Nuk ka ndodhur asgjë, nuk ka qenë askush përgjegjës. Duke gjykuar nga përgjigjet zyrtare që vijnë nga aparatet izraelite që bllokuan flotiljen Sumud në ujërat ndërkombëtare, duke transferuar ekuipazhet në dy anije-burg, duke i çuar në Ashdod dhe prej andej në burgun Ketziot, nuk ka pasur keqtrajtime, tortura apo ngacmime. Gjithçka, pretendojnë ata, është zhvilluar sipas rregullave dhe në respektim të të drejtave.

Ashtu si më parë Shërbimi Penitenciar izraelit, edhe forcat e armatosura tani mohojnë përgjegjësinë. “I hedhim poshtë akuzat për abuzime nga ushtarët gjatë operacioneve që kishin si qëllim mbrojtjen e bllokadës detare legjitime”, deklaroi për Repubblica zyra e zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit. “Urdhrat e Forcave izraelite të Mbrojtjes kërkojnë trajtim të respektueshëm dhe të përshtatshëm të pjesëmarrësve të flotiljes në bordet e anijeve të ndaluara, dhe në këtë drejtim ekzistojnë procedura të qarta dhe të konsoliduara. Forcave izraelite nuk u rezultojnë episode specifike që të kenë shkelur këto procedura detyruese. Çdo denoncim konkret do të shqyrtohet me kujdes”.

Është hera e parë që forcat e armatosura japin një koment mbi këtë çështje. Deri tani, i vetmi zë zyrtar ishte ai i Shërbimit Penitenciar: pas publikimit të videos në portin e Ashdodit, ai mbrojti gardianët e burgut (“veprime në përputhje me procedurat dhe vlerësimet profesionale”) dhe theksoi se keqtrajtimet që shihen në pamje “janë në zona nën kompetencën e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe policisë”. Një lojë klasike e shmangies së përgjegjësisë. Policia, gjithashtu e pranishme në Ashdod, vazhdon të heshtë.

La Repubblica ka raportuar për dhunën sistematike dhe rrahjet që aktivistët kanë pësuar edhe në anijet-burg, para se të mbërrinin në port. Në veçanti, shumë prej tyre kujtojnë një kontejner të errët, të quajtur “dhoma e panikut”, ku ata priteshin me grushte, shqelma, goditje elektrike dhe ngacmime. Sipas një burimi të kualifikuar të konsultuar nga Repubblica, kuverta me kontejnerët ishte nën përgjegjësinë e një njësie speciale të Shërbimit Penitenciar. Mund të bëhet fjalë për njësinë Nachson, krahu operacional i këtij shërbimi: autobusët që transferuan aktivistët nga burgu Ketziot në aeroportin Ramon për riatdhesim mbanin stemën e kësaj njësie.

Përmbledhtazi, katër janë subjektet e shtetit izraelit të përfshira në zinxhirin e komandës, të cilin prokuroria e Romës po përpiqet ta rindërtojë për të përcaktuar përgjegjësi specifike:

  1. Flota e tretë e marinës ushtarake (Shayetet 3), e cila koordinoi operacionin në det të përbërë nga dy anijet-burg dhe disa korveta mbështetëse;
  2. Komandot e forcave speciale (Shayetet 13), që borduan fizikisht anijet e Flotillës dhe, sipas disa rasteve të denoncuara nga misioni civil, qëlluan edhe me plumba gome;
  3. Shërbimi Penitenciar izraelit, i pranishëm si në anijet-burg me njësinë speciale, ashtu edhe në tokë;
  4. Policia, e cila ndodhej në Ashdod.

Dy institucionet e fundit kontrollohen drejtpërdrejt nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir./La Repubblica