Dhjetor 2013, më pak vrasje dhe
aksidente kapet më shumë drogë

TIRANE- Më pak vrasje dhe aksidente, më tepër luftë ndaj ndërtimeve pa lejë, shtim të masave ndaj dhunës në familje, kujdes në ruajtjen e pyjeve dhe rritje të efektshmërisë së punës së Policisë së Shtetit. Këtë përkufizoi dje Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, teksa dha një konferencë për shtyp, në të cilën prezantoi rezultatet dhe treguesit e punës për muajin Dhjetor 2013. Kryepolici Artan Didi nuk preferoi të fliste. Kryeministri Rama, në FB falënderoi policinë për rezultatet. Fillimisht ministri Tahiri uroi një vit të paqtë e më tej falënderoi të tijtë për sigurimin e numrit historik minimal të ngjarjeve kriminale dhe aksidenteve rrugore gjatë 20 viteve të fundit, përgjatë një muaji të ngarkuar me festa e flukse të mëdha.

Nuk harroi pa falënderuar Patrullën e Përgjithshme, inspektorët e rendit, ata të Krimeve, FNSH-në, RENEA-n, kufitarët, Gardën e Republikës dhe krerët më të lartë të policisë. Pasi prezantoi shifrat, Tahiri tha se “Deri në dhjetor ne kemi përfunduar fazën e parë të reformimit të Policisë së Shtetit. Nga janari fillon faza e dytë e reformimit për të garantuar brenda 200 ditëve të mbetura Rilindjen e plotë të Policisë së Shtetit duke siguruar shndërrimin e saj në standardet më të larta si institucion demokratik, transparent, i hapur ndaj publikut dhe mbi të gjitha në gjendje të plotë për të luftuar kriminalitetin dhe aksidentet rrugore, por po kështu për të pasur forcën reaguese. Për këtë arsye Kryeministri, Qeveria dhe Parlamenti në vetëdijen më të lartë dhe përgjegjësinë publike ndaj qytetarëve mbështetën kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke miratuar  paketën e mbështetjes buxhetore dhe financiare më të plotë në historinë e Policisë së Shtetit, përfshirë këtu edhe rritjen e pagave më të madhe ndonjëherë për punonjësit e Policisë së Shtetit”.

Për arsimin e policëve Ministri i Brendshëm shtoi se “Dëshiroj edhe personalisht të ftoj të rinjtë dhe të rejat, qytetarë shqiptarë që të aplikojnë. Aplikimet përfundojnë në 20 janar, ndërkohë që testi i parë do të zhvillohet në datë 3 shkurt”. Në fund Tahiri theksoi se “Sot Policia e Shtetit nuk njeh asnjë të paprekshëm, asnjë lloj imuniteti dhe imunitarësh, nuk njeh qytetarë të pabarabartë ndaj ligjit”, teksa shtoi se priste të reja prej bluve.

Pyetje-përgjigjet
Ministri i’u përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve, ku për grabitjen e “babagjyshëve” në TEG, tha se “grabitja, lidhur kjo edhe me disa grabitje të tjera të ndodhura gjatë muajve të fundit, është duke u ndjekur intensivisht, hetimet vijojnë. Hyn te ai grup çështjesh për të cilat kërkohet bashkëpunim intensiv nga publiku”. Sakaq, përsa i takon fazës së parë të reformës që është mbyllur në dhjetor, ministri tha se “Vetëm brenda një hoteli, ku përmblidhet DPPSH, rrinin brenda mbi 800 punonjës policie, drejtues të lartë, të cilët shkëpusnin në njëfarë mënyre shërbimin policor ndaj qytetarëve. Ne e kemi zbritur poshtë strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit, duke garantuar shërbim sa më afër qytetarëve dhe duke besuar që puna e policisë mbi të gjitha vlen kur është në terren, në rrugë”.

Ndërkaq, për pjesën e PD-së e shprehjen “Bravo çuna!”, ku opozita e quan një gjë të gabuar këtë përkrahje të forcave RENEA në vrasjen e Gazmir Markut, ministri Tahiri konstatoi se “Është kritikë që po e quaj e pavend dhe abuzive, e para sepse punonjësit e Policisë së Shtetit garantuan zbatimin e ligjit në kushte ekstreme, përballë një personi që shfaqte rrezik të shtuar potencial publik ndaj qytetarëve dhe vetë punonjësve të Policisë. Ndaj e ripërsëris, pa i hequr asnjë presje, falënderimin tim për punonjësit e Policisë që morën pjesë në atë aksion, përfshirë veçanërisht këtu punonjësit e Policisë së qarkut të Durrësit, FNSH dhe repartin RENEA. Unë besoj se përfaqësojmë dy modele të ndryshme: Sali Berisha dhe opozita e sotme përfaqësojnë modelin që shpërblyen ditën e nesërme të 21 janarit disa punonjës të Gardës së Republikës që vranë 4 qytetarë të pafajshëm; shpërblyen financiarisht gati 2 milion USD punonjësit e Gardës së Republikës, grupin e zjarrit që vranë qytetarë të pafajshëm në bulevard”.

Për tritolin në shtyllën e tensionit të lartë në Milot, ministri tha se “Është cilësuar prej nesh me të drejtë në bashkëpunim me Prokurorinë, si akt terrorist. Është një ngjarje goxha e rëndë për sa kohë: e para punës na rikthen në memorie atë që të gjithë kemi jetuar në vitet 2000-2002, që përkojnë prapë me opozitën e Sali Berishës. Por ndërkohë shënon aktin e parë terrorist në të cilin mesazhet politike janë të qarta. Do të ftoja këdo, përfshirë këtu dhe opozitën dhe vetë Sali Berishën, të njoftojë Policinë e Shtetit në rast se ka informacione të veçanta për autorë të mundshëm”.

Krahasuar me dhjetorin  e kaluar
 
Treguesit kundër  kriminalitetit në dhjetor 2013
 
 
Lufta ndaj drogës
 
55 për qind më e lartë
Autorë të proceduar
 
60 për qind më shumë
 
Lufta kundër trafiqeve
 
167 për qind më e lartë
 
168 për qind më shumë
autorë të proceduar
 
Lufta ndaj krimit ekonomik e korrupsionit
 
122 për qind  më shumë
për veprat penale
 
160 për qind më shumë 
për autorët e proceduar
 
Krimi kundër personit
 
55 për qind më pak vrasje
29 për qind më
shumë kapje të kërkuarish
 
Qarkullimi rrugor
 
13 për qind më pak
aksidente total
 
38 për qind më
pak me të vdekur
 
20 për qind më
pak të plagosur
 
50 për qind më
shumë gjoba
 
Dhuna në familje
 
45 për qind më shumë
vepra penale
 
46 për qind më shumë
autorë proceduar

Ndërtimet pa lejë
 
27 herë më shumë
evidentime

Prerja e pyjeve
 
38 herë më shumë
procedime
 

Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Vota e diasporës/ Kthupi në Repolitix: Mos prisni të bëjë ndryshime radikale, partitë e mëdha nuk e duan

Vota e diasporës/ Kthupi në Repolitix: Mos prisni të bëjë ndryshime radikale, partitë e mëdha nuk e duan