Ka përfunduar me shumë tension dhe tentativa për përplasje fizike ndeshja në Vlorë mes Flamurtarit dhe Elbasanit. Për shkak të historikut të dhunës në sfdat e kaluara, acarimi u pa që në minutat e para të lojës, ndërsa 700 forca policia, përfshirë ata të ndërhyrjes së shpejtë ishin të angazhuar për të ruajtur qetësinë. Kjo nuk e shmangu përplasjen në distancë dhe hedhjen e sendeve kundrejt njëri-tjetrit në pjesën e parë. Gjakrat u ndezën më shumë mes tifozërive në pjesën e dytë, ndërsa në përfundim të ndeshjes situata përcipitoi.

Tifozë vlonjat hynë në aneksin e stadiumit të Flamurtarit dhe tentuan të konfrontoheshin me futbollistët e Elbasanit. Mes palëve pati të shara dhe kërcënime, ndërsa veëm falë ndërhyrjes së policisë u shmang dhuna fizike. Sa i takon duelit në fushë Elbasani ia doli të fitonte me rezultatin 1-2, duke përkeqësuar situatën e Flamurtarit që lufton për mbijetesë. Ndeshja në Vlorë pati edhe një moment paniku, pasi portieri i Elbasanit Jarnaçek u godit në kokë dhe u transportua me urgjencë në spital. Kjo solli ndërprerjen për rreth 15 minuta në pjesën e dytë, pasi rikthimi i ambulancës në fushë u vonua.

Disfata kundër Elbasanit në shtëpi bëhet më e hidhur për vlonjatët për faktin se Tirana arriti të fitonte me rezultatin 1-0 kundër Bylisit, në atë që u cilësua si një derbi mbijetese. Për shkak të 3 pikëve që siguruan bardheblutë Flamurtari u rikthye të jetë në vendin e fundit në Superligë dhe rrezikon tej mase zbritjen në kategorinë e parë.

Më herët, për javën e 28 të Superligës, Egnatia e vendit të dytë barazoi pa gola kundër Vllaznisë kryesuese.