ATHINE -  Pas denoncimit në TVA1 REPORT të shkeljes së të drejtave të të burgosurve shqiptarë në Greqi ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishin është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Drejtësisë greke, Marinos Skandamis.

Burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme bënë të ditur se bashkëbiseduesit u fokusuan në veçanti në situatën e shtetasve shqiptarë të burgosur në Greqi. Në këtë kontekst, ambasadori Dervishi i shprehu shqetësimin Sekretarit Skandamis ndaj ngjarjeve të fundit në burgjet greke që lidhen me shkeljen e të drejtave të të burgosurve, veçanërisht atyre shqiptarë.

Përfaqësuesi i lartë grek, nga ana e tij informoi se Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar të merren masa konkrete për të siguruar respektimin e të drejtave të të dënuarve konform akteve evropiane e ndërkombëtare, referuar këtu edhe rastit të burgut të Grevenasë, për të cilën është urdhëruar Prokurori i Përgjithshëm të fillojë hetime për gjetjen e fajtorëve lidhur me ushtrimin e dhunës.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe në lidhje me bashkëpunimin e mëtejshëm dypalësh në fushën e drejtësisë dhe për nevojën e përmirësimit të kushteve për shtetasit shqiptarë në burgjet greke. Duke evidentuar komunikimin efikas të deritanishëm mes ministrive të drejtësisë të dy vendeve tona, bashkëbiseduesit theksuan se në kushtet e krizës së përgjithshme greke, e cila ka kapur edhe burgjet, si dhe të mbingarkesës që ato kanë aktualisht me të dënuar, është e nevojshme të vendoset komunikim i drejtpërdrejtë mes Ministrive të dy vendeve, për të gjetur mundësitë e riatdhesimit të të burgosurve shqiptarë në atdhe, në mënyrë që shlyerja e dënimit dhe rehabilitimit të ndikohet edhe nga afërsia me familjet e tyre.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)