Dhunimi i një adoleshenti me shpulla dhe grushte nga disa efektivë të policisë së Tiranës ditën e djeshme te kodrat e liqenit ka sjellë reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh indinjatën e thellë për aktin e paprecedentë të dhunës fizike që ka shkaktuar tek i mituri dhe pasojat psikologjike dhe emocionale.  KSHH shprehet se dhuna nga polici është haptazi në tejkalim të detyrë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut ku thuhet se 'përdorimi i forcës nuk duhet të jetë më i madh se 'absolutisht i nevojshëm' për arritjen e qëllimeve të përcaktuara'.

Humanizmi duhet të karakterizojë komunikimin dhe sjelljen e Policisë së Shtetit në këtë periudhë, shprehet Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pasi të gjithë duhet të mirëkuptojnë faktin se shqiptarët prej më shumë se 2 muajsh po përballen me kufizime ekstreme të lirisë së lëvizjes.

"Për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të vendosur me akt normativ për lirinë e lëvizjes, policia e shtetit duhet të karakterizohet gjerësisht nga parimi i humanizmit. Është e kuptueshme që kjo luftë me pandeminë nuk ka qenë e lehët as për policinë e shteti e cila ndodhet në frontin e parë për përballimin e krizë, por në një kohë që shqiptarët po përballem prej më shumë se 2 muajsh me rregulla strikte, humanizmi në komunikim dhe sjellje duhet të mbizotërojë ndaj qytetarëve", shkruhet në deklaratën e KSHH.

KSHH shprehet se ngjarje të tilla janë të papranueshme, nuk duhet të përsëriten dhe se duhen marrë masa konkrete për policët e përfshirë në këtë ngjarje.

Në lidhje me ngjarjen, polici i patrullës së komisariatit nr.2 është pezulluar dhe për tre të tjerë kanë nisur hetimet nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.