“Ne organizatat e gazetarëve në Shqipëri dënojmë ashpër dhunën në Lazarat ndaj një ekipi të gazetarëve të A 1 dhe i bëjmë thirrje Prokurorisë të veçojë penalizimin e personave që kanë dhunuar dhe rrezikuar jetën e gazetarëve nga çështja e Lazaratit”, thuhet në deklaratën e tre organizatave të cilat kërkojnë që ndaj personave që ushtruan dhunë ndaj ekipit të gazetarëve duhet të ngrihet padi e veçantë për dhunë dhe kanosje ndaj gazetarëve për shkak të detyrës.
Deklarata e Organizatave të Gazetarëve
Një ekip i gazetarëve të A1 report është gjendur nën kërcënimin e armëve dhe rrezikut për jetën, ndërsa kanë qenë duke raportuar mbi ndërhyrjen e forcave të policisë në Lazarat. Gazetari Gerti Xhaja, operatori Renis Kalaja si dhe shoferi i tyre Kreshnik Marku, janë rrethuar nga një grup personash të armatosur duke i kërcënuar se do t’i vrasin nëse nuk largohen. Sipas dëshmive të gazetarëve ata janë sulmuar me armë zjarri sapo kanë transmetuar raportet e para. Ato thonë se dy persona kanë hapur zjarr ndaj tyre dhe i kanë rrethuar duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Grupi i xhirimit është mbajtur peng për 15 minuta duke u kanosur për jetën për shkak të detyrës. Atyre u janë marr kamerat dhe mjetet e punës ndërsa makinës së tyre i kanë vënë zjarrin.
Ne organizatat e gazetarëve në Shqipëri dënojmë ashpër dhunën ndaj tyre dhe i bëjmë thirrje Prokurorisë të veçojë penalizimin e personave që kanë dhunuar dhe rrezikuar jetën e gazetarëve nga çështja e Lazaratit.
Ndaj këtyre personave duhet të ngrihet padi e veçantë për dhunë dhe kanosje ndaj gazetarëve për shkak të detyrës. U bëjmë thirrje gjithashtu forcave të policisë të organizojnë përkujdesje speciale për gazetarët që raportojnë nga terreni në këtë rast për të mos i lënë peng në dorë të banditëve të armatosur.
Nënshkruar
Forumi Shqiptar për Mediat e Lira
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë