TIRANE - Pas ngjarjeve të ditëve të fundit të ndodhura në Maqedoni, ku huliganë maqedonas kanë dhunuar edhe fëmijë, të rinj e qytetarë shqiptarë në Shkup, Partia Civile ka protestuar sot para Ambasadës maqedonase në Tiranë.

Kreu i kësaj partie, Taulant Capa, i njohur për iniciativën e tij ndaj kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, kur gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, qëlloi me vezë makinën e tij, ka dhënë sot deklarata edhe më të forta.

Duke treguar se gjatë protestës para ambasadës, u dogj fotografia e “kryeministrit më shovinist që ka njohur rajoni vitet e fundit”, siç i referohet Gruevskit, Çapa kërcënon se reagimi i tretë do të jetë me mendje ose me pushkë nëse vazhdon të cënojë të drejtat kombëtare shqiptare në Maqedoni.

"Situata në Maqedoni po ndiqet hollësisht nga ne. Sa më shumë të shprehin urrejtje ndaj shqiptarëve, aq më të fort, më të bashkuar dhe më të fuqishëm i bën të ndihen shqiptarët. Shqiptarët autoktonas në Maqedoni nuk janë vetëm, e gjithë shqiptaria e ka vemendjen atje.

Maqedonia do të shqiptarizohet dhe Shkupi Zyrtar do të jetë qeveria e tretë shqiptare në Ballkan. I bëjme thirrje qeverisë maqedonase të marrë masat përkatese ligjore të atyre që shprehin dhunë ndaj shqiptarëve të pafajshëm, i bëjmë thirrje partisë shqiptare që është pjesë e pushtetit të bëjë detyrat e saj si përfaqësuese e politikës zyrtare për shqiptarët si dhe i bëjmë thirrje opozitës shqiptare që të mos qëndrojë sehir e ngjarjeve, por t’i paraprijë ato dhe të reagojë me protesta të mëdha qytetare. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyj urgjentisht dhe energjikisht në Maqedoni se të nesërmen do të jetë shumë vonë”, theksoi Çapa.

digjet foto nikola gruevski taulant capa
(Partia Civile duke djegur foton e kryeministrit maqedonas, Gruevski)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)