Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka folur në një intervistë për Report Tv në lidhje me dhunën e paprecedentë që u regjistrua paraditen e sotme në protestat për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha.

Ademi kërkoi hetim nga organet kompetente për personat që kanë angazhuar të miturit në këtë protestë. Ajo akuzoi Policinë e Shtetit për një vonesë prej 40 minutash.

"Faleminderit për mundësinë e komunikimit, sot ka filluar një ditë e paqtë në Shkodër, siç u nis me qytetari dhe korrektesë, të cilët protestojnë për të dytën herë për një ngjarje shumë të rëndë që ka ndodhur në Shqipëri. Pas mbarimit të protestës, fëmijë, të mitur, kanë ndërhyrë duke shkallmuar dhe shkatërruar në qytetin e Shkodrës. Kam marrë një telefonatë nga disa të pranishëm atje duke me informuar që ka njerëz që po drejtohen drejt Bashkisë së Shkodrës. Në atë moment kam marrë në telefon policinë e shtetit dhe i kam kërkuar furgonë pranë bashkisë dhe prefekturës.  Protesta dhe marshimi kishte mbaruar dhe nuk kuptohet ç'po ndodhte. Nuk kam marrë asnjë reagim.  Më pas kam parë që grupi po drejtohej në selinë e PS", tha ajo.

Kryebashkiakja e Shkodrës insiston se ka kërkuar serish policinë, madje ka ngritur edhe zërin por askush nuk ka reaguar.

"Kam kërkuar serish forca. Më është thënë që nuk kemi urdhër për të vepruar. Unë kam ngritur zërin dhe i kam kërkuar që të ndërhynin sa më shumë. Përgjigja e policisë është vonuar me 40 minuta. Edhe tani nuk e kuptoj pse ishte ajo vonesë. Ngjarjet nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë shqiptare dhe është e pafalshme që institucionet shtetërore të mos reagojnë në kohë.  Unë e kërkoj hetimin. Unë mendoj se kishte njerëz të futur për ta bërë këtë. Për këtë ka fakte. Ende nuk kam marrë asnjë komunikim nga drejtuesit e policisë. Ngjarjet që ndodhen pas marshimit nuk kanë lidhje me marshimin. Nuk kishte asnjë lidhje me të gjithë ata që marshuan. Unë kam një djalë dhe e kam shumë të vështirë të insistoj që ai të rrijë në Shqipëri. Dhe kjo është dëmi më i madh që po i bëjmë shqiptarëve.  Kush fut të miturit të hetohet nga organet e shtetit", tha ndër të tjera Voltana Ademi në intervistën për Report Tv.