Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, është 'me dhimbje koke' sa i takon sulmit për në ekipin kombëtar të Shqipërisë në futboll. Pas Armando Brojës dhe Mirlind Dakut, është Rey Manaj ai që i bashkohet infermierisë së ekipit kuqezi. Sulmuesi shqiptar, i cili mungoi dje në fitoren e Sivasspor kundër Hatayaspor në Turqi, po vuan nga një dëmtim muskulor në pjesën e sipërme të kofshës së majtë.

"Rey Manaj është diagnostikuar me një dëmtim muskulor në pjesën e sipërme të kofshës së majtë, ndërsa Jonathan Okoronkwo me një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë. Ekipi ynë mjekësor po mbikëqyr me kujdes rehabilitimin e lojtarëve tanë", bën me dije klubi i Sivassporit në Turqi.

Javën e ardhshme trajneri Sylvinho pritet të bëjë me dije listën me 25 futbollistët e ftuar për ndeshjen kundër Polonisë, e cila vlen për play-off-in e Kupës së Botës 2026 dhe do të luhet më 26 mars në Varshavë.