TIRANE- Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë takimit që zhvilloi Sali Berisha me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë, në prani të zv.ambasadorit të SHBA në Tiranë, bizneset e grupuara në këtë Dhomë deklaruan se po përballeshin me një fushatë gjobëvënieje nga inspektorët e taksave dhe tatimeve, duke keqinterpretuar kuadrin ligjor dhe duke vendosur gjoba selektive.

Dhoma Amerikane e Tregtisë, e shqetësuar nga kjo klimë në raportet e biznesit me qeverinë, i kërkoi kryeministrit Sali Berisha ndërprerjen e kësaj fushate, e cila, sipas tyre, “ngjan e motivuar politikisht”.

Presidenti i Dhomës David Anderson, vuri theksin tek fakti se klima e biznesit në vend është dëmtuar nga mungesa e dialogut mes biznesit dhe qeverisë dhe sjelljes abuzive të administratës.

Ai solli raste konkrete të sjelljes joprofesionale të inspektorëve, mandati i të cilëve duket se është për të vendosur gjoba, tha Anderson.

“Një fushatë e ashpër e zyrës së taksave është vënë re atje ku inspektorët e taksave ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme interpretimin dhe zbatimin e ligjeve, duke përfshirë edhe gjoba të mëdha mbi një aktivitet, për të cilin është kryer më parë një inspektim. Dhoma Amerikane ka shembuj të sjelljes joprofesionale të inspektorëve të taksave, mandati i të cilëve duket se është për të vendosur gjoba, pavarësisht se bizneset i kanë bërë pagesat sipas ligjit ekzistues. Kjo situatë është larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin”, deklaroi David Anderson, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)