Përbërësit:
- 500 gr miell i bardhë
- 5 vezë mesatare
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 majë luge kripë
- 2 lugë gjelle sheqer
- 1–2 lugë gjelle ujë
- 400 ml vaj vegjetal për skuqje
Për shurupin:
- 800 gr sheqer
- 800 ml ujë
- 2 shkopinj kanelle
- 50 gr mjaltë
- Lëngu nga 1/2 limon
Për servirje:
- Mjaltë
- Arra të shtypura trashë
Përgatitja:
Vendosim në mikser: miellin, vezët, vajin e ullirit, kripën dhe sheqerin. E rrahim për 1–2 minuta, e heqim nga mikseri dhe vazhdojmë përzierjen me dorë derisa të formohet brumë. E kthejmë sërish në mikser për 1–2 minuta të tjera. Nëse brumi del shumë i ngurtë, shtojmë 1-2 lugë gjelle ujë. Pasi brumi të jetë gati, e ndajmë në 5 copa të barabarta dhe secilën e formojmë në disk. I mbështjellim me qese kuzhine dhe i fusim në frigorifer 1 orë për t’u pushuar. Nxjerrim brumin nga frigoriferi dhe heqim mbështjellëset. Spërkasim tavolinën me miell. Me një okllai hapim secilin disk në petë shumë të hollë (duhet të jetë sa më transparente). Gjatë hapjes shtojmë vazhdimisht pak miell që të mos ngjitet. I presim anët për t’i dhënë formë katrore. E ndajmë çdo petë në 4 katrorë të barabartë. Duhet të kemi 20 katrorë + copat e vogla të mbetura anash. Ngrohim vajin vegjetal në një tigan të thellë, në zjarr mesatar të fortë. Në një tepsi vendosim letër thithëse. Hedhim në vaj një katror pete dhe me dy pirunë e rrotullojmë shpejt në formë cilindri. I skuqim për rreth 30 sekonda, derisa të marrin ngjyrë të artë dhe i vendosim mbi letrën thithëse. Përsërisim procesin për të gjitha katrorët dhe në fund skuqim edhe copat e parregullta duke u dhënë formën që duam. E heqim tiganin nga nxehtësia. Përgatitim shurupin,në një tenxhere hedhim sheqerin, ujin, shkopinjtë e kanellës, lëngun e limonit dhe mjaltin. I vendosim në zjarr të fortë dhe i lëmë të marrin valë derisa të shkrihet sheqeri plotësisht. E heqim nga zjarri. Hedhim díplet brenda për 5 sekonda, i kthejmë lehtë dhe i nxjerrim menjëherë. I vendosim në pjatë, i spërkasim me mjaltë dhe arra të shtypura.
Komente












