Mjekimi shtëpiak i dhimbjes së qafës
Nëse dhimbja është e përkohshme dhe për herë të parë, këshillohen barna si paracetamoli, që ka më pak efekte anësore, por mund të përdoren edhe antiinflamatorë jo steroidë si ibuprofeni. Barnat mund të përdoren si në rrugë orale ( jo më shumë se 7-10 ditë ), ashtu dhe në formë pomadash apo kremrash të lokalizuar në pjesën ë qafës. Nëse dhimbja është ende e pranishme në 2-3 ditët e para, trajtimi nuk duhet ndërprerë, por të vazhdojë derisa dhimbja të pakësohet. Në këtë mënyrë, shmanget rikthimi i saj.
Opsione të tjera të trajtimit përfshijnë pushimin, aplikimin e kompresave të ftohta në zonën e dhimbshme, terapi fizike me masazhe, ultratinguj etj. Mund të përdoren injektime lokale të kortizonit, anestetikëve (edhe në formë pomade), relaksues muskujsh etj. Gjatë qëndrimit në shtëpi mund të përdorni qafore, të ushtroheni më lëvizje zgjatjeje (streching) si dhe të përdorni jastëke të veçantë. Trajtimi mjaft efektiv për dhimbjen kronike të qafës është akupunktura, por në vendin tone mbetet akoma e panjohur si teknikë.
Këshillohet që në 48-72 orët e para të përdorni kompresa të ftohta me akull.Më pas mund t’i zëvendësoni ato, me kompresa të ngrohta.
Ndalimi i aktivitetit fizik për disa ditë, redukton inflamacionin e si pasojë edhe dhimbjen. Pas 2-3 javësh filloni të kryeni gradualisht rikthimin në aktivitetin fizik të mëparshëm. Shmangni vrapin, futbollin, baletin, ushtrimet e aerobisë etj.
Çfarë duhet bërë nëse dhimbja është shumë frekuente?
Duhet të veprohet në shumë drejtime, por e rëndësishme është të vazhdohet aktiviteti i përditshëm. Kush vuan nga dhimbja kronike duhet të ndjekë një program rehabilitimi për të eleminuar dhimbjet dhe kthimin në normalitet. Përmes ushtrimeve specifike të qafës, këshillave dhe ushtrimeve për një posture sa më korrekte me forcimin e muskujve të shpinës si dhe me masazhe të përgjithshme për relaksimin e muskujve të kontraktuar e të lodhur, mund të përmirësohet mjaft e gjithë simptomatika.
Po nëse dhimbja zgjat dhe nuk qetësohet me kohën?
Kjo do të thotë që shkaku nuk është thjesht një tërheqje muskulare. Ju duhet patjetër t’i drejtoheni mjekut ortoped i cili pasi t`ju pyesë, kryeni analizat dhe ekzaminimet e duhura, do t`ju orientojë drejt një zgjidhjeje permanente.
