Dhuna me bazë gjinore a vjen e shtohet dita ditës edhe pse roli i gruas në shoqëri është shumë thelbëor.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare i ka bërë thirrje të gjithëve që të mos hezitojnë për zbatimin e masave kundër dhunës në familje, duke filluar nga qytetarët e deri tek forcat politike dhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të vendit.

"Dhuna në familje është tashmë një krizë e shoqërisë sonë, por shpesh ajo shndërrohet në një emergjencë kombëtare. Kur vdekja vjen nga dhuna në familje, zija mbulon të gjithë shoqërinë.

Organizatat e Rrjetit të monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore shprehin hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së dy nënave e të vëllait të dashur, prej dhunës në familje.

Këto ndodhi në të njëjtën ditë janë një rastësi, por edhe një tregues i dështimit tonë për të parandaluar vdekjet që vijnë nga brenda familjes.

Çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të reagojnë jo vetëm institucionet përgjegjëse, por të gjithë ne. Reagimi ynë si shoqëri është i rëndësishëm jo vetëm për parandalimin e dhunës, por edhe për të kërkuar llogari ndaj institucioneve që kanë detyrë të parandalojnë dhunën në familje.

Në radhë të parë, kjo letër është një thirrje e hapur për forcat politike dhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të vendit. Të shqetësuar vetëm për krizat politike që prodhojnë çdo ditë, të mbyllur në karuselin e tyre ciklik, nuk e kthejnë vëmendjen e duhur ndaj krizës që po sjell përditë për shoqërinë shqiptare dhuna në familje. Të shqetësuar vetëm për çështjet e qeverisjes, harrojnë që ky fenomen e gërryen një shoqëri të shëndoshë, më tepër se fatkeqësitë e tjera. Por, mbi të gjitha, sherrnaja politike dhe gjuha e urrejtjes, nxisin sherret e dhunën në familje.

Së dyti, kjo është një thirrje e hapur për institucionet ligjzbatuese të masave kundër dhunës në familje. Kuvendi shton masat kundër dhunës në ligj, por ato nuk zbatohen. Prej dy vjetësh që kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër dhunës në familje, institucionet përgjegjëse, në mënyrë të veçantë Policia e Bashkia, nuk po i zbatojnë ato. Institucionet janë krejt të paafta të bashkëpunojnë me njëri tjetrin në mekanizmin kundër dhunës. Të mbytur nga kompetencat e mbivendosura dhe paragjykimet e shumta, profesionistët tërhiqen nga zbatimi i sanksioneve të ligjit. Ata u nënshtrohen presionit të koncepteve shoqërore për të mbajtur të pajtuar një familje nën dhunë.

Së treti, kjo është një thirrje e hapur për institucionet e ndjekjes penale. Institucionet e ndjekjes penale fshihen pas urdhrave të mbrojtjes, duke u qarë se nuk gjejnë prova për procesin penal. Policia e Shtetit ka humbur strukturat e specializuara vetëm për zbatimin e ligjit kundër dhunës në familje.

Së katërti, kjo thirrje është për veten tonë dhe shoqërinë, për fqinjin, mësuesin, familjarin, punonjësin social, psikologun. Kemi detyrë të forcojmë zërin tonë kundër dhunës në familje. Vetëm në këtë mënyrë, jo vetëm denoncojmë rastin e dhunës, por denoncojmë edhe heshtjen e institucioneve. Kështu forcojmë edhe kërkesën e llogarisë sonë, kur institucionet heshtin ose hezitojnë.

Nuk ka kthim mbrapa! Kuvendi të forcojë masat ligjore kundër dhunës në familje; Ne, të forcojmë edhe njëherë zërin tonë për institucionet: Asnjë hezitim për zbatimin e masave kundër dhunës në familje!

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim

AËEN-Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri

Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare

Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar

Strehëza për Gratë dhe Vajzat e Dhunuara

Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë

Qendra Shqiptare per Zhvillimin e Familjes

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin

Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”

Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara

Fondacioni Mary Ëard Loreto

Qendra për Zhvillimin e Grave Rurale".