Policia malazeze publikoi identitetin e tre personave të arrestuar si autorë të sulmit fizik ndaj shtetasve shqiptarë në Herceg Novi më 6 janar. Sergej Deviç, Kosta Dungjeroviç dhe Branko Vuksanoviç, të gjithë nga fshati Zelenika në Mal të Zi, ndodhen në paraburgim ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë pasi grupi që kreu sulmin dyshohet se përbëhej nga 8 persona. Policia malazeze këmbëngul se incidenti ndodhi si pasojë e një situate në trafikun rrugor.

Megjithatë burimet policore thonë se dhuna ndaj 3 shqiptarëve Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi dyshohet se zanafillën e ka në momentin kur ata po zbrisnin me makinë nga trageti me të cilin kishin udhëtuar. Burimet bëjnë me dije se shqiptarët janë konfliktuar me shtetas të tjerë malazez për radhën e zbritjes nga trageti.

Konflikti verbal i nisur aty, me sa duket nuk është mbyllur ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtët persona që kanë ndjekur makinën e shqiptarëve, apo kanë qenë autorë të tjerë të njoftuar miq të tyre malazez për të goditur shqiptarët. Policia vendase tha në një deklaratë se “personat e sulmuar kanë qenë në një automjet me targa gjermane dhe nga të dhënat e deritanishme, shkaku i ngjarjes ka qenë situata në trafik”.

Por Klodjan Meaj, njëri nga tre shqiptarët që ranë pre e dhunës dyshon se shkak mund të ketë qenë prania e flamurit shqiptar në pasqyrën e automjetit. Meaj së bashku me dy personat tjerë, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi, ishin punëtorë sezonalë në Gjermani dhe po udhëtonin me të njëjtin automjet. Pas denoncimit të ngjarjes, ata u shoqëruan nga policia malazeze deri në pikën kufitare me Shqipërinë në Shkodër ku më pas morën ndihmën mjekësore dhe u larguan na banesat e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:32
Dhunimi i tre shqiptarëve, reagon Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi: E papranueshme, të zbardhen menjëherë rrethanat

1704568137_malizi.png

Unioni Demokratik i shqiptarëve në Malin e Zi ka reaguar ndaj rrahjes barbare të tre të rinjve shqiptarë, duke kërkuar një shpjegim për incidentin. Kreu i unionit, Mehmet Zenka, e cilëson sulmin të papranueshëm dhe kërkon nga autoritetet dhe kryeministri Milojko Spajiç që të zbardhen menjëherë rrethanat.

“DUA u bën thirrje urgjentisht organeve përgjegjëse si dhe kryeministrit Milojko Spajiç dhe ministrit të Punëve të Brendshme Danilo Saranoviç që të marrin të gjitha masat e duhura për të zbardhur rrethanat e sjelljes së papranueshme ndaj tre shtetasve shqiptarë. Duam të dimë se cili është shkaku i këtij qëndrimi”, thuhet në njoftim.