Dhjetëra misione diplomatike, por vetëm shtatë atashe ushtarakë në Kosovë

Dhjetëra misione diplomatike, por vetëm shtatë atashe ushtarakë në Kosovë

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Nga mbi 60 ambasada dhe konsullata, sa ka Republika e Kosovës në botë, në vetëm shtatë prej tyre ka atashe ushtarakë. Këta të dërguar të Kosovës shërbejnë aktualisht në misionet në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Francë, Turqi, Shqipëri dhe Kroaci.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës thonë se janë në proces të vlerësimeve të brendshme me Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të rritur numrin e atasheve në shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

“Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, aktualisht, ka numrin e atasheve të mbrojtjes në përputhje me politikat e saj në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe të procesit të integrimeve në strukturat rajonale dhe euroatlantike të mbrojtjes”, thotë për Radion Evropa e Lirë kolonel Sefer Isufi, shef për komunikime strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas ligjit në Kosovë, detyrë e atasheve të mbrojtjes është që të zhvillojnë dhe promovojnë interesat e mbrojtjes në vendin ku janë caktuar, si dhe të forcojnë marrëdhëniet ushtarake dhe të mbrojtjes me atë vend.

Atashe i mbrojtjes është një pjesëtar aktiv i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai nuk është diplomat karriere, por gëzon imunitet diplomatik sipas akteve dhe konventave ndërkombëtare në fuqi.Atasheu zgjidhet pas kalimit të disa konkurseve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas, me propozimin e kësaj ministrie, kalon në konsultim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe procedohet tutje.

Isufi thotë se fokus i Ministrisë së Mbrojtjes është fuqizimi i mëtejshëm i autoritetit të atasheut ushtarak në vendet që e mbështesin vazhdimisht Kosovën dhe që kanë zë në vendimmarrje, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë globale.

Ai nuk përmend me emër konkret ndonjë vend, ku synohet të dërgohen atashe të rinj. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, thotë se dërgimi i atasheve ushtarakë në shtete të ndryshme, përcaktohet në bazë të planeve dhe prioriteteve që i ka Kosova.

“Për shkak të ndjeshmërisë në mbrojtje dhe siguri, sigurisht se [puna e atasheve ushtarakë] nuk reflektohet në publik, sikurse punët e tjera që mund të reflektohen. Por, synime dhe suksese të këtyre atasheve janë ato që e përafrojnë ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ushtritë e vendeve pritëse, e gjithashtu me organizata të ndryshme të mbrojtjes, siç është NATO”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Takimi me emigrantët në Athinë, Rama i përgjigjet opozitës greke: S’ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë dhe as zgjedhjet e Parlamentit Evropian

Takimi me emigrantët në Athinë, Rama i përgjigjet opozitës greke: S’ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë dhe as zgjedhjet e Parlamentit Evropian