“Me atë votë që symbyllur, të gjithë ata që e kanë parë si njeriun e tyre Saliun dhe që e kanë parë si partinë e tyre PD-në, sot nuk duhet të kishte një shtëpi të palegalizuar, ndërkohë që 95% të shtëpive janë sot e gjithë ditën të palegalizuara. Edhe ato që janë legalizuar ju e dini mirë si janë legalizuar, duke paguar mbi dorë e nën dorë dhe duke mbetur pastaj te dyert e hipotekave që thonë, mirë letrat e legalizimit i ke marrë, po ke dhe ca probleme të tjera”.
Kështu, i pari që ka deklaruar shkëputjen nga PD-ja ka qenë Arjan Zefi, nënkryetar i kësaj partie për Kamzën. “Jam këtu për të deklaruar shkëputjen përfundimtare nga Partia Demokratike. Idealet e mia për të cilat vuajtën, u persekutuan dhe u masakruan të parët e mi, janë nëpërkëmbur keq nga administrata e korruptuar e instaluar në qeverisjen e PD-së”, tha Zefi.
Pas tij fjalën e ka marrë Fate Shehu, e bija e Sheh Ismailit të Buzëmadhes, një figurë e njohur për banorët e kësaj zone, por edhe më gjerë, e cila është shprehur:
“Të shesësh detin, të sjellësh plehrat nga jashtë, të vjedhësh dhe dhunosh qytetarët është krim dhe babai im Sheh Ismaili kurrë nuk e ka mbështetur këtë. Në respekt të amanetit të babit tim unë jam këtu që të bashkohem me të mirën, me Rilindjen, me Edi Ramën, në luftë kundër së keqes që ka mbërthyer këtë vend. Zoti na ndihmoftë”.
Rahman Sokoli, me profesion inxhinier, ishte një tjetër përfaqësues i një familjeje të persekutuar nga regjimi komunist dhe që prej 22 vjetësh ka mbështetur PD-në. Në fjalën e tij ai ka thënë: “Nuk jemi ne që kemi tradhtuar PD-në, nuk jemi ne që kemi tradhtuar Sali Berishën, janë ata që na kanë tradhtuar ne. Ata duhet të ndihen fajtorë për këtë dhe nuk është aspak faji jonë për këtë. Ndaj nuk duhet të ndiejmë asnjë pendim që në 23 qershor do të votojmë të ardhmen, do të votojmë Rilindjen, do të votojmë Edi Ramën”.
Abaz Hoxha, një mësues me banim në Paskuqan, u ka bërë thirrje të gjithë të zhgënjyerve nga qeverisja e PD që t’i bashkohen Rilindjes. “Personalisht unë, ftoj gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, që janë zhgënjyer gjatë gjithë këtyre viteve nga kjo parti me kryeministër Sali Berishën, i ftoj t’i bashkohen ndryshimit për një Rilindje Shqiptare”, është shprehur Hoxha.
Halim Kuçi, me origjinë nga Reçi i Dibrës, një tjetër përfaqësues i shtresës së të përndjekurve politikë, po ashtu, ka shprehur arsyet e veta për largimin nga PD dhe bashkimin me projektin e Rilindjes. “Kam 22 vjet që aderoj në Partinë Demokratike dhe jam demokrat i flaktë. Por ka 8 vjet që Sali Berisha po na zhgënjen.
Besoj se Kamza duhet ta kuptojë shumë mirë se ku na ka çuar Berisha me gjithë këto ndërtime pa legalizuar, pa bërë asnjë gjë, pa kanalizime, pa urbanizim dhe vetëm duke vjedhur çdo ditë”, ka thënë Kuçi, ndërsa një tjetër pjesëmarrës në takim që e ka marrë fjalën ka qenë Fillim Meta, anëtar i PD-së prej vitesh u shpreh se përkushtimi i njerëzve të thjeshtë është keqpërdorur nga kjo forcë politike: “Kush është shqiptar dhe e do këtë vend nuk ka më lidhje me qeverinë Berisha. I kemi shërbyer mbi 15 vjet PD-së, por ajo na ka zhgënjyer. Sot na vjen turp për të gjithë përkushtimin që i kemi demonstruar në vite, por që është keqpërdorur për t’u pasuruar qeveritarët dhe për të dhunuar e nëpërkëmbur idealet tona”, ka thënë Meta.
Në përfundim të takimit, Rama ka thënë: “Vota e 23 qershorit do të jetë një votë për t’u dhënë mundësi të gjitha familjeve që jetojnë në shtëpi të ndërtuara me gjakun dhe sakrificat e tyre dhe që sot e gjithë ditën nuk i gëzojnë dot si pronë të tyre, që nën kujdesin e qeverisë tonë dhe nën kujdesin tim personal të marrin atë që për 20 vjet nuk e kanë marrë dot: Legalizimin e shtëpive të tyre. Por jo vetëm legalizimin, por edhe një transformim që t’i kthejë këto zona në pjesë të integruara të qytetit.”
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)