Dhuna ndaj grave, Haxhiymeri:Nuk
merren seriozisht denoncimet e tyre

Dhuna ndaj grave, Haxhiymeri:Nuk<br />merren seriozisht denoncimet e tyre
Viti 2016 filloi me një krim të dyfishtë brenda familjes. Një grua u vra nga bashkëshorti i saj, në ditën e parë të vitit.

Dhe tashmë që jemi në mbyllje të këtij viti, bilanci është i dhimbshëm. 9 gra kanë humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga partnerët e tyre.

Apelit të vazhdueshëm për denoncim të dhunës, gratë e dhunuara duket se kanë arsye që të mos e besojnë.

Profesore doktore e shkencave sociale, Edlira Haxhiymeri sqaron për Report Tv se denoncimet e grave të dhunuara nuk janë marrë seriozisht.

‘’Denoncimi nuk është i thjeshtë. Denoncimi ndonjëherë mund të shkaktojë më shumë dhunë, si në rastin e Fierit, ajo kërkoi urdhër mbrotje dhe u masakrua nga i shoqi. Në momentin që një grua denoncon kjo nënkupton që ndaj saj duhet të merren masa mbrojtëse. Dhe kur kjo mungon kuptohet që është cënuar rëndë besimi që këto gra kanë tek institucionet e shtetit’’, u shpreh Haxhiymeri.  

Dhuna nuk njeh moshë, as status. Dhe si e tillë nuk njeh as receta për zgjidhjen e këtij fenomeni. 

‘’Dhuna nuk njeh moshë, as status as gjendje ekonomike, por duhet të bëhen disa lloje dallimesh ndaj grave që kërkojnë ndihmë dhe gratë që e përjetojnë dhunën dhe gjejnë zgjidhje të tjera jashtë shërbimeve. Gratë që kanë një gjendje ekonomike më të mirë, e zgjidhin vetë situatën, që domethënë largohen nga dhunuesi, ndihmohen edhe nga familja. Ndërsa gratë me vështirësi ekonomike, ato natyrisht kanë probleme më të rënda sepse burimet jetike i kanë të limituara ose ju mungojnë tërësisht dhe janë të detyruara të kërkojnë ndihmë tek shërbimet e ndryshme sociale’’, vijoi më tej Haxhiymeri.  

Rehabilitimi i grave të dhunuara vazhdon të jetë një sfidë e madhe. Për këtë Haxhiymeri sqaron detajet.

’'Problemi i punësimit, më lejoni të them që bëhen konferenca të shumta për to por që ato nuk përfitojnë asgjë. Sfida tjetër është strehimi. Për një grua që del nga shtëpia dhe që nuk ka asnjë mbështetje nga familja, të sigurojë strehimin përmes punësimit por që edhe të kujdeset për fëmijët është e pamundur. Viktimat e dhunës në familje përfitojnë shumë pak nga programet e strehimit social’’, përfundoi Haxhiymeri. 
 
Shpresojmë që ditët e fundit të këtij viti dhe viti në vazhdim të mos përgjaken prej dhunës së familjes.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com  

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'