Dhuna në familje,mekanizmat që
rrisin shpresën e luftojnë fenomenin 

Dhuna në familje,mekanizmat që<br />rrisin shpresën e luftojnë fenomenin 
Dhuna në familje shfaqet me përmasa shqetësuese me forma ekstreme krimesh duke u kthyer në problemin kryesor të shoqërisë shqiptare sot. Organizma ndërkombëtarë kanë kohë që punojnë në këto fusha duke krijuar mekanizma në bashkëpunim me strukturat shtetërore që ti vijnë në ndihmë viktimave të dhunës. Rastet e referuara të dhunës në familje tregojnë rritje ndërgjegjësimi. 45 gra kanë denoncuar dhunë në familje gjatë muajit të kaluar në Elbasan. Gati dy gra në ditë dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshorti në këtë qark sipas të dhënave zyrtare. Sipas informacioneve të Forumit të Gruas që veç shërbimeve të tjera për viktimat e dhunës administron, strehëzën (sheltër) për gra dhe vajza të dhunuara, numri i denoncimeve ka ardhur duke u rritur nga viti në vit.  Sipas koordinatores së Forumit, Gentjana Hasalla, ndërgjegjësimi ka sjellë rritjen e rasteve që i drejtohen qendrës dhe kërkojnë urdhra mbrojtje në gjykatë. Ndërkohë avokatja e qendrës Soela Kurti konfirmon se urdhrat e mbrojtjes përballen me një sërë vështirësish në zbatim. "Përdorimi i alkoolit, lojërat e fatit dhe mentaliteti ndikojnë në shtimin e rasteve të dhunës në familje. Në vorbullën e dhunës përfundojnë edhe fëmijët".

Ndërkohë në Pogradec 6 gra kanë kërkuar asistencë nga shoqata "Unë gruaja" pas dhunës së pësuar në familje gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave nga OJF që kanë përfituar mbështetje, rastet e grave të dhunuara kanë ardhur duke u shtuar duke e lidhur këtë fakt me ndërgjegjësimin dhe shfrytëzimin e mundësive që jep ligji me mekanizmat e krijuar për të denoncuar dhunën.

Por tashmë gratë e dhunuara e kanë mundësi të largohen nga dhuna. Falë programit të përbashkët për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore apo dhunës në familje të zbatuar nga agjencitë e OKB në Shqipëri, të financuar nga qeveria suedeze, janë ngritur mekanizma të plotë referimi dhe institucionet vendore kanë marrë një pjesë të përgjegjësive për viktimat e dhunës në familje. Programi i përbashkët i zbatuar në Shqipëri nga UNFPA, IOM dhe UNICEF në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kanë bërë përpjekje për të promovuar barazinë gjinore dhe për të çrrënjosur dhunën me bazë gjinore në Shqipëri. Ministria e Punës dhe çështjeve sociale ka luajtur rolin e partnerit kryesor së bashku me institucionet vendore si në fushatën e ndërgjegjësimit ashtu edhe në asistencën e viktimave të dhunës me bazë gjinore.
Po nëpërmjet këtyre projekteve është trajnuar edhe personel mjekësor për këshillimin shëndetësor si dhe në identifikimin e rasteve të grave të dhunuara që më pas referohen në struktura të tjera. Kjo ka ndodhur në Pogradec dhe në Korçë ku mjekë, infermierë dhe psikologë i shikojnë në kompleksitet dhe ndihmojnë në ndërgjegjësimin e grave për pasojat e dhunës në familje.

Afroviti Gusho, koordinatore projektesh pranë shoqatës Unë gruaja thekson se ligji për shërbimet shoqërore, ka dispozita konkrete për viktimat e dhunës në familje me fokus akomodimin e sigurtë. "Kemi 2 vjet negociojmë me bashkinë me ndihmën e PNUD për një qendër multidisiplinare. Aktualisht kemi arritur në një marrëveshje për sistemimin në një hotel por është një zgjidhje provizore. Ligji duhet të përcaktojë në mënyrë taksative që burri largohet nga banesa pasi shpesh urdhërat e mbrojtjes janë të pazbatueshëm". Ndërkohë sa i përket mekanizmit aktual për referimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, Gusho thekson se po të funksiononte mekanizmi tërësisht atëherë do të kishim më pak viktima të dhunës në familje e më shumë denoncime". Sipas përfaqësueses së shoqatës, viktimat e dhunës përballen edhe me mentalitetin e komunitetit ku jetojnë pasi askush nuk reagon edhe pse e di për rastet e dhunës në familje. Në mënyrë të drejtpërdrejtë na vijnë deri në 6 raste në muaj por shpesh këto raste ose tërhiqen ose nuk sigurojnë provat e mjaftueshme për urdhrin  e mbrojtjes. Ne kemi përgatitur edhe fletëpalosje se si viktimat e dhunës të ruajnë provat dhe e i kemi shpërndarë në të gjitha takimet që organizojmë".

Një tjetër mekanizëm i referimit të dhunës janë mjekët. Ata janë trajnuar nga ACA nëpërmjet UNFPA për të referuar rastet e dhunës dhe edukuar popullatën. Personeli mjekësor është përballur me nevoja të mëdha për tema të ndryshme shëndetësore ndër ta cilat edhe dhuna me bazë gjinore. Mungesa e informimit dhe mentaliteti bëjnë që shumë gra të mos e denoncojnë dhunën në familje dhe mjekët përballen fillimisht me faktin se duhet të fitojnë besimin, të luajnë rol në ndërgjegjësim për të bërë të mundur që viktimat e dhunës të denoncojnë dhunën që pësojnë. Zona e Pogradecit e ka shumë të nevojshme krijimin e një qendre për strehim si dhe për ti ofruar mundësinë e një zanati viktimave të dhunës pasi përgjithësisht vijnë nga nivel i ulët arsimor dhe janë të papunë.

Mekanizmat e koordinuar të referimit kundër dhunës
Hapat që janë ndërmarrë si institucionale ashtu edhe nga OJF që kanë përfituar mbështetje kanë pasur si qëllim të adresojnë në mënyrë sa më efektive viktimat e dhunës në familje. Zinxhiri i praktikave dhe politikave nis në Ministritë e linjës për tu mbyllur në njësitë e qeverisjes vendore, të cilat duhet të sigurojnë kapacitete për të gjeneruar investime, punësim dhe mundësi jetese sidomos për të rinjtë dhe gratë.

Projektet e zbatuara nga agjencitë e programit të OKB në Shqipëri nëpërmjet projekteve konkrete kanë arritur të ngrejnë dhe të fuqizojnë mekanizma të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, të cilët ofrojnë shërbime të koordinuara multidisiplinare për viktimat e dhunës me qëllim uljen e numrit të rastëve të dhunës. Këto mekanizma janë ngritur në Durrës, Korçë, Kamzë, Tiranë, Fier, Burrel dhe Përmet ndërkohë që është ofruar asistencë teknike për përfshirjen e perspektivës gjonore në planet e zhvillimit vendor në këto bashki përfshirë edhe Lezhën. UNDP gjatë vitit 2014-2016 vazhdon mbështetjen e Mekanizmave të Kordinuar të Referimit në 10 bashki të reja: Erseke, Sarandë, Krujë, Kavajë, Patos, Përrenjas, Roskovec, Dibër, Bulqizë dhe Gjirokastër.

Kryetarët e Bashkive rol kyç në Grupin Ndërdisiplinar
Korça zgjohet e tronditur pas një krimi të tmerrshëm në familje. Babai mbyt dy djemtë pas një konflikti me bashkëshorten. Për këtë rast nuk ka pasur asnjë referim ndërkohë që bashkia Korçë referon një ulje të numrit të grave të dhunuara. Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo theksoi gjatë takimit të Grupit Ndërdisiplinar të Korçës se bashkia ka një rol kyç në administrimin e problematikave por edhe duke analizuar shkaqet që kanë sjellë këtë pasojë. "Për mua çështja  është më e gjerë se adresimi i problematikave pasi duhen adresuar shkaqet. Punësimi, strehimi, niveli arsimor dhe kulturor dhe çfarë po del tani janë pasojat që sjell emigracioni. Jemi përpjekur të adresojmë edhe në rastet siç janë punësimi i cili nuk është funksion i drejtpërdrejt por ne kemi bërë përpjekje. Po kështu strehimi është një ndër problemet më të mëdha sociale në qytet. Janë duke u ndërtuar 3 pallate dhe do të strehohen 75 familje të pastreha dhe po kështu  i kemi ofruar dhe do të vazhdojmë ti ofrojmë rasteve të dhunës në familje bonusin e strehimit që mbulon deri në 50% të qerasë minimale". Sipas Filos, Korça është e prekur nga pasojat e krizës ekonomike në rajon me kthimin e shumë familjeve nga emigracioni për të cilat nuk ka statistika.

Lidhur me rastet e dhunës Elizeta Bita, koordinatore kundër trafikimit dhe dhunës në familje, thotë se në bashkëpunim me PNUD bashkia Korçë ka një sistem referimi mjaft efektiv. Nëpërmjet këtij sistemi duke filluar nga viti 2010 janë asistuar 684 raste të dhunës në familje nga të cilat 567 femra. Viktimat e dhunës kanë marrë asistencë psikosociale, juridike, orientim për kurse të ndryshme, libra shkollorë dhe bonus strehimi. Bita sqaron se faza në vazhdim janë miniekipet ndërdisiplinare me administratorë shoqërore të ndërtuara fillimisht me mbështetjen e PNUD për tu vazhduar nga vetë bashkia Korçë. Administratorët janë në terren 15 ditë të muajit për verifikimin e rasteve të viktimave të dhunës. Kjo strukturë luan rol edhe për ndërgjegjësimin e komunitetit kundër dhunës në familje.

Fushata ndërgjegjësimi
OJF-të në Elbasan e Pogradec veç asistencës, reabilitimit dhe ri-integrimit të grave të dhunuara kanë ndërmarrë disa fushata ndërgjegjësimi kundër dhunës në familje.  Një ndër to ka qenë "Bëje botën portokalli" në bashkëpunim me agjencitë e OKB-së në kuadër të fushatës mbarëbotërore UNiTE. Këto fushata kanë pasur si partner kryesor Ministrinë e Mirëqenies Siciale dhe Rinisë, organizatat e shoqërisë civile, organet e qeverisë vendore si dhe shumë vullnetarë nga komunitete në të gjithë vendin.
UNDP e ka mbështetur financiarisht Forumin e Gruas Elbasan që nga Shtatori i vitit 2015 përmes projektit: “Fushatë ndërgjegjësimi: Rinia për Familjen, #Dashuriaështërespekt” i cili përfundoi ne Gusht 2016 dhe aktualisht mbështet po projektin:“Fushatë mediatike ndërgjegjësimi: #ShtoZërinTënd” që kanë si qëllim parësor të reduktojnë Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dhunën në Familje në Elbasan. Nismat kanë përfshirë një grup të madh dhe të larmishëm njerëzish për të diskutuar e ndërgjegjësuar rreth një fenomeni që ka prekur shoqërinë shqiptare gjerësisht.
Në tre vitet e fundit me mbështetjen e UNDP, UN Ëomen dhe fonde të qeverisë suedeze Shoqata “Unë Gruaja” ka zbatuar projektin  “Burra dhe Gra – Barrierë e Përbashkët kundër Dhunës ndaj Grave si dhe është në vitin e dytë të zbatimit të projektit: “Burra dhe djem - Të ndryshojmë sjelljen, të ndryshojmë shoqërinë” që përfundon në mars të 2017-ës.

Kurrikulë e re në shkolla kundër trafikimit
Paralelisht është punuar edhe me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke synuar edukimin e nxënësve të sistemit parauniversitar mbi këtë fenomen. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin nën mbështetjen e qeverisë suedese nëpërmjet fondit të koherencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka realizuar modulin korrikular për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar. Qëllimi i kësaj kurrikule është të rrisë ndërgjegjësimin e nxënësve mbi fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Ajo bazohet në një kombinim të metodave formale dhe jo-formale të mësimdhënies, duke u përqendruar në organizimin e aktiviteteve që do të kryhen në klasë, ndjekur nga diskutime si dhe nga disa detyra. Mësuesit sugjeruan që kjo kurrikul të bëhet pjesë e programit mësimor në mënyrë që të ketë ndikim më të madh. Gjithashtu, ajo mund të adoptohet për t’u përdorur në orët jashtë kurrikulare, orët e kujdestarisë, etj. Ndërkohë, me rëndësi është edhe ndërgjegjësimi i prindërve në lidhje me luftën kundër trafikimit duke i përfshirë ata në trajtimin e kurrikulës. Projekti i IOM është zbatuar në bashkëpunim me OJF-në Tjetër Vizion.

tubim
tubim

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, në pranga tutori nga Venezuela, shfrytëzonte për prostitucion dy djem, 19 dhe 31 vjeç (EMRAT)

Tiranë, në pranga tutori nga Venezuela, shfrytëzonte për prostitucion dy djem, 19 dhe 31 vjeç (EMRAT)