Në 10-vjetorin e transformimit të Urgjencës Kombëtare, kryeministri Rama jo vetëm kujtoi ndryshimin rrënjësor që i është bërë këtij shërbimi, por tha se do të shihet mundësia për rikonceptimin e tij në mënyrë që të jetë më efikas për qytetarët.
Urgjencat e të gjitha llojeve qoftë të natyrës mjekësore, kriminale apo mjedisore sipas kryeministrit duhet të bashkohen në një linjë të vetme shërbimi dhe në një godinë.
“Të gjitha thirrjet dhe sinjali i parë i një urgjence, qoftë i natyrës mjekësore, qoftë i natyrës mjedisore, qoftë e natyrës kriminale duhet të vijnë në një vend dhe nga ai vend duhet të shpërndahen, në një godinë, në një njësi të ndarë, ose më saktë në një trupë të ndarë në tre njësi të ndryshme totalisht autonome nga njëra tjetra por me të njëjtin sistem. Ky hap tanimë është hap që i ka ardhur koha dhe ne do ta bëjmë dhe këtë sepse në shumë raste ndodh që këto trupa kane nevojë për njëra tjetrën. Këto trupa kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe natyrisht shpesh secila nga të tre të parat ka nevojë për urgjencën mjekësore nga mbrapa. Jo thjeshte ndodhi një plagosje dhe niset thjeshtë policia, por niset njëkohësisht dhe urgjenca ose anasjelltas”, tha Rama.
![]()
Ai shtoi se flota e autoambulancave është trefishuar, dhe ato janë pajisur me aparatura moderne, duke garantuar ndërhyrje të shpejtë e të sigurt në çdo cep të vendit.
"Urgjenca Kombëtare është një nga krenaritë për reformat që kemi bërë, një histori turpi u kthye në histori suksesi. Krenari si u transfromua nga pikëpamja e burimeve njerëzore, ose e atyre që patën fatin të mos dalin në pension pa e parë një ambulancë, siç patën dhe emocione, jo nga ato që nuk shpëton dot tjetrin dhe fiket makina rrugës. Nuk u lë gjë mangut urgjencave të vendeve të tjera", tha kryeministri.
Por kreu i qeverisë nuk harroi edhe "lumin e shpifjeve dhe akuzave" si në rastin e ngjarjes së Pogradecit, kur u tha nëpër media nga "qeneria politike dhe mediatike" se ambulanca ishte vonuar 40 minuta, kur në të vërtetë ishte vonuar vetëm 7 minuta.
"Çfarë nuk dëgjuan këto heronj të heshtur të rastit të Pogradecit, në mënyrë të qëllimtë nga media dhe politika, iu tregua gënjeshtër e madhe shqiptarëve duke u thënë se ishte vonuar urgjenca 40 minuta. Kjo nuk ndodh dhe sot kjo nuk është çështje tregimesh sot, por në regjistrin dhe bankën e të dhënave elektronike që ka njësia. Mund të shkosh ta verifikosh kur u dha thirrja, kush e mori, kur u nis misioni dhe kur arriti e në përfundim. Dhe faktikisht urgjenca kishte shkuar për 7 minuta. U ngritën e gjithë qenëria siç ngrihet çdo natë, ne jemi mësuar me qenërinë e rrugëve te penxherja, kurse tani ka qenë që lehin te ekrani i televizorit", nënvizoi Rama.
Marrë shkak nga kjo situatë, ai deklaroi se thirrjet këtej e tutje do menaxhoheshin nga një vend, Urgjenca Kombëtare, ku më tej do shpërndaheshin sipas kategorive: Polici, Emergjenca Civile apo dhe Mjekësore, ku trupat bashkëpunojnë mes tyre, ku Policia shkon bashkë me ambulancën në vendngjarje dhe anasjelltas.
"Çdo thirrje duhet të vijë në një vend dhe më tej të shpërndahet sipas kategorisë, qoftë thirrje për ndihmë mjekësore, kriminale etj. Është hap që ka ardhur koha, ta bëjmë e këtë, sepse ndodh që këto trupa kanë nevojë për njëra-tjetrën. Sepse nuk thërritet Policia vetëm për ndihmë policore apo urgjenca për ndihmë mjekësore, kanë nevojë për njëra-tjetrën. Jo ndodhi plagosje dhe niset policia, por niset edhe urgjenca, ose anasjelltas", njoftoi kreu i qeverisë.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, renditi edhe shifrat, duke theksuar se dikur kishte vetëm 10 thirrje apo vizita në ditë, kurse sot ato janë dhjetëfishuar. Brataj vuri në dukje edhe momentet e vështira dhe sakrificës së mjekëve në dy situata të vështira, si tërmeti i vitit 2019 dhe disa muaj më pas pandemia e Covid-19. Ai prezantoi edhe flotën e re të mjeteve dhe mjetet e sofistikuara mjekësore me të cilat qëndra është pajisur. Brataj kërkoi edhe mbështetjen e mëtejshme nga qeveria me anë të buxhetit të shtetit.
Kurse ministrja Koçiu, teksa renditi edhe shifrat dhe rezultatet, tha se këto pajisje të siguruara ishin të certifikuara dhe madje të pajisura me GPS.
"Fal fuqizimit të këtij shërbimi kemi një Urgjencë Kombëtare që i përgjigjet nevojave dhe emergjencave të qytetarëve, por që mirëpret edhe mijëra turistë, sidomos me qendrat shëndetësore aty ku ka fluks turistësh. 80 mijë pushues që asistuan. Koha e mbërritjes së ambulancave, fal pajisjeve bashkëkohore, është shkurtuar dhe ndihma jepet në kohë. Sot urgjenca mjekësore është më pranë njerëzve, sigurisht duhet të jetë edhe më pranë. Por nuk kanë qenë kurrë më parë kaq afër dhe misioni është shpëtimi i jetëve të njerëzve. Sektori shëndetësor është transformuar", tha ministrja ndër të tjera.
Në këtë aktivitet u prezantuan edhe pajisjet dhe aparaturat më moderne me të cilat është pajisur shërbimi spitalor, përfshi edhe helikopterin që shërben për emergjencat shëndetësore dhe ambulancat e fjalës së fundit.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e 10-vjetorit të ngritjes dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencave mjekësore.
Në fund të fjalës së tij, Ramës iu dhurua një jelek që është pjesë e uniformës zyrtare të punonjësve të urgjencës, të personalizuar me emrin e tij.
Jeleku iu dha nga Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, ndërsa Rama përveç faleminderimit nuk i munguan as batutat.
“Nuk ju premtoj që kur ta vesh do të kem ndonjë urgjencë, por do ta vesh me kënaqësi dhe besoj që ju do ma toleroni që ta vesh për qejfin e ngjyrave që ka edhe pse ndonjëherë mund ta përdor kur të shkoj të rraf ministrat në qeveri”,- tha Rama.
Komente

