndërsa në vitin 2007, shkencëtarët e Universitetit Tuft në Boston kryen një studim i cili tregoi se dhimbja nga artriti shtohet vazhdimisht me çdo rënie të temperaturës me 5°C. Gjithashtu, ndryshimet e presionit barometrik e shtonin dhimbjen.
Studimet te kufomat kanë zbuluar se presioni barometrik ndikon në presionin brenda artikulacioneve. Në një eksperiment, kur presioni në artikulacionin koksfofemoral (të ijëve) u barazua me presionin atmosferik, ai e nxori kokën e artikulacionit rreth 1 cm larg pozicionit normal.

Fakte
Pse ndikon presioni barometrik në artikulacionet e njerëzve apo kafshëve? Për t’iu përgjigjur kësaj duhet kuptuar fillimisht se çfarë është presioni barometrik. Një pjesë e njerëzve mendojnë se ajri nuk ka peshë, por në të vërtetë ajri përbëhet nga molekula dhe këto molekula kanë një masë të matshme. Kur flasim për presionin barometrik, flasim pikërisht për presionin që ushtron pesha e ajrit. Për të kuptuar efektin e presionit të ajrit, imagjinoni që kemi një tullumbace dhe e vendosim në një enë me vakuum. Duke qenë se presioni rreth e rrotull tullumbaces është i zvogëluar, ajri brenda saj do të zgjerohet duke ushtruar forcë mbi paretet e tullumbaces duke e fryrë këtë të fundit. E njëjta gjë ndodh me indet rreth artikulacioneve. Nëse ka ënjtje, inflamacion, apo dëmtim të mëparshëm të mekanikës së artikulacioneve, me uljen e presionit atmosferik, gazet dhe indet zgjerohen dhe perceptohet nga njerëzit si shtim i dhimbjes. Përveç kësaj, kur njerëzit kanë dhimbje kronike, ndonjëherë nervat bëhen më të ndjeshëm për shkak të dëmtimeve, inflamacionit apo adezioneve. Me këtë mekanizëm lidhet dhe aftësia “parashikuese” e të sëmurëve me artrit, duke qenë se përpara prishjes së motit ka një rënie të presionit barometrik të ajrit, gjë që perceptohet si dhimbje nga këta të sëmurë.
Pra, megjithëse shumë njerëz thonë se dhimbja shtohet nga moti i lagësht me rreshje, kërkimet kanë treguar se nuk është as era, as i ftohti e as shiu apo bora ato që ndikojnë në dhimbjen e kyçeve, por është presioni barometrik.

A duhet të zhvendoset një person që vuan nga artriti në një vend me klimë më të ngrohtë?
Jo. Zhvendosja në një ambient me klimë të ndryshme nuk duket se ka përfitime afatgjata. Studimet kanë treguar se pavarësisht vendit se ku njerëzit jetojnë, trupi vendos një ekuilibër të ri në varësi të klimës lokale. Si rezultat, ndryshimet e motit do të ndikojnë po njëlloj mbi simptomat e artritit, pavarësisht parametrave të motit.

*Shkrimi u botua në numrin e sotëm (data 30 gusht) të suplementit ALMEDICUS në të përditshmen SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete