TIRANE-Një adoleshent është qëlluar me shpulla dhe grushte nga disa efektivë të policisë së Tiranës ditën e djeshme te kodrat e liqenit. Videoja me pamjet e dhunës është regjistruar nga një qytetar, ndërsa sot një nga policët, pjesë e patrullës së komisariatit nr.2 është pezulluar dhe për tre të tjerë kanë nisur hetimet nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

"Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjës policie, i cili ka kryer shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë me inicialet G.N, pranë Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2. Drejtoria e Standardeve Profesionale do të grumbullojë dhe analizoje të gjitha provat dhe në fund te hetimit do jepet masa sipas shkallës së shkeljes" thuhet në njoftimin e policisë.

Por si ndodhi ngjarja? Efektivët e policisë mësohet se i kërkuan adoleshentit që të nd

alojë pasi kishte thyer orarin e ndalim qarkullimit, pra po lëvizte me biçikletë pas orës 17:30 por ai nuk ka pranuar. Në momentin e shoqërimit ai ka sharë dhe ofenduar efektivët, të cilët e kanë qëlluar disa herë me shpulla dhe grushte adoleshentin, i cili bëri rezistencë, por pas dërgimit në komisariat është liruar.

Policia e Shtetit deklaron se pavarësisht se u lirua, adoleshenti që u dhunua u ndëshkua me masë administrative, gjobë sipas Aktit Normativ. Kjo, pasi ai së bashku me shokun e tij "u konstatuan se kishin thyer orarin e ndalim-qarkullimit dhe kishin dalë për shëtitje me biçikletë në shkelje të masave për parandalimin e pandemisë COVID-19" thotë policia.

Policia e Shtetit thekson se dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dënoi dhunën e policisë ndaj adoleshentit në kryeqytet. Sipas Bashës, Edi Rama është e keqja e njerëzve, është e keqja e Shqipërisë. "Kjo dhunë, kjo krizë, kjo vjedhje dhe batërdi me pronat publike, kjo padrejtësi ndaj shqiptarëve, kjo varfëri ekstreme ka vetëm një emër: Edi Rama. Ai është e keqja e njerëzve, është e keqja e Shqipërisë" shkruan Basha.