TIRANË - Një finale që duhej të kurorëzonte kampionët e rinj dhuroi skena të papranueshme dhune në derbin e kryeqytetit. Në “Arenën e Demave”, sfida vendimtare e “Play Off”-it të kampionatit U-18 mes Partizanit dhe Tiranës përfundoi me triumfin minimal 0-1 të bardhebluve.
Goli i vetëm i takimit u realizua nga Qerimaj në minutën e 45-të, duke i dhënë Tiranës U-18 titullin kampion për këtë grupmoshë. Deri në fërshëllimën përfundimtare, gjithçka dukej se po shkonte drejt një mbylljeje të qetë.
Megjithatë, pas ndeshjes situata mori një kthesë dramatike. Një lojtar i Tiranës vendosi fanellën bardheblu në flamurin e këndit dhe tentoi ta ngulte atë në mesin e fushës, veprim që provokoi reagimin e menjëhershëm të lojtarëve të Partizanit U-18.
Konflikti degradoi shpejt në përplasje fizike mes futbollistëve, ndërsa më pas në fushë hynë edhe tifozët, duke e nxjerrë situatën plotësisht jashtë kontrollit. Dhuna u përshkallëzua me goditje të forta dhe përplasje të ashpra, ndërkohë që nuk munguan as incidentet ndaj forcave të policisë të pranishme në stadium. Policia dhe siguria shmangën më të keqen.
Arbitri Gerard Çokaj më herët kishte dhënë tre kartona të kuq, dy për Partizanin (Hocja dhe Duro) si dhe një për Tiranën (Paraj).
Komente











