Protesta në Tiranë ka hyrë në ditën e 11-të saj. Analisti Ilir Yzeiri i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha dhuna dhe aktet vandale që kemi parë gjatë këtyre ditëve ushqehet nga rrjetet sociale. Sipas tij në këtë protestë studentët janë përdorur, pavarësisht se secili ka të drejtë të protestojë.

“Ky është kapitulli i fundit i një romani që kanë nisur herët. Protestat që nisën në 14 tetor ishin një rrufe të hapur dhe na bën që të kuptojmë që nuk jemi të imunizuar nga ajo që ndodh në Europë. Ky zemërim i madh ushqehet nga rrjetet sociale dhe është një betejë që ndodh në internet njëherë. Fillimisht kishim një protestë për një objekt të caktuar, por më pas këtij zemërimi iu mbivendosën edhe narrativa të tjera. Mos të harrojmë se jetojmë në një botë që pothuajse në luftë. Këtu padiskutim kemi ndërhyrje nga jashtë. Ndërkohë zemërimi i flamingove është akoma aty. Pakënqësitë e studentëve nuk vijnë për shkak të arsimit, por për shkak të gjendjes sociale dhe politike. Studentët u manipuluan, janë ata që mund të sakrifikohen më shpejt, janë ata që kërkojnë cilësi”, tha Yzeiri.

Për Yzeirin protesta bëhet kundër një njeriu të vetëm, kryeministrit Edi Rama. Ai thekson që dhuna nga protestuesit u bë vetëm që kreu i qeverisë të jepte dorëheqjen.

“Ne nuk kishim protestë të studentëve. Protesta e fuqishme e studentëve ishte ajo në 2018, që nisi dhe përfundoi aty. Zakonisht protestat nisin nga auditoret, ku listojnë problem e tyre. Gjithë mllefi është vetëm ndaj Ramës, ku kërkohet largimi i tij me çdo kusht. Kjo ishte një protestë anashiste që këtë zemërim të madh ta çonte deri në atë pikë që ta çonte shtetin deri në një paralizim, shteti mos të funksiononte, dhe në këto kushte do të ishte detyruar të largohej për shkak të dhunës, jo për shkak të ultimatumit politik. Vendi do të kalonte në anarki se do të mbetej pa qeveri”, tha Yzeiri.

Ndër të tjera analisti nënvizon se ai që kërkon të përfitojë nga kjo situatë është kreu i PD, Sali Berisha.

“Ai që kërkon të përfitojë është arkitekti, mjeshtri 82-vjeçari, Sali Berisha dhe militantë të PD. Një formacion politik doli zot i protestës. Berisha kërkon që të largohet Rama dhe të vijë ai në pushtet. Opozita atë punë ka, të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit.  Forca politike maten në kutinë e votimit jo në rrugë”, shtoi ai.